Bexheti për Likën: “Nuk merrem me spekulime të rrjeteve sociale”!

Bexheti për Likën: “Nuk merrem me spekulime të rrjeteve sociale”!

Bexheti i quajti spekulime të rrjeteve sociale zërat se bashkëpartiaku i tij Lika, ka kaluar nga partia e Ahmetit në partinë e Selës. Ai tha se deri në këtë moment nuk ka informacione të tilla. 

“Deri në momentin e duhur nuk ka informacione të tilla dhe nuk dua të merrem me spekuime në rrjetet sociale. Gazetarja: Domethënë e mohoni një gjë të tillë? Po”, deklaroi Blerim Bexheti nga BDI.

Nga Aleanca për Shqiptarët  konfirmojnë aderime dhe bashkangjitje të reja por pa precizuar emra konkret. Të pyetur për fotografitë që qarkullojnë ku shihet kushëriri i Hazbi Likës dhe një ish-funksionar i BDI-së në tavolinë me sekretarin e ASH-së Arben Taravarin, thonë:

“Ne po lidhim aleancë me çdo shqiptar që ka synim të bëjë ndryshimin për një  jetë më të mirë. Është e vërtetë se kohëve të fundit njerëz me ndikim në shoqërinë tonë që i kanë shërbyer kauzës sonë kombëtare po rreshtohen në Aleancën tonë të përbashkët, për t’i dhënë legjitimitet të plotë pë t’i  përfaqësuar shqiptarët me dinjitet karshi  çdo sfide politike për të ardhmen e shqiptarëve dhe të vendit”.

Lika ka ushtruar shumë funksione, si ministër, deputet dhe së fundi zv/kryeministër në Qeverinë e drejtuar nga Zoran Zaev.

Plasaritjet e raporteve të Likës në BDI ka dy vite që kanë filluar. U vërejtën nga mosshkuarja e zëvendëskryeministrit Lika në punë, ndërsa kulmuan, kur qeveria vendosi që Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të cilën e udhëhiqte Lika, ta transformojë në Ministri për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Lika doli hapur kundër këtij vendimi, madje duke thënë se as nuk e dinte se kur BDI-ja kishte vendosur për shndërrimin e  Sekretariatit.

TV21 para një viti pati raportuar për një afërsi dhe disa takime mes Hazbi Likës dhe kreut të Besës, Bilall Kasamit, se i njëjti ka gjasa të kalojë tek “Lëvizja Besa”. Një gjë të tillë e pati mohuar lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 30 Maj, 2020 18:46

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.