Borde me njerëz të pakualifikuar dhe partiak

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 6, 2020 19:30

Borde me njerëz të pakualifikuar dhe partiak

Të dhënat e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, tregojnë se janë 1.292 anëtarë nëpër bordet udhëheqëse si dhe 386 persona që marrin pjesë në bordet mbikëqyrëse, kurse të ardhurat e tyre lëvizin nga 5.000 denarë deri në 12.000. Të gjitha këto para sigurohen nga buxheti shtetëror me një shumë totale prej dy deri tre milionë euro.

Shteti ynë për çdo vit harxhon dy deri në tre milion euro paga për punën e anëtarëve të bordeve udhëheqëse të kompanive të ndryshme. Këto janë të dhënat e një hulumtimi të kryer nga rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese BIRN. Puna e këtyre bordeve është tepër e kufizuar dhe me një dinamikë të rrallë. Një apo dy herë në muaj mbajnë mbledhje, shqyrtojnë dhe mbikëqyrin ecurinë e kompanive dhe punën e mëtutjeshme dhe në harmoni me këtë bien edhe vendime të caktuara. Drejtorëve iu ngelet vetëm të realizojnë atë çka kanë vendosur bordet.

Anëtarësimi nëpër borde nuk konsiderohet si punësim, por si shtesë, punë me honorare dhe zakonisht atje dërgohen njerëz partiak, dhe më pak profesionist, të cilët shpërblehen për kontribute të caktuara në llogari të partive dhe liderëve politik.

BIRN për të pasur një pasqyrë më të pastër, ka kërkuar të dhëna për shumën e kompensimit për anëtarët e bordeve në kompanitë shtetërore, si dhe në ndërmarrjet publike në nivel qendror. Sipas këtyre të dhënave, udhëheqësit e bordeve paguhen nga 12.000 denarë, si dhe nga 10.000 denar për anëtarët, kurse në disa institucione zëvendësdrejtorët paguhen me nga 11.000 denarë. Përjashtim bënë grupi i aksionarëve shtetërorë, anëtarët e të cilëve janë drejtorë të atyre kompanive me orar të plotë të punës, me rrogë prej 900 euro (Postat e Maqedonisë) deri në 1.100 euro (MEPSO. Është edhe një pjesë e ndërmarrjeve që i paguajnë më pak bordet udhëheqëse dhe mbikëqyrëse, si Agro Beza, Hidrosistemi Lisiçe, si dhe Agjencia e lajmeve MIA, në të cilat honorate mujore lëvizin nga dy deri në nëntë mijë denarë.

Një strukturë të tillë udhëheqëse nuk e kemi vetëm në kompani dhe ndërmarrje. Nga shpalljet për emërime në Gazetën Zyrtare mund të vërehet se bordet udhëheqëse janë pjesë e dhjetëra qendrave për Shëndet Publik, 25 për Shëndet Shtëpiak, 30 qendrave për Punë Sociale, konvikteve për studentët, klinikave universitare si dhe agjencive e fondeve të ndryshme shtetërore. Të dhënat e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, tregojnë se janë 1.292 anëtarë nëpër bordet udhëheqëse si dhe 386 persona që marrin pjesë në bordet mbikëqyrëse, kurse të ardhurat e tyre lëvizin nga 5.000 denarë deri në 12.000. Të gjitha këto para sigurohen nga buxheti shtetëror me një shumë totale prej dy deri tre milionë euro.

Edhe pse kompanitë dhe ndërmarrjet nuk kanë ndonjë rregull të qartë se kush mundë të jetë anëtar i ndonjë bordi dhe cilat kritere duhet t’i plotësojnë, megjithatë ato deklarativisht angazhohen që në bordet udhëheqëse të aplikojnë njerëz kompetent të fushës përkatëse.

Por në realitet, gjendja është krejt ndryshe, sepse ka një mospërputhje në mes të përgatitjes profesionale e arsimor të anëtarëve të bordeve si dhe angazhimeve konkrete që ata i kryejnë nëpër kompani dhe ndërmarrje.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 6, 2020 19:30