Bisedimet rreth pr/ligjit për Prokurorinë Publike, Llokvenec: Grupet punuese po punojnë. Milloshovski: Të gatshëm nëse pushteti inicion takime

Bisedimet rreth pr/ligjit për Prokurorinë Publike, Llokvenec: Grupet punuese po punojnë. Milloshovski: Të gatshëm nëse pushteti inicion takime

LSDM dhe VMRO-DPMNE, me qëndrime kundërthënëse rreth vazhdimit të bisedimeve për projekt Ligjin për Prokurorinë Publike.

Përderisa partia e Zaevit thotë se bisedimet për harmonizimin e qëndrimeve rreth këtij projekti kanë vazhduar edhe sot, nga VMRO-DPMNE thonë se janë të gatshëm për vazhdimin e bisedimeve nëse pushteti ofron zgjidhje të reja kreative.

“Në këtë çast, grupet punuese po punojnë për harmonizimin e qëndrimeve për Ligjin për Prokurori Publike. Kjo vetvetiu tregon se po bëjmë përpjekje maksimale për të harmonizuar qëndrimet për të siguruar 2/3, në fakt zgjidhje konsensuale të këtij problemi. Thjesht u japim shans bisedimeve që së bashku ta krijojmë Ligjin për Prokurorinë Publike”,- tha Hari Llokvenec nga LSDM.

“Duhet shumicë prej 2/3 dhe siç përmenda jemi në dispozicion, nëse pushteti është i gatshëm sërish të iniciojë takime të grupeve punuese që të bisedojmë rreth amendamenteve që veç më i kemi propozuar. Nuk janë të shumtë. Dhe, ato që janë propozuar janë thelbësore dhe shkojnë në drejtim të përmirësimit të tekstit, në harmoni me vullnetin politik që pushteti shprehu rreth amendamenteve tona para 10 ditëve”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Bashkimi Demokratik për Integrim mbështet projekt Ligjin për Prokurori Publike dhe inkurajon VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në që të tejkalojnë dallimet që kanë mes veti. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse kreu i BDI-së nuk ka marrë pjesë në takimin Zaev-Mickovski.

“Ne mbështesim Ligjin, mbështesim të gjitha reformat në gjyqësi. Përderisa kanë akoma dallime mes veti dy parti politike, si LSDM dhe VMRO, ne nuk mund të jemi pjesë e atij debati. Në momentin kur gjërat do t’i afrojnë, në aktin final, sigurisht që ne do të jemi pjesë e përmbylljes së tërë çështjes”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Që nga 29 gushti, grupet punuese në kuadër të Kuvendit Republikan arritën të harmonizojnë qëndrimet për 10 nga gjithsej 51 amendamente.

Zgjidhje nuk u arrit as në takimin e përbashkët me pjesëmarrjen e krerëve të dy partive respektive, madje dallimet agravuan.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 12, 2019 19:00

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...