Borisov: Jo bllokim, komisionet të gjejnë zgjidhje. Zaev: Bullgaria ka dëshmuar mbështetjen

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka August 1, 2019 20:05

Borisov: Jo bllokim, komisionet të gjejnë zgjidhje. Zaev: Bullgaria ka dëshmuar mbështetjen

Bullgaria nuk do të bllokojë rrugën euroatlantike të RMV-së, pavarësisht nëse deri në tetor, komisionet e përbashkëta për shqyrtim të çështjeve historike nuk gjejnë zgjidhje për figurat historike.

Kështu deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i cili po qëndron në Shkup në dy vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim dhe fqinjësi midis RMV-së dhe Bullgarisë.

Ai tha se Bullgaria nuk ndërhyn në çështjet e Maqedonisë së Veriut ndërsa anëtarësimi i saj në NATO është edhe interes i tyre, teksa shtoi se komisionet kanë detyrë historike që deri në tetor të zgjidhin çështjet.

“Nuk dua as që të mendoj se mund të vijmë deri në atë pikë, pas gjithë përpjekjeve që kemi bërë, të vijmë në situatë që të ngre dorën kundër RMV-së, kjo është e pamundur. Kjo është arsyeja pse unë i ofroj kolegut tim Zaev ndihmë. Çdo ditë duhet të punojnë komisionet me qëllim që të përparojë procesi. Zaev është i vetëdijshëm që kam luftuar me Gjermaninë dhe Francën që të ndihmohet e të mos lejojmë që vendi të bllokohet dhe ne të lejojmë të bllokohet Maqedonia në asnjë mënyrë nuk mendoj, nuk do të lejoj”,- tha kryeministri i Bulgarisë, Bojko Borisov.

Kryeministri Zaev ndërkohë tha se mbështetja e Bullgarisë është dëshmuar në vepër dhe se është në interes edhe të Bullgarisë që RMV të marrë datë për fillimin e negociatave. Ai njoftoi se kanë vendosur t’i inkurajojnë komisionet për të arritur zgjidhje edhe për çështjet tjera historike që vijojnë, siç është figura historike Goce Dellçevit, i cili “mund vetëm t’i bashkojë shtetet”.

“Vendosëm që t’i inkurajojmë të dy komisionet që edhe kjo çështje guximshëm dhe ndershëm të zgjidhet, sepse deri më tani kemi dëshmuar shumë guxim, pavarësisht nga karriera jonë politike, të ndërtojmë miqësi midis dy vendeve, sepse kjo është ardhmëria. Sigurisht se interesi yni është që të marrim datë për fillim të negociatave me BE-në, në interes është edhe të Bullgarisë që RMV të marrë datë. Bullgaria ishte vendi i parë që ratifikoi protokollin për në NATO. Unë besoj se do të vazhdojmë të jemi shembull se si zgjidhen çështjet për shkak të ardhmërisë dhe si dy vende mike bashkëpunojnë”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Kryeministri i Bullgarisë gjatë qëndrimit të tij në Shkup takoi edhe presidentin e vendit, Stevo Pendarovskin. Dy kryeministrat morën pjesë edhe në ceremoninë e vendosjes së luleve në varrin e Goce Dellçevit në Shkup.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka August 1, 2019 20:05