Bideni duhet të japë gjithçka që i nevojitet Ukrainës, për të fituar

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Qershor, 2023 20:16

Bideni duhet të japë gjithçka që i nevojitet Ukrainës, për të fituar

Si lider i aftë për ta frymëzuar popullin e vet dhe për të ndikuar në opinionin ndërkombëtar, Zelenskiy e turpëroi Bidenin, Emmanuel Macronin, Olaf Scholzin dhe Rishi Sunakun. Në mënyrë bazike, ai gjithashtu po i ndryshon diskutimet strategjike

Nga Simon TISDALL

Zvarritja, pavendosmëria dhe frika e kanë karakterizuar qasjen reale të Joe Bidenit ndaj Ukrainës – qëkur Rusia e pushtoi, 15 muaj më parë – duke i shtuar dyshimet për qëndrueshmërinë e mbështetjes së ShBA-së në kohën e fillimit të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2024. Është i habitshëm kontrasti midis Bidenit dhe lidershipit të guximshëm dhe energjik të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy. Një burrë shqetësohet për fatkeqësinë dhe për humbjen. Tjetri mendon vetëm për të fituar. Ndryshimi i papritur, i vonuar dhe i paplotë e Bidenit për ofrimin e aeroplanëve luftarakë F-16, të prodhuar në ShBA, e ilustron mirë këtë problem. Zelenskiy i ka kërkuar aeroplanë luftarakë që nga fillimi i luftës. Fqinjët, si Polonia, e mbështetën idenë. Megjithatë, i frikësuar nga provokimi i luftës me Rusinë, Bideni, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, si dhe zyrtarët e Pentagonit, deri në mars e kundërshtuan publikisht furnizimin me F-16.

Zelenskiy i donte aeroplanët, sepse e dinte se Ukraina ishte e pambrojtur nga ajri. Teksa pushtimi vazhdonte, njerëzit, shtëpitë dhe infrastruktura jetike e Ukrainës u goditën pa mëshirë prej raketave ruse. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka shpjeguar sesi aeroplanët F-16 ose të ngjashëm, do të mund t’i mbështetnin sistemet e mbrojtjes ajrore, ta ulnin numrin e viktimave dhe t’i mbronin trupat tokësore. Por, ato nuk vinin. Po ashtu, Bideni dhe Sullivani i hodhën poshtë propozimet e ish-gjeneralëve me përvojë të ShBA-së – për “zonat humanitare të ndalim-fluturimit” të patrulluara nga NATO-ja, fillimisht në Ukrainën perëndimore – për t’i mbrojtur civilët prej sulmeve ajrore. Edhe pse pa dyshim do të ishte veprim i rrezikshëm, strehët e sigurta të ngjashme, sipas operacioneve të kaluara në Irak, në Bosnje dhe në Libi, mund të shpëtonin shumë jetë dhe ta pengonin eksodin e refugjatëve. Ata ende mund ta bëjnë këtë.

Argumenti i Bidenit, si atëherë ashtu edhe tash, është se ndërhyrjet e tilla – që shkojnë përtej dërgesave të armëve në shkallë të gjerë, të shkëmbimit të inteligjencës dhe ndihmës amerikane – nga presidenti rus Vladimir Putin mund të shihen si veprime përshkallëzuese. Kjo në shikim të parë duket e arsyeshme. Megjithatë, është maturi e paarsyeshme. Putini dhe poltronët e tij lajkatarë, Dmitry Medvedev dhe Sergei Lavrov, janë të aftë të luajnë me frikën perëndimore. Sa herë që paraqiten format e reja të ndihmës për Kievin, ata i nxjerrin kërcënimet e tmerrshme, ndonjëherë duke i përfshirë armët bërthamore. Bideni duhet ta dëgjojë Antony Blinkenin. Gjatë vitit të kaluar, sekretari i tij i Shtetit e ka vërejtur një model: paralajmërimet e Kremlinit për hakmarrje dhe konfrontim të drejtpërdrejt, rrallëherë dalin në pah në praktikë. Rusët bëjnë zhurmë dhe fryhen – por, kryesisht bëjnë blof. Putini nuk është krejt budalla. Ai e di se kurrë nuk do ta fitonte një luftë me NATO-n, e lëre më ta mbijetojë një luftë bërthamore.

Një model tjetër është i dukshëm: pavendosmëria kronike e Bidenit. Gumëzhimet dhe belbëzimet e zgjatura gjatë vitit të kaluar, i vonuan furnizimet me raketat anti-ajrore Stinger, sistemet Patriot, raketat me lartësi dhe me rreze më të gjatë veprimi, si dhe me tanket luftarake M1 Abrams – të gjitha këto që më në fund u dorëzuan. Aleatët evropianë, si Gjermania, i përdorën gjepurat e Shtëpisë së Bardhë për ta justifikuar zvarritjen e vet. Këto shmangie e kanë zgjatur luftën, pa nevojë. Kthesa e madhe për aeroplanët F-16, e konfirmuar në samitin e G7-ës – të fundjavës së kaluar në Hiroshimë – hap rrugën për trajnimin e pilotëve ukrainas dhe për sigurimin e aeroplanëve të “gjeneratës së katërt” nga aleatët e NATO-s. Megjithatë, është një bishtnim tipik i Bidenit. Vetë ShBA-ja nuk është zotuar t’i japë aeroplanët. Nëse po, është e paqartë nëse do të jenë modelet më të fundit F-16-shit që janë të pajisura me armët më të fundit.

Ofrohen shpjegime jo bindëse për brengën e ShBA-së. Zyrtarët thonë se ata e ndoqën një plan të qëllimshëm, për t’u siguruar që Ukraina fillimisht do t’i marrë të gjitha armatimet e rënda dhe mjetet e blinduara të nevojshme, për kundërsulmin e shumëpritur. “Sigurisht që kemi mundur t’ia nisim më herët, por kishte prioritete shumë më të larta, dhe nga disa kjo shihej si akt përshkallëzues”, tha sekretari i Forcave Ajrore të ShBA-së, Frank Kendall, duke iu referuar stërvitjeve për F-16. Në fakt, ishte presioni nga aleatët e ShBA-së, që doli të jetë i parezistueshëm, pasi Grupi i Kontaktit i Ukrainës i përbërë prej 50 vendeve, muajin e kaluar u takua në bazën ajrore Ramshtajn të Gjermanisë. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, nga miqtë e vjetër – si Britania dhe Holanda, si dhe nga evropianët lindorë – u nxit të mendojë edhe njëherë. Pas kthimit të tij në Uashington, Austini e këshilloi Bidenin që ta heq veton e vet.

Ndryshimi i qëndrimit amerikan për aeroplanët luftarakë është triumf personal për Zelenskiyn. Lobimi i tij i palodhur dha fryt, duke e kapërcyer edhe një herë hezitimin e Bidenit dhe duke lehtësuar, nëse jo duke larguar, dyshimet e tij. Dhe, hodhi dritë mbi një model tjetër që po shfaqet: se si presidenti i Ukrainës – jo komandanti i përgjithshëm i Amerikës që kundërshton rreziqet dhe jo aleanca e NATO-s – po e drejton agjendën e Perëndimit gjatë kohës së luftës. Roli kryesor i Zelenskiyt doli në pah kur tërhoqi vëmendjen në Hiroshimë, duke e bërë një hyrje dramatike, pasi fluturoi vonë nga Samiti i Ligës Arabe në Xhedah. Për temat e bisedës, Ukraina nuk i përket G7-ës, as BE-së apo NATO-s. Por, Zelenskiy u ul në krye të vendit. Diplomacia e tij e papërmbajtshme, e ndihmuar nga gabimet e Putinit, po e shton si mundësi anëtarësimin në të dy këto organizatat e fundit.

Si lider i aftë për ta frymëzuar popullin e vet dhe për të ndikuar në opinionin ndërkombëtar, Zelenskiy e turpëroi Bidenin, Emmanuel Macronin, Olaf Scholzin dhe Rishi Sunakun. Në mënyrë bazike, ai gjithashtu po i ndryshon diskutimet strategjike. Politika e ShBA-së ndaj Kinës, veçanërisht për Tajvanin, dukshëm është thekur për shkak të agresionit të Rusisë – por edhe falë suksesit të Zelenskiyt në ritheksimin e paprekshmërisë së kufijve territorialë dhe të sovranitetit kombëtar si imperativë globalisht të njohur. Gjithashtu, Ukraina gjithnjë e më shumë po e cakton ritmin në terren, pavarësisht mbështetësve të saj kryesorë. Inkursionet e kryera në Rusinë jugore nga milicia kundër regjimit – duke i përdorur automjetet ushtarake amerikane – sulmi i guximshëm me dron në Kremlin, sabotazhet, atentatet dhe shpërthimet misterioze në Krimenë e pushtuar, janë prelud i mundshëm i kundërofensivës kryesore të Kievit. Suksesi është jetik nëse shmanget presioni kinez dhe presioni i mundshëm franko-gjerman i këtij dimri, për ta shkëmbyer tokën për paqe.

I gjithë ky aktivitet, i ligjshëm dhe i paligjshëm, po i shton shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë, meqë po duket se ka rënë mbështetja publike amerikane për Ukrainën. Meqenëse asnjëri prej sfiduesve të tij kryesorë republikanë të vitit 2024, Donald Trump dhe Ron DeSantis, nuk janë të përkushtuar që ta ndihmojnë Kievin, Bideni duhet të jetë më i guximshëm dhe ta bëjë këtë më shumë e më shpejt – sepse koha e tij dhe e Ukrainës mund të mbarojë. Bideni e përshkruan luftën si luftë thelbësore mes lirisë dhe tiranisë. Ashtu është. Pra, jepini Zelenskiyt gjithçka që i nevojitet për të fituar.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Qershor, 2023 20:16

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare