Biznese me 1 të punësuar

Desk
By Desk 4 Prill, 2019 19:30

Biznese me 1 të punësuar

Në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2018 janë hapur 896 kompani të reja në raport me vitin 2017. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, vitin e kaluar kanë punuar 72.315 biznese që është për 1.3 për qind në raport me 71.419 biznese që kanë vepruar në shtet në vitin 2017. Një rritje e tillë i detyrohet kryesisht rritjes së numrit të subjekteve afariste aktive në sektorin e informacionit dhe komunikacionit, ku janë hapur 167 firma, veprimtarive të tjera shërbyese me 377 kompani dhe tek furnizimi me energji, klimatizim dhe të ngjashme me 14 firma.

Në ndërkohë, të dhënat për strukturën e objekteve afariste tregojnë se në vitin 2018, me afër 32 për qind apo 22.950 kompani në totalin e bizneseve dominon tregtia me pakicë dhe shumicë, e pasuar nga industria e përpunimit me 11 për qind apo 8033 firma. Në vendin e tretë, sipas numrit të bizneseve me 7261 firma është veprimtaria shkencore, teknike dhe profesionale. Nga sektorët e tjerë të rëndësishëm të një ekonomie nacionale dallohen edhe transporti me 5667 firma, ndërtimtaria me 4938 firma, firmat e hotelerisë ku përfshihen edhe restorantet e llojeve të ndryshme me 4597 firma, etj.

Njëherësh të dhënat për strukturën e subjekteve afariste tregojnë se sipas numrit të të punësuarve në ekonominë tonë dominojnë me 79 për qind firmat me 1 deri 9 të punësuar, pasojnë firmat me 11.4 për qind firmat pa të punësuar, ndërsa firmat me 10 deri 19 të punësuar marrin pjesë me 4.3 për qind. Më pak në numër janë firmat që punësojnë më shumë punëtorë. Bizneset që punësojnë 20 deri 49 të punësuar janë 2.9 për qind, pasojnë firmat me 50 deri 249 të punësuar me 1.9 për qind dhe në fund me vetëm 0.3 për qind janë kompanitë e mëdha me më shumë se 250 të punësuar.

Në ndërkohë, ekonomistët vlerësojnë se në Maqedoni nuk mungojnë shpirti sipërmarrës dhe projektet e ndryshme inovative, por mungon një mbështetje edhe më e madhe dhe gjithëpërfshirëse se ajo ekzistuese e orientuar ndaj prodhimit, ideve të reja, eksportit të shërbimeve të ndryshme. Vlerësohet se plani i ri qeveritar për përkrahje të inovacionit dhe sipërmarrjes paraqet një ndihmesë për zhvillimin e biznesit,megjithatë për efekte më të mëdha ekspertët sugjerojnë një fokus më të madh ndaj zhvillimit të kapitalit njerëzor. “Sipërmarrësia tek ne shënon rritje të vazhdueshme, por megjithatë akoma nuk është e zhvilluar mjaftueshëm. Ajo kërkon më shumë mbështetje, ndihmë nga ana e mentorëve profesional etj si dhe promovim para opinionit dhe të rinjve, me qëllim që të rinjtë më shumë ti orientojmë ndaj punës dhe hapjes së bizneseve vetanake në vend të fokusohen të punojnë në institucionet shtetërore apo në fabrikat e mëdha”, thonë konsulentët e biznesit.

Në ndërkohë, frika nga ndërmarrja e rrezikut dhe mungesa e financave vlerësohen se jenë shkaqet kryesore që të rinjtë në Maqedoni më rëndë vendosin të hapin biznesin e tyre. Dobësitë dhe rreziqet kryesore të sipërmarrjes rinore janë hendeku i madh midis sektorit të biznesit dhe atij të arsimit, sistemi gjyqësor joefikas, qasja e dobët ndaj financave, apatia e përgjithshme te të rinjtë për gjendjen në shtet, ikja e të rinjve në tregun e punës jashtë shtetit, mosbesimi ndaj sistemit, korrupsioni dhe administrata akoma e ngadalshme. Sipas hulumtimit, “Sfidat dhe nevojat e sipërmarrësve të rinj në Maqedoni”, të përgatitur nga Rrjeti për përkrahje e sipërmarrësve të rinj, në shtet nuk mungojnë masa pozitive dhe reforma për përkrahjen e sipërmarrjes dhe zhvillimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por megjithatë ato janë të pamjaftueshme dhe nevojitet të ndërmerren edhe më shumë hapa të tjera në shtytjen më të madhe të rinjve që të merren me sipërmarrësi. (koha.mk)

Desk
By Desk 4 Prill, 2019 19:30