Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka doli në një deklaratë për mediat vetëm pak minuta pasi mori në dorëzim 4200 formularët e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD.
Paloka u shpreh se verifikimi i firmave do të bëhet ditën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, që deri tani është caktuar data 11 dhjetor.
Ai tha se verifikimi do të bëhet pa cenuar të dhënat private, që do të thotë se dosja do të qëndrojë e mbyllur deri atë ditë.
“Formularët do të hapen vetëm ditën e Kuvendit të Jashtëzakonshëm kur do të bëhet verifikimi. Unë jam një nga ata që nuk kam plotësuar formularët por jam i detyruar që të zbatoj vendimin e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kuvendit Kombëtar”, deklaroi Paloka.
Sipas tij me kërkesë e shumicës së delegatëve organet drejtuese të partisë janë të detyruar të thërrasin mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
“E drejta për të mbledhur Kuvendin është e delegatëve. Të gjithë funksionarët e tjerë kanë detyrimin që të ndjekin procedurat dhe Kuvendi të shkojë sa më mirë”, tha Paloka.