Biljana Vankovska kandidate e “Të Majtës” për presidente në Maqedoninë e Veriut

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 7 Shkurt, 2024 19:27

Biljana Vankovska kandidate e “Të Majtës” për presidente në Maqedoninë e Veriut

Derisa vendi po numëron ditët për zgjedhjet e dyfishta që do të mbahen pas më pak se 3 muaj, partitë kanë nisur shpalljen e kandidatëve dhe përzgjedhjen e tyre. Partia “E Majta”, e para nisi “garën parazgjedhore”, me shpalosjen e kandidatës së tyre për presidente të ardhshme të vendit. Ata kanë përzgjedhur profesoreshën Biljana Vankovska, që në opinion njihet për gjuhë urrejtjeje, posaçërisht kundër shqiptarëve. Tek shqiptarët mbahet mend pasi ditën e aksidentit në Llaskarcë ku humbën jetën 16 persona, ajo në facebook shkroi “Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk”, duke ironizuar dhe krahasuar me ndodhinë e konfliktit të vitit 2001 në Karpallëk në të cilën u vranë 10 ushtarë të Armatës së Maqedonisë nga formacionet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Biljana Vankovska, kandidate për presidente e partisë “E Majta”

“Ndihem pjesë e ekipit, edhe pse nuk jam anëtar i partisë ‘E Majta’. Nuk e di nëse është e nevojshme t’ju prezantohem, sepse shumë prej jush i mbani mend kohët kur thoshin se kur ta hapni frigoriferin do ta gjeni profesoreshën Vankovskën. Ishte kështu sepse unë nuk heshtja kur të gjithë heshtën. Funksioni im kryesor është ai i profesorit dhe i tillë mbetet”.

Partia e LSDM-së ende nuk e ka bërë publik kandidatin e tyre dhe thonë se përzgjedhja e tyre është në proces. E në një intervistë për Euronews Albania, presidenti i vendit Stevo Pendarovski, i pyetur nëse do të rikandidtohet, ai tha se përgjigjen e kësaj pyetje do ta japë nga mesi i këtij muaji.

Stevo Pendarovski, president i vendit

“Mendoj se do të më besoni nëse do ju them se muajt e fundit nuk ka gazetar që nuk ma parashtrojnë këtë pyetje dhe përgjigjja ime është se nga mesi i shkurtit. Unë do të jap përgjigje që do të varet nëse do të kem mbështetjen e partive që më kanë mbështetur, por më e rëndësishmja nga qytetarët e RMV-së”.

VMRO-DPMNE-ja, një ditë më parë shpalli thirrje publike për kandidatë për president. Ata njoftojnë se kandidati i cili do të paraqitet dhe plotësojë kushtet e parapara do të zgjidhet në Konventën që do të mbahet më 2 mars në Shkup.

Kurse në bllokun shqiptar, Lidhja Europiane për Ndryshim ka filluar bisedimet me kandidatët për president. Ajo që dihet deri tani është se këtë post ia kanë ofruar Arben Taravarit, por ky i fundit tha se nuk ka interes për një gjë të tillë. Kurse BDI, nuk ka dhënë asnjë informacion deri më tani, lidhur me këtë çështje.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale pritet të mbahet më 24 prill, kurse rrethi i dytë më 8 maj, ku në të njejtën ditë është paraparë të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. /SHENJA/

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 7 Shkurt, 2024 19:27

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare