Biseda Zaev – komedianët rusë, Neziri: Lëshim katastrofal i kabinetit të Zaevit

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 10, 2019 20:17

Biseda Zaev – komedianët rusë, Neziri: Lëshim katastrofal i kabinetit të Zaevit

“Lëshim katastrofal, apo ngjarje e pahijshme”. Kështu analistët e vendit i cilësojnë bisedat telefonike midis kryeministrit, Zoran Zaev, dhe dy komedianëve rusë. Analisti politik, Xhelal Neziri, thotë se protokolli i kryeministrit duhet të jetë më i vëmendshëm, pasi që komedianët vlerësohen si dorë e fshehtë e Moskës zyrtare për të diskredituar zyrtarët që nuk janë në vijë të njëjtë me interesat ruse.

“Në radhë të parë paraqet një lëshim katastrofal të kabinetit të tij nga ana e protokollit të kabinetit të kryeministrit që ka lejuar vënien në lidhje me bisedën e supozuar me kryetarin e Ukrainës dhe sekretarin gjeneral të NATO-s. Duhet të kihet parasysh se dy komedianët shpesh vlerësohen të mos jenë vetëm aktorë të thjeshtë të cilët bëjnë emisionin e tyre për shikueshmëri, por në fakt vlerësohen të jenë edhe mjet i Kremlinit për grumbullimin e informacioneve, duke vënë në lojë liderët dhe krerët shtetërorë si dhe diskreditimin e tyre”,- tha analisti politik, Xhelal Neziri.

Arsovski: Ngjarje e pahijshme, të kërkohet llogari

Analisti, Petar Arsovski, konsideron se pas kësaj ngjarje të pahijshme do të duhet të kërkohen përgjegjësit që kanë bërë lëshimin, ndërkaq në të ardhmen të angazhohen njerëz të cilët do të dinë të bëjnë klasifikimin e telefonatave.

“Është ngjarje e pahijshme. Kuptohet se në kabinetin e kryeministrit duhet të ketë njerëz për filtrimin e atyre thirrjeve dhe lëshimi është aty, pasi që kryeministri nuk mund të dijë se me kë bisedon. Megjithatë, nuk mendoj se është ndonjë skandal katastrofal. Më tepër do të duhet të fokusohemi se si do të duhet të përmirësohet sistemi rreth tij dhe si njerëzit e vërtetë të cilët kanë bërë lëshimin do të duhet të mbartin përgjegjësi”,- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.

Kryeministri, Zoran Zaev, është “viktima” e fundit e shakave të komedianëve rusë, Vlladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolljarov, të njohur si Vovan dhe Leksus. Duke menduar se po bisedon me sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe ish presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, Zaev në fakt ka informuar komedianët rusë për politikën e jashtme, Marrëveshjen e Prespës, marrëdhëniet me Rusinë, BE-në dhe NATO-n, si dhe rreth idesë për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 10, 2019 20:17