Bizneset ende udhëhiqen nga burrat

Desk
By Desk March 4, 2020 19:19

Bizneset ende udhëhiqen nga burrat

Pjesëmarrja e grave në pozitat menaxheriale paraqet një temë të dhimbshme jo vetëm për shoqërinë tonë, por edhe në tërë botën.

Gratë në pozita udhëheqëse apo menaxhere në kompanitë private në Maqedoninë e Veriut numërohen në gishta. Këtë e konfirmon edhe analiza e fundit për gratë në pozita udhëheqëse e përgatitur nga Shoqata e grave menaxhere “Elit”. Sipas udhëheqësit të projektit, profesorit Lubisha Nikollovski, anketa ku janë përfshirë 645 kompani në 16 qytete në vend përfshi edhe Tetovën dhe Gostivarin, në të gjitha tetë rajonet në shtet që punësojnë 15.447 punëtorë dhe kanë përafërsisht nga 50 për qind të punësuar femra dhe meshkuj, ka treguar se ato udhëhiqen vetëm nga 4.18 për qind e grave. “Me një shifër të tillë të përfaqësimit të grave në pozitat udhëheqëse nuk mund të jemi të kënaqur, andaj shteti nevojitet të mendojë që edhe në mënyrë ligjore të zgjidhë përfaqësimin e grave në pozitat më të larta udhëheqëse ngjashëm me përvojat e 13 shteteve evropiane”, thekson Nikollovski. Sipas tij, përmirësimi i kësaj dobësie duhet të mbështetet edhe me trajnimet për lidershipin e grave, sistemin e mentorit, si dhe me promovimin e masave të ndryshme sistemore. Në ndërkohë kryetarja e Shoqatës së menexhereve të Maqedonisë, Lençe Ugrinovska, thotë se pjesëmarrja e grave në pozitat menaxheriale paraqet një temë të dhimbshme jo vetëm për shoqërinë tonë, por edhe në tërë botën.

“Gratë edhe tek ne nevojitet të kenë një pjesëmarrje më të madhe në udhëheqjen e biznesit për shkak se është dëshmuar se menaxhimi i tyre sjell drejtësi më të madhe sociale, rrit konkurrencën si dhe kompanitë private kujdesen më shumë për shoqërinë”, shton më tej Ugrinovska.

Sipas saj një shembull pozitiv i përfaqësimit të grave në menaxhment është sistemi bankar ku gratë dukshëm janë të përfaqësuara në pozitat udhëheqëse apo si drejtore.

Analiza më tej tregon se në këshillat drejtues dhe mbikëqyrës, pjesëmarrja e grave është 28 dhe 29 për qind që si shifër i afrohet mesatares së Bashkimit Evropian. Mirëpo edhe në BE, dallohen shtetet skandinave që kanë edhe 50 për qind të pjesëmarrjes së grave në organet që kontrollojnë dhe mbikëqyrin punën e kompanive private.

Në ndërkohë, profesori Nikollovski thekson se në të ardhmen kompanitë private nevojiten të angazhohen më shumë për të përmirësuar edhe strukturën e moshës së grave në pozitat udhëheqëse duke inkuadruar moshën deri në 29 dhe deri në 39 vjeç. “Në strukturën udhëheqëse dominon mosha mbi 40 dhe mbi 50 vjeç, ndërsa nga ana tjetër është dëshmuar se mosha më e re në udhëheqje siguron efikasitet më të madh të punës”, shton më tej Nikollovski. Gjithashtu, edhe tribunat e mbajtura si dhe hulumtimet tregojnë se duhet të rritet përfshirja e grave në proceset e miratimit të vendimeve afariste si në nivel të brendshëm ashtu edhe të jashtëm, si dhe nevojiten të shfrytëzohen edhe përvojat e huaja për tejkalimin e barrierave në procesin e rritjes së pjesëmarrjes së grave në pozitat udhëheqëse dhe drejtuese në kompanitë. Njëherësh nevojitet të theksohet edhe potenciali i tyre në sferën e biznesit, thonë nga Shoqata e grave menaxhere Elit.

Ndryshe, hulumtimi për përfaqësimin gjinor në pozita udhëheqëse, që paraprakisht e realizoi Instituti për studime komunikuese në bashkëpunim me institutin “Izida Vita” nga Sllovenia, tregon se edhe pse 65 për qind e të punësuarve në ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme në Maqedoni vlerësojnë se barazia gjinore në udhëheqje është shumë e rëndësishme, bile 60 për qind kanë thënë se ndërmarrja në të cilën punojnë nuk ka realizuar aktivitete për udhëheqje të barabartë gjinore dhe as që planifikojnë të bëjnë diçka të tillë. (koha.mk)

Desk
By Desk March 4, 2020 19:19