Bizneset ankohen për likuiditet

Desk
By Desk May 7, 2020 19:40

Bizneset ankohen për likuiditet

Nga Oda Ekonomike thonë se masat qeveritare, edhe përkundër vullnetit të mirë, janë të komplikuara dhe vështirë arrijnë deri tek pjesa më e madhe e bizneseve.

Telashet e biznesit pritet vetëm të thellohen në periudhën e ardhshme. Krahas uljes së vëllimit të punës, kërkesës, qarkullimit, apo edhe mbylljes së një pjese të tyre, pritet që pas mesit të muajit maj , të rritet problemi i likuiditetit. Konsumi tashmë është përqendruar vetëm në produktet bazë. Kjo është reflektuar edhe në të ardhurat e tatimeve, duke ulur me 20 për qind grumbullimin e të ardhurave të shtetit në muajin prill. Numri një i Odës ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, thekson se informacionet nga tereni flasin se çështja e likuditetit ku kontribuues mund të jetë edhe qeveria, do të jetë nga problemet më të mëdha për bizneset pas 15 majit.

“Nga qeveria presim që në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë të tregojë se me sa mjete, në cilat afate dhe cilat veprimtari do të përkrahen bizneset. Gjithashtu, ne jemi të gatshëm që pas përfundimit të krizës të participojmë në kthimin e mjeteve në arkën e shtetit”, thekson Azeski. Sipas tij, biznesi ka nevojë për ndihmë urgjente financiare pa administratë të tepërt, që do të jetë e orientuar ndaj veprimtarive ekonomike që do të mund të rinstartojnë ekonominë pas përfundimit të krizës shëndetësore. Nga ana tjetër, nga Oda ekonomike thonë se ekonomia vendore veçmë dy muaj po funksionon në kuhste të rënda duke u bazuar në rezervat e saj. Njëherazi shtohet se masat qeveritare edhe përkundër vullnetit më të mirë të mundshëm janë të komplikuara dhe vështirë arrijnë deri tek pjesa më e madhe e anëtareve të odës ekonomike. Në ndërkohë edhe përfaqësues të tjerë të biznesit thonë se shteti duhet të rrisë ndihmën financiare për kompanitë me qëllim që ato të mbijetojnë dhe tejkalojnë problemet e shkaktuara në ekonomi nga pandemia.

“Shuma që deri tani po ndahen për të ndihmuar biznesin është mjaft e vogël në raport me nevojat për shkak se 14 milion euro që janë paralajmëruar vështirë se mund të ndihmojnë. Njëherazi shteti nevojitet të ndihmojë sidomos pjesën dërmuese të ekonomisë që e përbëjnë kompanitë e vogla që të përshtaten ndaj rrethanave të reja të punës ku bëjnë pjesë edhe masa shtesë për mbrojtjen e shëndetit apo të bëjnë rindërtimin e punës së tyre”, thotë kryetari i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Mile Boshkov. Në ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës Zhvillimore, deri më 28 prill, në tre grupet e ndryshme së bashku janë miratuar 631 kredi pa kamatë, në vlerë prej 4.7 milionë euro për kompani me 5588 punëtorë. Kreditë kryesisht janë miratuar për bizneset e transportit, hotelerisë dhe turizmit si agjenci turistike dhe turoperatorë. Kreditë ofrohen për periudhë të kthimit me 12 dhe 24 muaj, ndërsa grejs periudha është 6 dhe 12 muaj. Shuma e kredive lëviz prej 3000 deri më 90.000 euro.

Nga Banka Zhvillimore thonë se vetëm fillimisht janë planifikuar 5.8 milionë euro dhe 8 milionë euro, kredi pa kamat për biznesin. Mirëpo nga atje shtojnë se në fazat e ardhshme do të mundësohen edhe kredi të tjera të volitshme për biznesin. Nga atje thonë se po punohet edhe në shfrytëzimin e mjeteve në vlerë prej 50 milionë euro kredi të volitshme nga ana e Bankës Evropiane Investuese të dedikuara për kompanitë e vogla dhe të mesme që të kapërcejnë problemin e likuiditetit, përderisa po zgjat kriza. Bizneset do të ndihmohen edhe me subvencionimin nga ana e shtetit në pjesën e kamatës për këtë linjë kreditore. Andaj edhe bankat komerciale përmes të cilëve do të shpërndahen këto kredi, do të mund të ofrojnë shkallë të volitshme të kamatave për biznesin. Pritet që kredi për të ndihmuar biznesin vendor me kushte të volitshme të ofrohen edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare financiare. (koha.mk)

Desk
By Desk May 7, 2020 19:40