Bota drejt normalitetit, shumë shtete po mendojnë zbutjen e masave

Desk
By Desk April 27, 2020 19:10

Bota drejt normalitetit, shumë shtete po mendojnë zbutjen e masave

Me ardhjen e ditëve të nxehta, respektimi i masave të vendosura nga shtete e ndryshme si mbrojtje nga përhapja e virusit Korona, nuk duket punë e lehtë as për njerëzit e as për policinë.

Edhe përkundër rekomandimeve, koha e mirë me diell bëri që për një moment banorët e Kalifornisë të harrojnë pandeminë dhe masovikisht të vërshojnë plazhet dhe vendet për sport dhe rekreim duke mos respektuar distancën sociale.

Policia u detyrua të mbyllë një resort në ishullin Montenej, pasi ishte e pamundur që në në atë hapësirë të ruhej distanca prej dy metrash për shkak të vizitorëve të shumtë. Ata që dolën thonë se pak diell ju duhet të gjithëve, vecanërisht në kohë pandemie.

“Qytetarët duhet patjetër të dalin jashtë në natyrë.Mendoj se nuk është e mirë që qytetarët të jenë të mbyllur gjatë kohë. Është e nevojshme që të dalim jashtë. Jemi të lumtur që jemi këtu” – tha një qytetarë.

Në SHBA e sidomos në Nju Jork, po diskutohet zbutja e masave pas 15 majit, nëse shifrat vazhdojnë të ulen.

“Parashikojmë se do të regjistrojmë ulje të numrit të prekurve gjatë 14 ditëve të ardhshme, e nëse kjo ndodh, atëherë do të fillojmë të mendojmë dhe bisedojmë për fazën e parë të zbutjes së masave në disa rajone” – deklaroi Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo.

Edhe në Europë po diskutohet për zbutjen e masave por me kujdes të shtuar. Në Gjermani nga e hëna është vendosur detyrimi i mbajtjes së maskës në shumë ambiente publike.

Në rast të shkeljeve vendosen gjoba deri në 150 euro. Për ata pronarë dyqanesh apo qendrash ku vihen re shkelje të detyrimit të mbajtjes maskës mund të vendosen gjoba deri në 5000 euro.

Në Britani, kryeministri i së cilës Boris Xhonson, këtë të hënë u rikthye në zyrë pas kurimit 3 javor nga “Covid 19”, duket se zbutja e masave po merret më me kujdes. Qeveria britanike po shqyrton planin që kushdo që do të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar mund të detyrohet të futet në karantinë për dy javë.

“Është herët të mendohet për zbutjen e masave restriktive pasi që ende egziston rrezik për përhapjen e dytë të virusit Korona. Një përhapje e dytë të virusit do të ishte katastrofale për të gjithë”- është shprehur Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson.

Edhe Italia që ka numrin më të madh të vdekjeve nga Covid 19 në Europë me gjithsej 26,000 viktima, do t’i zbusë masat e izolimit, por autoritetet paralajmëruan se distancimi fizik dhe mbajtja e maskave të fytyrës do të mbeten në fuqi. Edhe Franca, dhe Belgjika kanë paralajmëruar lehtësim të masave. (TVM2)

Desk
By Desk April 27, 2020 19:10