Besa – Alternativa, filluan ndasitë mes tyre dy orë pasi arritën marrëveshje bashkëpunimi!

Redaksia
By Redaksia 26 Maj, 2023 13:34

Besa – Alternativa, filluan ndasitë mes tyre dy orë pasi arritën marrëveshje bashkëpunimi!

Sot në mjediset e kuvendit të Maqedonisë së Veriut u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Lëvizjes Besa dhe Alternativës. Bilall Kasami dhe Afrim Gashi vendosën firmat në marrëveshjen prej disa pikave për bashkëveprim në periudhën në vazhdim, njofton Flaka

Por ende pa kaluar dy orë, kanë filluar ndasitë mes dy subjekteve politike. Eksponentë të lartë të këtyre dy partive kanë dalur me qëndrime diametrale sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera.

Sekretari i Lëvizjes Besa, Abdush Demiri në një prononcim për TV21 ka reaguar ndaj deklaratave të djeshme të kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili në “Click Plus” tha se në zgjedhjet e ardhshme ka mundësi që BDI, ASH dhe Lëvizja Besa të garojnë së bashku. Demiri thotë se  Besa po punon për organizimin e frontit opozitar.

 “Paska folur partneri i koalicionit qeveritar të BDI-së. Aq më tepër paska marrë guximin që të përmend edhe BESËN. Nëse ju e keni vendos që pas shpëtimit të BDI- së ta vazhdoni dashurinë me Ali Ahmetin edhe në zgjedhjet e ardhshme vazhdoni, por nuk keni të drejtë të krijoni huti duke përmend edhe subjekt tjetër, ju mund të flisni vetëm për veten tuaj. Sa i përket Lëvizjes BESA, ka kush flet për të. Lëvizja BESA është opozitë, dhe po punon në organizimin e frontit opozitar me të gjithë ata që dëshirojnë ndryshimin te shqiptarët”, tha Demiri.

Por kështu nuk mendon deputeti i Alternativës, Hysni Ismaili. Pas marrëveshjes që sot nënshkroi Lëvizja Besa me Alternativën për bashkëpunim, deputeti i Alternativës, Hysni Ismaili për TV21 tha se partia ka pasur dy komisione që kanë zhvilluar bisedime për bashkëpunime, njëri komision për bashkëpunim me opozitën, tjetri me pushtetin, përcjell TV21. Ismaili thotë se si parti janë të hapur edhe për bashkëpunime tjera.

“Që moti patëm deklaruar se ne si partia “Alternativa” jemi të gatshëm për bashkëpunim me çdo strukturë politike, qofshin opozitare apo pozitare. Për këtë qëllim u formuan edhe dy komisione për bashkëpunim, njëra me pozitën tjetra me opozitën. Ja që fati ose rrethanat deshën që kjo nismë të bëhet me Lëvizjes Besa, që nënkupton që është vetëm një nismë që nuk mund ta parashikojmë si mbaron. Dyert janë të hapura edhe per iniciativa të tjera varësisht se si do arrijnë”, tha deputeti Ismaili.

Nisur nga deklarimet e dy eksponentëve të Lëvizjes Besa dhe Alternativës, Abdush Demiri e Hisni Ismaili, fill pas marrëveshjes mes liderëve të tyre, koordinimi mes tyre duket zero sa i përket veprimit politik. Flaka

 

Redaksia
By Redaksia 26 Maj, 2023 13:34