BFI: Buzaku falsifikoi dokumentet, kemi prova; Buzaku: Unë jam reisi i ri

Desk
By Desk 25 Prill, 2019 19:15

Kanë vazhduar përplasjet në mes BFI-së dhe Skender Buzakut që pretendon se është reisi i ri me vendim të gjykatës.

Nga BFI pretendojnë se Buzaku ka falsifikuar dokumentet e Rijasetit dhe u ka dorëzuar mediave disa foto dokumentesh, sipas tyre, që mbështesin akuzat se Buzaku falsifikoi dokumentet e dorëzuara në gjykatë.

“Në fotografinë e parë, në anën e majtë është vula aktuale e BFI-së në RMV, ndërsa në të djathtë, vula me të cilën janë vulosur dokumentet e falsifikuara, në rastin konkret dorëzimi i dorëheqjes së parevokueshme të Reisul Ulemasë. Mashtruesit pretendojnë ta paraqesin dorëheqjen e Reisul Ulemasë përmes: Memorandumit mbi të cilin është falsifikuar ky dokument, Vulës së falsifikuar, Nënshkrimit të falsifikuar të Reisit, Ueb faqes së vjetër, E-maill adresës inekzistente të BFI. Dorëheqja e Reisul Ulemasë së BFI-së nuk deponohet me memorandum zyrtar dhe nuk vuloset me vulë zyrtare. Në fotografinë e tretë shihet proces verbali nga mbledhja e falsifikuar dhe se kjo mbledhje e Rijasetit është e rrejshme, dëshmojnë faktet, se nga 15 anëtarë të emërtuar si pjesëmarrës të kësaj mbledhje, 7 nuk janë anëtarë të Rijasetit. Janë përmendur edhe disa myftinj, por të gjithë këta anëtarë të Rijasetit kanë dhënë deklaratë të noterizuar se emrat e tyre janë falsifikuar. Në fotografinë e katërt dhe të pestë është vazhdimësia mbledhjes së falsifikuar dhe në fund është nënshkruar nga Plumb Veliu dhe është përdorur vula e falsifikuar e BFI-së”,- thuhet nga BFI.

Vetë Buzaku hedh poshtë akuzat, madje thotë se falsifikimin e ka bërë BFI. Ai pretendon edhe se ka mbështetjen e Rijasetit dhe myftinjve, por këta të fundit, sipas tij, kanë frikë të dalin hapur në opinion në përkrahje të tij.

“E gjithë lënda është në gjykatë, mund t’ju bëhet këtyre dokumenteve ekspertizë dhe në fund do të dalin fakte, do ta shihni në fund se kush ka falsifikuar. Ata siç kanë falsifikuar në të kaluarën, janë duke falsifikuar tani, por të gjithë ata do të japin përgjegjësi para organeve gjeqëse. Të drejt ankese ka vetëm BFI dhe aktet e BFI-së mund t’i nënshkruajë vetëm reisi i saj, që në këtë rast jam unë dhe të drejt ankese kam vetëm unë.. Kemi përkrahje prej myftinjve, prej anëtarëve të Rijasetit, prej hoxhallarëve dhe besimtarëve, edhe pse ata që janë brenda, frikohen, ngase nuk i është dhënë mundësia që ata të mendojnë lirshëm”,- tha Skender Buzaku – reis në bazë të vendimit të Gjykatës.

Buzaku për TVM2 pohoi se nuk ka ndërmend këto ditë të shkojë në zyrat e BFI-së, por do të hyjë në zyrën e tij të hënën me ndihmën e organeve të rendit. (Tvm2)

Desk
By Desk 25 Prill, 2019 19:15