BOTIME, Bedri ISLAMI : “Triada e Kosovës”, elegji për Pranverën e vitit 1981 në Kosovë!

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 12 Mars, 2022 16:29

BOTIME, Bedri ISLAMI : “Triada e Kosovës”, elegji për  Pranverën e vitit 1981 në Kosovë!

“Triada e Kosovës” quhet libri i Bedri Islamit i promovuar sot në Vlorë të Shqipërisë, libër dedikuar demonstratave studentore dhe lëvizjes kombëtare të çlirimit të Kosovës, njofton Flaka

Në veprën e fundit, autori zhvillmet e marsit të vitit 1981 në Kosovë.

“Mbrëmja e 11 marsit 1981 dukej se do të ishte e zakonshme, në shumëllojshmërinë e të tjerave që largohen pa lënë shenjën e tyre. Çuditërisht, një mbrëmje e butë, me errësirën që ka rënë në qytetin studentor të Prishtinës, ku vetëm një sy i stërvitur mund të vinte re se kishte një lëvizje më të dendur se zakonisht dhe se në dyert e godinave të fjetjes dhe pranë mensave, kishte më tepër studentë se në mbrëmjet e tjera të marsit”, citat i autorit.

Fragmente nga libri:

Shqipëria dhe Pranvera e vitit 1981 në Kosovë

Fillesa

Mbrëmja e 11 marsit 1981 dukej se do të ishte e zakonshme, në shumëllojshmërinë e të tjerave që largohen pa lënë shenjën e tyre.

Çuditërisht, një mbrëmje e butë, me errësirën që ka rënë në qytetin studentor të Prishtinës, ku, vetëm një sy i stërvitur mund të vinte re se kishte një lëvizje më të dendur se zakonisht dhe se në dyert e godinave të fjetjes dhe pranë mencave, kishte më tepër studentë se në mbrëmjet e tjera të marsit.

Thellimi i marsit duket se po ikte.

– Idet e marsit po ikin,- tha një student i filozofisë.

Befas, kur dukej se iku edhe një natë, gjithçka ndryshoi. U dëgjuan zëra të zhurmshëm, pastaj përplasje dyersh dhe ndonjë krismë të rrallëqë ngjante si thyerje pjatash dhe, ashtu si fryen befas një erë e furishme stuhie, njerëzit dolën në sheshe dhe filluan të flasin me zë të lartë. Fillimisht nuk kuptohej se çfarë po ndodhte. Gjithçka dukej si një lëvizje amorfe, e lindur befasisht, dhe, si të gjithë gjërat e befta, edhe ajo ishte e rrëmujshme. Por, ndërsa zërat ngriheshin gjithnjë e më tepër, gjërat po organizoheshin përherë e më mirë.

Dritat në konviktet përreth po ndizeshin përherë e më shumë dhe u duk se u krijua një qiell tjetër, që edhe kishte lidhje me qiellin e ndriçuar, por edhe paralajmëronte se tashmë bëhej fjalë për diçka më të madhe nga ajo që po ndodhte.

Sheshi po mbushej dhe, kur hapësira nuk i zinte të gjithë ato që po mblidheshin jashtë, atëherë studentët iu drejtuan rrugëve të Prishtinës. Pra, kur u bënë shumë, kur sheshet e korpusit studentor nuk ishin të mjaftueshme, ata dolën në rrugë.

Triada e Kosovës, botim. Autor: Bedri Islami

Deri atë moment, ata ishin studentë që protestonin, por, kur dolën jashtë hapësirës universitare, ata morën përsipër shumë më tepër. Nisën rrugën drejt kryengritjes, ndonëse nuk ishin ende kryengritës.Të tillë ata do të bëheshin disa ditë më pas, më 1 dhe 2 prill, duke pasur si mesore 26 marsin.

Katër ditët që do të ndryshonin përjetësisht fatin e Kosovës. E bashkë me të, do të sillnin ndryshime të mëdha në shtetin amë – Shqipërinë.

Gjithçka që kishte ndodhur deri atë dite kishte qenë parapërgatitje. Ajo që do të ndodhte pas saj do të ishte lufta.

Nëse nuk do të kishte qenë viti 1981, Kosovës do i kishte munguar dhe tetori e nëntori i vitit 1989. E, nëse nuk do të kishte qenë ky i fundit, vështirë se do të vinte pranvera e marsit 1998.

Ka një lidhje të hershme mes tyre. Ajo që ndodhi në vitin 1981 solli përgatitjen për luftën e ardhshme. Në mars 1981,studentët dhe njerëzit e zakonshëm veshën uniformat e luftëtarëve, por luftëtarë nuk u bënë. Ishte momenti kur e dinin se me cilët do të ndesheshin, por nuk e dinin ende se si. Sublimja ishte mbjellur, por nuk ishte rritur. E rëndësishme që nuk humbi një brez luftëtarësh.

Shpeshherë, guximi ka bërë punë më të mëdha se sa vetë lufta e nisur para kohe. Guximi për të mbajtur brenda vetes çastin e duhur është më sublim se disa armë në çastin e gabuar.

Viti 1981 ishte çasti i duhur për të nisur një rrugëtim të gjatë, thuajse 20 vjeçar, dhe shumë nga ata, që e filluan, ishin edhe në përfundimin e saj. Të bësh luftë 20 vjeçare nuk do të thotë të jesh vetëm trim, por edhe i mënçur e i duruar.

Njëri prej tyre, Adem Jashari, në vitet e mëpasme, do të tregonte me pak fjalë gjithë filozofinë e kësaj lufte, që gjithkënd tjetër,veç idealistëve,do të kishte rraskapitur:

Ne mund të bëjmë edhe një aksion në javë, por nuk jemi kaçakë të panjohur. Dikush duhet t’i marrë përsipër aksionet tona. Duhet një strukturë drejtuese dhe koha është tani. Lufta e kaçakëve është e bukur, por shterr shpejt. Ajo fillon me rrëzue një qeveri dhe vazhdon me sulmue depo drithrash apo ndonjë milic.

Kryengritja do të jetë e pranishme në tre këndet e një lëvizje që shumë herë nuk ka pika të tjera të përbashkta takimi,  dhe , herë të tjera, do të duket se janë në të njëjtën linjë.

Këndi i parë i saj është qendra studentore e Universitetit të Prishtinës.

Çfarë po ndodh aty?

Çfarë po ndodh jashtë saj?

A kanë lidhje ngjarjet brenda këtij korpusi me gjithë zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë?

Është kauza e drejtë ajo që shenjtëron deri edhe luftën!

Friedrich Nietzsche

Pyetja e parë që është bërë gjithnjë është: përse pikërisht viti 1981 dhe pranvera e tij? A nuk kishte një kohë tjetër, ta zëmë viti 1968, kur në Kosovë kishin shpërthyer protesta të përgjithshme, të cilat sollën edhe Statusin e Automisë së Kosovës? A nukmund të kërkohej, që në atë vit, ajo që po kërkohej në vitin 1981: Kosova – Republikë?

Përgjigjja më e saktë e kësaj pyetje është dhënë nga politologu më i shquar i Kosovës, Ukshin Hoti.

Ukshin Hoti e quante vitin 1981 ‘nyje, zgjidhja së cilës e mundësonte lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve. Ai shpjegon:

Kritika të tjera, subjekte të tjera të ndrydhura e të pandrydhura, natyrisht do të pyesin me të drejtë- përse pikërisht viti 1981? Përse jo ndonjë vit tjetër, p.sh. viti 1968, apo edhe ndonjë vit i mëhershëm, të mos ishte nyja pa zbërthimin e së cilës nuk do të ecej përpara? Dhe, përgjigjja mund të duket arrogante, por në esencë e saktë: sepse vitet e tjera nuk e ndryshuan historinë. Të gjitha vitet i ndihmuan zhvillimit të historisë. Do të thoshim se vitet e tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit, por kërcimin kualitativ, vetë shndërrimin e kuantitetit në kualitet, e bëri vetëm viti 1981. Jo se ishte një vit mrekullibërës, por, sepse pikërisht në atë vit ishin pjekur të gjitha kushtet, ishin akumuluar të gjitha proceset, ishin arritur të gjitha nivelet për shndërrimin e kuantitetit në kualitet dhe rastësisht i ndrydhi subjektet, që nuk deshën të pajtoheshin me ndrydhjen. Po të ishin pajtuar me ndrydhjen, viti 1981 do të kalonte njësoj sikurse edhe vitet e tjera.

Edhe kundërgoditja e pushtetit do të ishte më e ashpër se asnjëherë tjetër, natyrisht jo sa ajo e vitit 1948. Në periudhën 1944 – 1947, në Kosovë, do të vriteshin 39 mijë shqiptarë, duke nisur që nga figura, do të thoja, mitike, të qendresës, si Shaban Polluzha, Mulla Idrizi, e deri tek hartuesit e drejtuesit e Konferencës së Bujanit, ku ishte sanksionuar dëshira e shqiptarëve të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë, si Xheladin Hana dhe Ymer Berisha.

Pas vitit 1981 do të ketë goditje masive. Gjer në vitin 1989, kishin përjetuar kontaktin e afërt të llojit “policor”, dmth ishin keqtrajtuar nga policia rreth 584.373 veta, përafërsisht njënë katër shqiptar.

Shumë nga ish të burgosurit politikë të atyre viteve unë i kam njohur nga afër. Jam habitur nga dëshira e tyre, do të thoja etja, për çdo lloj diturie, sidomos për shoqërinë, filozofinë, politikën, artete historinë. Shpeshherë, më është dukur se miqësia e tyre kishte një lloj misteri që unënuk e shpjegoja dot. Habitesha, në fillim,se përse në burgjet serbe, ku ata kishin gatitur miqësinë e tyre, u lejoheshin libra në gjuhën shqipe, por kurrë lapsa. Pra, mund të lexonin, por jo të mbanin shënime. Si rrjedhojë, shumë prej tyre ishin të aftë, edhe pas shumë viteve, të recitonin vargje të shumta të Mjedës, Migjenit apo Fishtës; zelli i tyre kishte qenë i pafund, ashtu si edhe aspirata për të bërë pjesën e tyre të historisë.

Duke qëndruar gjatë me ta, teksa me jo pak syresh u bëmë miq të afërt dhe bashkëpunëtorë, mësova se shumë prej tyre kishin qenë studentë, të diplomuar apo që i kishin ndërprerë studimet pasi i kishin burgosur. Jo pak vinin nga zonat rurale të Kosovës. Kishte mes tyre edhe punëtorë të të gjithafushave, por njëjtë, njerëz të ditur, dhe, thuajse të gjithë kishin kaluar në seanca të gjata torturash të rënda.

Nuk e kuptoja, ose më saktë, nuk doja ta kuptoja, se si pyetjeve që kishin bërë këta njerëz në sallat e gjyqeve të zgjatura, sidomos pyetjes, “përse Kosova nuk mund të jetë republikë brenda kuadrit të federatës”, jo vetëm që nuk u ishte dhënë kurrëpërgjigje, por për këtë ishin quajtur irredentistë, si shumica e tyre, në të vërtetë, ishin, kundërrevolucionarë, e armiq të bashkim – vllaznimit. Por askush nuk kishtehedhur dritë mbi paqartësinë e tyre: përse nuk e kishin pasur këtë tëdrejtë?

Përgjigjen, së pari, ata e kishin kërkuar nga autoritetet shqiptare në Kosovë – nuk kishte marrënjë prej përgjigjeve që prisnin. Pastaj e kishin kërkuar nga gjykatat që i dënonin – as aty nuk kishin marrë gjë tjetër, veç dënimit. E kishin kërkuar nga historianët e Kosovës – por kishin gjetur vetëm belbëzime dhe rrallë shumë rrallë u ishte qetësuar shpirti me të vërtetën. E kishin kërkuar nga shkrimtarët e tyre – mirëpo, as aty, nuk kishin gjetur hapësirën e duhur, përkundrazi, ndonjë si A.P. i kishte bërtitur me të madhe se, nuk i duam librat nga Shqipëria, se janë dogmë. Në fund, e kishin kërkuar nga gardianët, që ishin po ashtu shqiptarë, dhe që i rrihnin egërsisht, ndërsa eprorët serbë qëndronin në karrike duke parë këtë “ndeshje” brenda llojit.

Ukshin Hoti do të ishte e para përgjigje shpresëdhënëse. Ish ministri i jashtëm i Kosovës, qëpasi kishte lënë detyrën, kishte studiuar dhe ishte specializuar në Harvard, kishte vendosur të qëndronte pranë tyre. Këto djem, shpeshherë të quajtur “kundërrevolucionarë”, ai i kishte parë në aksion. Kishte qenë në afërsi të tyre, e ndonjëherë edhe mes tyre dhe milicisë. I qetë, serioz, me pamjen e një njeriu të panatyrshëm, sytë e të cilit shikonin thellë, ndërsa fjalën e kishte elokuente dhe të kuptueshme deri në palcë. Ukshin Hoti kishte soditur fytyrat e “nxira” nga “betejat”, të zbehura nga lodhja dhe të kuqura nga përplasjet. Sytë e përlotur nga gazi, por edhe nga dhembja. Do të ishte ndër të parët, e ndoshta krejt i pari, që nuk i kishte menduar asnjëherë si armiq, të indoktrinuar, apo si kundërrevolucionarë. Kishte fituar përshtypjen e një mllefi të përgjithshëm, të shkaktuar jo vetëm nga momenti aktual, por edhe nga tërë historia.

Nuk e kam takuar asnjëherë Ukshin Hotin, por miqtë e tij ishin dhe janë edhe miqtë e mi. Si të thuash, e kam njohur përmes shikimit të miqve të tij, sidomos të Bislim Elshanit, kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Kosovës”, që kishte qenë bashkëpunëtori i tij i afërt. Jam në një mendje me të që thoshte se, në vitin 1981, u vetlind Kosova. Në shtëpi kam ende një foto të tij, në formatin e atyre të një pasaporte, ku ka shkruzar me dorën e tij gjeneralitetet, dhe të cilën ia kishte dhënë Fehmi Lladrovcit për përgatitjen e një pasaporte. Sepse, veç të tjerave, Ukshin Hotit i ishte ndaluar edhe e drejta e lëvizjes. Njëjtë, si miqtë e tij, të burgosur, të cilët, edhe kur i kishin kërkuar t’i ndërpriste përpjekjet nuk e kishte bërë. Do të jetë i burgosur me to, gjatë, shumë gjatë, dhe, vetë zhdukja e Ukshin Hotit, kur lufta po përfundonte, ishte sinjali i parë se paqja do të ishte e vështirë dhe se do të rëndohej nga mungesa e tij.

Në mbrëmjen e 11 marsit 1981, nga qendra studentore në Prishtinë, një masë e madhe njerëzish, shumica studentë, ishin nisur drejt qendrës së kryeqytetit. Rrugës iu ishin bashkuar të tjerë, të cilët, edhe pse e dinin se kjo lëvizje do të kishte pasojat e saj, përsëri e kishin parë më të arsyeshme të ndodheshin aty. Një eskortë e madhe policësh u ishte vënë prapa, disi të habitur nga kjo që po ndodhte, por edhe të heshtur, pasi ende shumica e tyre ishin të kombësisë shqiptare dhe e kuptonin krejt mirë se çfarë kërkonte ajo masë njerëzore, që po lëvizte drejt qendrës.Askush nuk e dinte se disa qindra metra më tej, një masë tjetër e madhe, por kësaj here milicë, shumica e tyre të kombësive të tjera jugosllave, po priste. Aty ku rruga fillon e zbret dhe ngushtohet për një çast, do të ndesheshin me autoblindat e para dhe me policë të armatosur. Ndeshja mund të ishte e çdo kohe, një mur i armatosur ishte ngritur para tyre, milicët kishin vendosur maskat kundërgaz, armët ishin të hequra nga supet, e megjithatë asnjë nga studentët nuk po tregohej i dhunshëm. Ishte një ndeshje në fillimin e errësirës mes dy skajeve të një litari, që, ndërsa vërvitej në këmbët e një populli, në fakt ishte përgatitur për t’i zënë frymën përfundimisht atij.

Gjithçka rreth tyreishte e frikshme, por ata nuk kishin frikë!

Shumë vite më vonë, kësaj here në një fshat të shtrirë në kodrinat rreth Kërçovës, në Zajas, pikërisht asaj dite kur po hidheshin themelet e një banese të re, të Ali Ahmetit, dhe data ishte 20 prill, ditë që jo rastësisht përkonte me ditëlindjen time, do të flisnim gjatë me tëpër shumë gjëra, e mes të tjerave, edhe për vitin 1981.

Ali Ahmetin unë e kam njohur fillimisht me emrin “Abaz”, pastaj si “Abaz Gjuka”, e më tej me emrin Ali Ahmeti. Ka qenë e natyrshme për kohën. Në ndenjat e gjata, sidomos pasi të dy u zgjodhëm në udhëheqjen e Lëvizjes, aq sa kemi folur për luftën, aq, e ndoshta më tepër, flisnim për librat, filozofinëe historinë.

Ne ishim dy miq, të cilët kishim kaluar shumë vite në të njëjtën rrugë dhe, si i thonë, kishim ngrënë shumë bukë bashkë. Ali Ahmeti është përgjithësisht njeri i qetë, i pabujë, për të cilin kam shkruar se, “gjithë jetën kërkoi luftën, dhe, kur e gjeti atë, zgjodhi paqen”.

Nuk e kisha menduar se atë bisedë, të cilën e regjistrova për një libër tjetër, do e risillja. Viti 1981 shënon fillesat e përfshirjes së tij në Lëvizjen Kombëtare, që më pas u quajt Lëvizja Popullore e Kosovës, e ku u përfshimë të dy.

Duhet kuptuar se kjo është njëbisedë mes dy miqve. Po shkëpus vetëm një pjesë të saj, e cila lidhet pikërisht me temën e mësipërme.

Unë: – Ka edhe një dukuri tjetër, po ashtu, shumë e veçantë. Mund të jetë një nga tiparet më përdalluese të lëvizjes klandestine çlirimtare: përfshirja në të, jo vetëm e një pjestari të një familje, por e të gjithë saj, të gjithë vëllezërit, motrat, prindërit e të afërmit. Kjo nuk ka të bëjë me idenë e fisit, është shumë larg saj. Më tepër se gjithçka, mund të përmblidhet në fjalët se, shpirti i tokës kalon tek njerëzit. Virtyti i vërtetë është i pavetëdijshëm, dhe ne, mund të them lirisht, jemi një popull që nuk na tremb lartësia, por përkulja. Dhe nëse një njeri i yni përkulet, këtë e kemi ndjerë të gjithë. Çfarë duhet bërë aty ku mbaron shteti? Aty ekziston populli. Kemi kështu disa familje në Kosovë, rreth të cilave populli ka gjetur veten. Me emër, të cilat, dashje pa dashje, janë kthyer në shëmbëlltyrë. Janë të njohura tashmë familje të tilla si Jasharët, Haradinajt, Gërvallët, Lladrovcët, Kiçinët, Krasniqët, Selimët, Kelmendët, Xhemajlët, Lushtakët, Kodralinjtë, Ajetët, e Pajazitët. Të gjitha ngjajnë si dinasti të luftës. Mirëpo, vëllazërohen edhe njerëz që nuk kanë lidhje gjaku, bëhen një familje. Më the se Fehmi Lladrovcin e ke njohur edhe në rrugë familjare…

Abazi (Ali Ahmeti): – Të gjithë ne,bacalok, si veprimtarë, disa jemi gjallë, pjesa më e madhe kanë rënë nëpër fronte, na ka njohur situata e vitit 1981, me shpërthimin e protestave. Ajo edhe na ka bashkuar. Aty janë edhe rrënjët e lidhjeve që u krijuan dhe i qëndruan moteve.

Demonstratat e vitit 1981 janë udhëhequr nga grupe të shumta, nuk kishte një qendër të vetme, që të vepronte në mënyrë të prerë, të centralizuar. Inspirohej nga gazetat, si për shembull “Bashkimi”, “Liria”, “Lajmëtari i Lirisë”, “Zëri i Kosovës”. Nuk na interesonte se kush i nxirrte, për ne, të gjitha kanë qenë njësoj. Gazetat kanë qarkulluar tek të gjithë studentët. Futeshin gazetat në palë të librave deri në Bibliotekën Kombëtare, i shpërndanim në konviktet e studentëve. Periudha e vitit 1981 na lidhinëdisa rrethe.Me njerëz që nuk i kishim njohur më parë u bëmë vëllezër. Vetë koha ishte e tillë. Në këto grupe ka pasur edhe njerëz të UDB-së, që na i kishte infiltruar. UDB-ja e ka ditur se ne po organizohemi, se diçka po lëviz, por ka qenë e pamundur të ndërpritej vullneti i studentëve për Republikën e Kosovës.

Dikush mendon se lëvizjet kanë qenë thjesht spontane. Ka pasë edhe lëvizje spontane, por, më së shumti, kanë qenë të organizuara. Për shembull, miku ynë i përbashkët, Xhevat Zeka ka qenë i pari që në mensë, me arsyen e rreme se kërkohet ushqim më i mirë, ka filluar të protestojë. Ishte ora gjashtë e mbrëmjes e datës 11 mars,fillimisht jemi kapë për ushqime. Është bërë rrëmujë brenda mensës. Për një minutë, gjithçka ishte e përmbysur. Për një moment i gjithë kati i parë dhe i dytë kemi qenë përjashta. Fillimisht protestuam: “Duam kushte, ushqim më të mirë”. Pastaj kemi dalë në rrugët e Prishtinës. Kur kemi mbërritë para shtëpisë së Xhavit Nimanit, që asokohe ka qenë funskionar i lartë, atje kemi filluar të protestojmë, “Duam Shtet”. Kur kemi hyrë në qendër të Prishtinës, zëri është ngritur më e tashmë parulla ishte: “Kosova punon, Beogradi ndërton”. U grumbulluan edhe njerëz të tjerë, jo studentë. Dolën punëtorë e familjarë, masa u bë e madhe dhe filluam me parulla politike, “Të drejtat duam”e “Duam Barazi”.

Marshuam një orë, na shpërndau policia, filluan fjalimet, erdhën profesorët, kërkohej të rrinim urtë. Ne u thoshim se, në Kosovë, ka filluar prej kohe diskriminimi, se nuk ka racizëm vetëm në Afrikën e Jugut, por edhe në Prishtinë. Hipi Pajazit Nushi në tribunë të mbajë fjalim. E gjuajtëm me gurë, sepse nuk e njihnim se kush është. Pajaziti nuk kishte qëllim të keq. E kisha profesor dhe kisha respekt për të. Krejt nata e 11 marsit ishte me debate, me fjalime, por, pasi përfunduam debatet, na shpërndanë me dhunë, duke përdorur gazin lotsjellës. Nuk e dinim se çka ishte, menduam se na vranë të gjithëve.

Prej datës 11 deri më 26 mars kemi mbledhë forcat në vete. Analizuam se çfarë ishte, e u mësuam edhe me gazin lotsjellës. Më 26 u mblodhëm përsëri para konvikteve. Erdhi Azem Vllasi dhe Rektori i Unversitetit të asaj kohe. Azem Vllasi ishte i ashpër, cinik, denigrues. Aty ka dalë kërkesa “Kosova Republikë”. E theksoi për herë të parë haptas Gazmend Zajmi. Rektori Zajmi tha se si kërkesë ishte e mirë, por duhen parë hapat dhe koha. Kështu ai na nxiti që të ishim më të vendosur. Më vonë, kam marrë vesh se çështja e republikës ishte diskutuar mes Gazmendit dhe Ukshin Hotit. Ukshini kishte qenë për shumë vite Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i Kosovës, që i binte si rang ministri të jashtëm të Kosovës. Kur dëgjuam rektorin, atëherë filluam edhe një herë:“Duam Republikë”.  Erdhi duke u shtuar dhe dikush thirri: “Republikë, Kushtetutë- ja me hatër – ja me luftë”.

Po atë ditë, me 26 mars, vinte edhe ‘Stafeta e Titos’. Kështu quhej. Bëmë sikur nuk e dimë. Një grup shokësh shkoi tek stafeta, me e prishë atë. Të gjitha organizimet ato ditë bëheshin legale, gjithkush e dinte se ku do të shkojmë dhe si do të veprojmë. Ishte si valët e detit, nuk mund t’i ndalje. Na gjuajtën me gaz lotsjellës. Një pjesë na mbyllën në konvikte. Jemi nisë për të dalë në qytet, me i ardhë në ndihmë atyre që ishin caktuar me prishë ‘stafetën e Titos’. Një pjesë kemi mbetë në konvikte, na kanë rrethuar. Ne protestonim. Atëherë policia u fut brenda dhe na kanë futë dajak edhe brenda në konvikte. Erdhi sekretari i punëve të brendshme, Mehmet Maliqi, baba i Shkelzen Maliqit. Filloi edhe ai: “Ju jeni djem të rinj, ju kanë rrejtë, jeni të mashtruar”. Na u dha hapësira për me 1 prill e 2 prill. Jemi burgosë një grup shokësh, organizatorë, të tjerët kanë vazhduar.

Kjo është periudha që na ka njohur me të gjitha trevat. Deri atëherë kishte një farë ndarjeje, ishim më shumë lokalë. Mirëpo, pas demonstratave, nuk kishte më, ‘unë jam i kësaj ane e ti je i anës tjetër’.

Në këtë kohë jam njohur edhe me Fehmiun, si rezultat i demonstratave të vitit 1981.Dhe kemi filluar edhe lidhjet familjare. Që nga viti 1982, bacalok, nuk jemi ndarë më. Mund të kalonte një kohë që nuk takoheshim, por lidhjet i mbanim; lidhjet me njëri tjetrin vazhdonin. Unë e dija vendin tim në shtëpinë e Lladrocve. Ishte shtëpia ime, prindërit e tij ishin edhe të mitë. Për herë të fundit kam folur me të dy ditë para se të vritej. Ishte në malet e Çiçavicës, ndërsa unë isha në Zvicër. Të nesërmen e bisedës kam udhëtuar për në Tiranë, ku kam mësuar lajmin e vrasjes së tij dhe të Xhevës. Pastaj, ti e di, të mora në telefon dhe të tregova.

Unë: – Ngjarjet e vitit 1981, në një mënyrë ose në një tjtër, janë gurthemeli i shumëçkaje që do të vijë më vonë në historinë e Kosovës. Veç një gjë nuk ka se si të mos bëjë përshtypje: duke qenë njerëz të fillimit të ri, përgjithësisht studentë, në secilin nga këto idealistë, lind bota; çështjet deri atëherë kanë formë të ngurtësuar, befas ata fillojnë të ziejnë në gjakun e tyre dhe nisin përjetimet, që disa herë janë përvëluese; ata, përgjithësisht, nuk i njohin rrugët e sheshta dhe të shtruara, në çdo rast ata çajnë përmes dhimbjes drejt pakufisë. Gjithësecili, i marrë veçmas, ndien njëlloj, se duhet të jetë ndërtues i një vlere të re e të papërshkueshme. Është një brez kurajoz dhe kurioz në të njëjtën kohë, të gjithë së bashku janë të gatshëm të jenë martirë dhe profetë njëkohësisht. Që këndej lindin miqësi të mëdha, të cilat i rezistojnë kohës, edhe kur ajo rrjedh furishëm, dhe pambarimisht është e mbushur me enigmën e së ardhmes.

Abaz(Ali Ahmeti):- Lidhjet e mia me Fehmiun në veçanti, edhe me shokët e Drenicës në përgjithësi, nuk kanë qenë asnjëherë kalimtare. Kjo është meritë e vitit 1981. Hapësira e Lëvizjes Kombëtare u shtri në të gjithë trevat dhe nuk mund të arrihej pa besim. Kur ti, bacalok, u zgjodhe kryetar i kësaj Lëvizje, pra i Lëvizjes Popullore të Kosovës, e ke parë se në shumë raste shokët, kur duan të saktësojnë diçka si të palëkundshme thonë, ai është i vitit 1981. Pra, si shenjë prove të dhënë. E gjithë kryesia e Organizatës dhe thuajse të gjithë drejtuesit e lartë të UÇK-së e kanë fillesën në vitin 1981 e në vitin 1989.

Unë: – E Shqipëria? Kur u ngritët në mars 1981, ashtu si ndodhi, e menduat Shqipërinë?

Abazi (Ali Ahmeti):- Sigurisht. Nuk kishte rrugë tjetër. Ne, të jem i sinqertë, lëvozhgën e kishim marksiste, thelbin e kishim nacionalist. Në vitin 1981, shpresën e kishim në shtetin nanë. Deri sa foli Tirana e kishim zemrën e ngrirë. Ka pasur shokë që kishin lidhje më të drejt për drejta. Sidomos shkalla e lartë e organizimit.

Viti 1981 mbetet vit themeltar. Atij nuk mund t’i shmangemi dhe mund të shpëtojmë prej tij, edhe sikur të duam. Nuk mund t’i shmangemi as dritës që hodhi ai dhe as hijeve që janë,po ashtu, të pashmangshme, si ndodh me të gjitha ngjarjet e mëdha. Sepse kur ngjarjet, që janë përherë në lëvizje, na shtrojnë një pyetje, ajo pjesë e historisë hulumtuese, që është e saktë, e patundshme, kërkon edhe përgjigjen e saj.

“Përmbi absoluten revolucionare, është absolutja njerëzore,” shkruan Viktor Hygo, dhe në vitin 1981 njerëzorja kishte fituar mbi antinjerëzoren.

Është, si të thuash, ndeshja e përhershme e vizionit ndaj dhunës, e së mirës ndaj së keqes, e të përhershmes ndaj përkohshmërisë.

Ishte fillesa, por jo përfundimi. Në vitin 1981 të gjithë e ndjenin veten zotër, por ishin gati të bëheshin martirë. Kishte dishepuj të lirisë, por koha kërkonte që të bëheshin prijës. Ishte një ngjarje e madhërishme dhe kryengritje e fisme, por si të gjitha lavditë, në vitet e mëpasme, shkaktoi furi të madhe, zhurmë marramendëse dhe re pluhuri.

Është vit i pa-asgjësueshëm.

Në një intervistë dhënë në burg gazetës “Borba” të datës 24 mars 1989, Adem Demaçi ka thënë:

Kryengritja e vitit 1981, po them kryengritje, sepse ajo njëmend ishte e tillë, ka dëshmuar se Lëvizja jonë funksionon sipas principit të miellit dhe ujit. Veprimet e pamenduara të burokracisë nacionale dhe të policisë shtojnë protestat, aktorët e të cilave burgosen, kështu që të tjerët kërkojnë lirimin e tyre dhe kështu me radhë. Mielli dhe uji kthehen në brumë që rritet, dhe mendojini me mijëra të rinj që kanë kaluar nëpër burgje, se cili është përcaktimi i tyre.

Në vitin 1981 në Kosovë ndodhi një kryengritje që zgjoi gjithçka dhe fundosi mitin e shtetit shumëkombësh jugosllav.

Të gjithë donin të ishin në rradhët e para.

Në Prishtinën zyrtare mendonin se e keqja u kishte ardhur nga Shqipëria. Ose donin të mendonin kështu. Që  kishte pasur një përplasje, kjo është e vërtetë; që secili kishte përdorur armët e veta dhe njerëzit që kishte menduar si të duhurit, edhe kjo ishte e vërtetë.

Më shumë se gjithçka dukej si një përplasje akullnajash, por sa kishte qenë e vërtetë?

ATY KU DIGJEN LIBRAT,NË FUND DIGJEN EDHE NJERËZIT

Heinrich Heine

Pas turbullimit të parë dhe ngurosjes, në Komitetin Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës mbizotëronte mendimi se kishte ngjarë një tentim kundërrevolucioni, që synonte të përmbyste me dhunë rendin shoqëror, se ngjarjet e vitit 1981 kishin qenë të organizuara, të inicuara nga Tirana, ku lëvizja studentore dhe Instituti Albanalogjik ishin qendra e tyre.

Në Lidhjen Komuniste të Serbisë shkohej edhe më tej, duke gjetur një fajtor të dyfishtë: Tiranën zyrtare dhe një pjesë të udhëheqjes kosovare, e cila i kishte vënë bartësit e ngjarjeve të vitit 1981 në postet kryesore të institucioneve arsimore, shkencore e kulturore, çfarë, gjithnjë sipas qëndrimit zyrtar të politikës së lartë serbe, kishte ndikuar në “indokriminimin e rinisë në frymën e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”.

Për Lidhjen Komuniste të Kosovës plaga ishte e llahtarshme. Ajo që kishte ndodhur, për ata, ishte një lemeri e vërtetë. Duhej të fillonte një hetim i gjërë e duheshin gjetur me çdo kusht shkaqet e kryengritjes dhe burimi i tyre në Tranën zyrtare, por, më parë, ishte e domosdoshme të vendosej kordoni i ndëshkimit.

Do të fillojë një kalvar i pafund mbledhjesh, rezolutash, përjashtimesh, ndëshkimesh, dëbimesh, represioni në të gjithë piramidën e institucioneve të shtetit. E pamëshirshme do të ishte goditja ndaj bartësve të mendimit për Republikën e Kosovës, megjithëse këto të rinj të dënuar, të etur për dije, ëndërrimtarë të mëdhenj, lexues të pasionuar, dhe që synonin të bartnin një vizion që ishte shumë i madh për supet e tyre, të lënduar nga heshtja, synues të ngrinin një botë ndryshe, shpeshherë nuk kishin qenë të vetdijshëm për peshën e asaj që kishte ndodhur, pasi e kishin quajtur gjithçka të natyrshme, njerëzore dhe të domosdoshme. Kur ata kishin thirrur se, “Trepça punon, Beogradi pasurohet” ndoshta nuk kishin qenë deri në fund të vetëdijësuar se po shpallnin pabarazinë e ndodhur kundër asaj që kishte trumbetuar pushteti dhe, ndërsa zëri i tyre ende i njomë dukej se nuk do të lëvizte as pragjet e shtëpive, në fakt kishte tundur themelet e një republike fantazmë, krijuar në kabinete, mbajtur me dhunë dhe që do të përfundonte përgjakshëm, aty ku nisi shthurja e saj – në Kosovë.

Është e pabesueshme sa sa përdhunshëm u soll ndaj tyre klasa politike dhe Lidhja Komuniste e Kosovës, një filial i politikës së Lidhjes Komuniste të Serbisë.

Adem Demaçi ka thënë:

Mendoj se kërkesat e kryengritësve paqësorë kanë qenë në pajtim me mundësitë dhe rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të asaj kohe. Që nga Kryengritja paqësore e nëntorit 1968 në Kosovë, Lëvizja Çlirimtare, përsëri, kishte kaluar në ilegalitet. Por nga marsi i madh i 1981-shit, Lëvizja paqësore çlirimtare u ngrit në një shkallë më të lartë, mori rrugët e qyteteve tona. Dhuna e egër e regjimit çetnik, në vend se të gulfonte kryengritjen, i dha zjarr edhe më të madh dhe e bëri që ajo të masivizohej edhe më shumë. As burgosjet, as vrasjet nuk dhanë rezultate. Policia serbe u gjet e pafuqishme para furisë së masave të elektrizuara… Ajo kërkesë shprehte nivelin e vetëdijes dhe nivelin e organizimit tonë në atë kohë dhe rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të asaj kohe. Sikur kryengritja paqësore e 1981-shit të kishte ndodhur më 1974, kur duhej të ndryshohej kushtetuta, kur Kosovën Republikë e patën përkrahur madje edhe Katerina Paternogiç-Cica, Milija Kovaçeviç, Smajo Jusufi e Rezak Shala e derisa ekuilibristi Tito ende ishte gjallë, Kosova do të arrinte të barazohej me republikat tjera të Jugosllavisë. Dhe kjo do të ishte një fitore e rëndësishme në rrugën tonë drejt lirisë së plotë. Por Fadil Hoxha dhe garnitura gjakovare në pushtet nuk e vlerësuan situatën drejt. Kësaj garniture rehatia e gjatë ia kishte thyer tehun e gatishmërisë për sakrificë. Ajo u përcaktua për rehatinë e vet duke menduar se kjo rehati do të zgjaste deri në infinit dhe prandaj flaku tej interesin e përgjithshëm…

Me 4 prill 1981 do të mblidhet me urgjencë Komiteti Krahinor i LKK-së. Është një mbledhje e tensionuar, ndoshta nga më të tensionuarat që nga koha e rankoviçizmit, në një sallë të mbyllur, ku zërat kundër dhunës janë aq të paktë dhe të heshtur, saqë nuk ndjehen fare.

Prej kohe në Kosovë është instaluar një klasë politike që i kishte fillimet e jetës së tyre politike në Shqipëri. Disa nga më të njohurit e tyre, si Fadil Hoxha apo Veli Deva janë të dërguarit e parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë , posaçërisht nga vetë Enver Hoxha, drejt Kosovës, për të organizuar aty, sëbashku me Hajdar Dushin, Xheladin Hanën, Emin Durakun luftën antifashiste nacional çlirimtare. Si të rinj, ata ishin pjesë e një bote vizionare, që, për më tepër, kishte pasur të njëjtën ëndërr si të rinjtë e vitit 1981, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Tani, si drejtues politikë, thuajse 40 vite pas vizionit të tyre të parë, gjithçka ka ndryshuar. Veli Deva, i cili çuditërisht është një ndër folësit kryesorë në varrimin e heroit shqiptar, Qemal Stafa, në maj 1942, thuajse 40 vite më pas miraton vrasjet e burgimet.

Veli Deva, i njëjti si emër,  i ndryshëm në frymë, udhëheqës i lartë i Kosovës në Mbledhjen e 86-të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, e mbajtur më 4 prill 1981, ka thënë: “Pushteti popullor kurrë nuk është rrezikuar më shumë dhe nuk është luhatur nga një aktivitet më i madh armiqësor sesa që ishte ky aktivitet”.

Kurse Kolë Shiroka, koleg i tij, ndërkohë njëri ndër më agresivët kundër demonstruesve, i verbër në gjykimin e tij,ndaj edhe dritëshkurtër në mendim, po në këtë mbledhje pranonte: “Pra, planifikimi ka qenë i gjatë dhe kemi të bëjmë me një organizim dhe organizatë më të organizuar sesa organizata jonë”.

Idetë e përgjithshme janëtë urryera nga idetë e pjesshme; këtu qëndron edhe vetë lufta e përparimit. Vizioni i hapur e çon shpirtin tek idetë e përgjthshme; mendjet e mbyllura pjellin ide shtatanike. Vizioni nuk është i njëjtë kur atë e lind vuajtja, ose kur e pjellin ujrat e ndenjura të mendimit. Është interesante, bartësit e kryengritjes së vitit 1981 kanë si simbol malin, pushtetarët politikë të vitit 1981 kanë si simbol pyllin. Në bartësit, dënimi i të cilëve sapo ka filluar, gjithçka është vizionare. Te pushteti errësira e vetmisë ka mbuluar shpirtin.

Këto njerëz janë thirrur për të dënuar pikërisht atë që kishin ëndërruar kur kishin qenë të rinj. Po dënonin në perëndimin e jetës së tyre, pikërisht atë që kishin pasur ëndërr në agun e rinisë.

Në fakt ishte një përplasje mes dy koncepteve: Krahinë dhe Atdhe. Pushtetarët ishin për Krahinën, kryengritësit për Atdheun. Është lufta e ideve lokale kundër ideve universale; janë zemrat e mëdha kundër mendjeve të ngushta.

Qindra arrestime ndodhin në krejt pak ditë. Askush nuk është më i sigurtë. Mes të arrestuarve të parë është një emër i njohur, Ukshin Hoti. Fillon kalvari i arrestimeve të tij, që, në fakt, simbolizon arrestimin e mendjes së ndritur prej errësirës. Çdo natë thyhen dyer dhe drejt burgjeve tani nuk shkohet më fillikat, por në grupe. Qelitë e tejmbushura, shumica djem e vajza të reja. E megjithatë, garnitura e vjetër kërkon përsëri gjakime të tjera.

Më 13 prill 1981 Xhavit Nimani, në mbledhje të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste,  thoshte edhe këto: “[…] sot kemi biseduar, thanë se nuk kemi më vende në burgje”.

Arrestimet e reja, në fakt ishin vazhdim i intensifikuar i ndjekjeve që i bëheshin në vijimësi Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. Në një nga mbledhjet e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, fill pas demonstratave, Sekretariati i Punëve të Brendshme raportonte:

Ne kemi bërë një analizë nga viti 1974 e deri tash, ku bëhet fjalë për shtatë vjet. Nga kjo shihet qartë se ky shërbim i ka zbuluar nëntë grupe armiqësore…që e kanë pasur organizatën e tyre, i kanë pasur qëllimet e veta, dokumentet e veta dhe kështu me radhë. Ndër ta është një grup me pozicione të Informbyrosë, ky është i ashtuquajturi grupi Lidhja e Re Komuniste e Jugosllavisë. Të gjitha grupet tjera janë nga pozicioni i nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

Ndërkaq Mahmut Bakalli në Mbledhjen e 89-të të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 27 prill 1981, duke folur për armikun e brendshëm, theksonte:

Ai ka vepruar edhe më herët, i ka pasur edhe aksionet e veta, ne e kemi ndjekur…e kemi penguar, respektivisht zbuluar…disa nga degët e tij i kemi zënë dhe i kemi dënuar vazhdimisht në dekadën e kaluar. … [S]e për tërë dhjetë vjet sa qindra syresh i kemi zbuluar dhe me procedurë penale i kemi dërguar në burg me të njëjtën bazë. Por kurrë nuk kemi konstatuar se e kemi shkatërruar armikun dhe që ai nuk vepron. Ai vepron…sikur karikatori i revoles, e heq njërin grup, formohet tjetri.

Pasi kanë kryer punë me të rinjtë, tani të burgosur, pasi kishin zbuluar nëntë organizata, bukur të mëdha dhe 93 grupe kundërrevolucionare, pushteti kthehet në vlerësimin e tij kryesor: bartësit e vitit 1981 janë të indoktrinuar nga Shqipëria dhe tashmë janë krijuar disa vatra që duheshin eleminuar. Në harkun kohor të pak muajve dënohen 1019 “kundërrevolucionarë”. Më shumë se 44 për qind e tyre janë nën moshën 24 vjeçare. Megjithëse nuk jepet kurrëfarë shpjegimi se si mund të jenë indoktrinuar, megjithëse në gjyq të gjithë dënohen si bartës të idesë së republikës së Kosovës dhe nuk ka, veç fare pak, akuza për idenë e bashkimit me Shqipërinë. Shteti në Kosovë, drejtuar nga Beogradi, ka ndezur makinerinë e tij.

Vladimir Bakariç, një veteran dhe zyrtar i lartë jugosllav, edhe ky i befasuar, deklaronte:

Dikush u ka prirë në mënyrë shumë profesionale këtyre demonstratave dhe është vështirë të thuhet se një Kosovë relativisht e prapambetur ka mundur të japë një nivel aq të lartë të organizimit sikurse ka qenë atje. Pra, jo në linjën komuniste, por në linjën antikomuniste.

Një funksionar i lartë serb në Kosovë, Dushan Ristiç lëshon thirrjen se, “kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Thirrje të tilla vijnë edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, ku zërat kundër pavarësisë janë më të furishëm, por kësaj here fshehur pas dogmatizmit.

Fillon në pak ditë djegia e librave në sheshe. Digjet Kadare, Agolli, Arapi, Kuteli, që është si i nëmur për poemthin kosovar, Poradeci është më i përkdhelur, por prap se prap i djegur edhe ai; Fishta është i leçitur dhe përgjithësisht shkrimtarët para vitit 1945 janë rreptësisht të ndaluar. Digjen veprat e Çabejt dhe të Budës, Demirajt dhe Arben Putos. Flakadanë të mëdhenj ndizen në sheshet e Prishtinës.

Një fushatë sulmesh të egra, të denja për Mesjetën, u organizua kundër kulturës, historisë, arsimit dhe inteligjencës shqiptare. Pas vënies së ‘murit të hekurt’ midis Kosovës dhe Shqipërisë, u hoqën nga shkollat e fakultetet tekstet që kishin ardhur nga andej dhe të gjitha të tjerat me përmbajtje kombëtare. Librat shqip digjeshin në grumbull si në inkuizicione mesjetare.

“Atje ku digjen librat, në fund digjen edhe njerëzit,” thoshte Heine.

Befas do të fillonin sulmet e ashpra kundër gjuhës letrare të unisuar shqipe. Jusuf Gërvalla, pa dyshim një ndër figurat më të shquara dhe të realizuara të brezit të vitit 1981, i vrarë më 17 janar 1982, sëbashku me militantin e pazakontë, Kadri Zeka dhe të vëllain, Bardhosh Gërvalla, në një qytezë pranë Shtutgartit, do të vërente që asaj kohe se:“Shtypi jugosllav, veç tjerash ‘merakoset’ edhe për gjuhën tonë të njësuar letrare. Pse- thonë letërnxirësit e gazetave të shumta,- kur u bë unisimi i shqipes, nuk u mor për bazë gegërishtja po toskërishtja! Bile, toskërishtja gjirokastrite- shtojnë ata – e folmja e vendlindjes së Enver Hoxhës”.

Prekja e çështjes së ‘letrarishtes’ shqipe nga shovinistët serbomëdhenj është bërë në kuadër të sulmit frontal, antishqiptar të qeverisë së Beogradit, pas demonstratave të marsit e prillit. Udhëheqja e Beogradit është bërë ‘pikë e helm’, mes tjerash, edhe për një arsye, se“pse u lejua (!) unifikimi i shqipes, përkatësisht pse u lejuan shqiptarët në Jugosllavi të zbatonin gjuhën letrare gjithëshqiptare”.

Gjithçka e ardhur nga Shqipëria duhej shembur. Plaku Tito, një politikan i regjur e dinak, ka vdekur. Si njeri i luftës, ai ishte i shkollës së Çurçullit, të cilit i dërgoi pranë djalin e tij. Ai kishte për qëllim të kombinonte shtypjen nacionale me idenë e progresit; ai nuk donte as një luftë krejt të hapur, e as vrasje krejt të mbyllura. Ai donte një turmë të destinuar që të shtypej dhe këto ishin shqiptarët, por edhe një masë aforme të gatshme për të vrarë, dhe këto ishin serbët. Ai donte të përdorte policin serb, por të vendosur nën kontrollin e oficerit jugosllav. Kur ai vdiq, e gjitha po kthehej në një shoshë. Kosova ishte hapja më e madhe dhe derdhja e idesë së tij të një bashkëjetese, ku vrasësi shpërblehej dhe i vrari dënohej, me kusht që i pari të jetë nga njëra prej 6 republikave jugosllave dhe, tjetri-i vrari- nga një krahinë, si ajo e Kosovës.

Në vitin 1981, ata që ishin pas tij vrapuan të drejtonin gishtin nga shteti shqiptar, duke ditur gjysëm të vërtetat dhe duke e kthyer gjithçka në një luftë të qëndrueshme dhe të përhapur në të gjitha viset.

Vuajtja, i ka edhe ajo disa virtytete.

Kosova është një rebele e vjetër. Sa herë që kishte ngritur krye në shekujt e fundit, e kishte pasur me të drejtë, e nëse deri atëherë të gjitha kryengritjet kishin qenë me fryte të përkohshme, kjo e vitit 1981 kishte pasur në vete farën e vizioneve të ardhshme.

Azem Shkreli, poeti i njohur, që në vitin 1972, pra në mesoren e viteve pas protestave të vitit 1968 dhe kryengritjes së vitit 1981, i tregonte sivëllaut të tij, Kadaresë:

Kur isha i vogël, ngaqë familja ishte e varfër, pasi dilja nga shkolla, im atë më çonte të kullosja një lopë. Shpesh mbetesha vetëm me lopën në ndonjë faqe kodrine të butë. Vështroja përreth: asnjëri. Atëherë mendoja se ishte koha të bëja një gjë të ndaluar, një gjë tepër të dënueshme, diçka që ia kalonte mëkatit.

Ajo gjë e ndaluar, ai mëkat i dënueshëm ishte kthimi i kokës nga ai drejtim ku mendoja se ishin malet e Shqipërisë. Ti habitesh? Të duket me siguri një frikë e tepruar. Dhe në këtë rast ashtu është vërtet: një frikë e tepruar nga fantazia fëminore. Por, në thelb, ajo bazohej në një të vërtetë të madhe. Ishim aq shumë të tmerruar nga ato që kishim dëgjuar, nga vrasjet e fshehta, torturat, spiunët që gëlonin ngado, saqë mjaftonte që edhe kthimi i kokës nga drejtimi i tokës ku duhej të ishte vendi amë, do të përgjohej nga dikush, do të kallëzohej, do të shkaktonte tmerr.

Askush nuk e di me siguri se ku dhe nga kush filloi nata e parë e demonstratave të marsit 1981 në Kosovë, të cilat përmbytën rendin e gjërave.

Në dhjetëra biseda që kam pasur me protogonistë apo pjesëmarrës të natës së parë të protestës, pra në çastin kur po thyhej 11 marsi, gjithëherë kam shënuar diçka të re, e cila, edhe pse nuk ndryshonte shumë nga të tjerat, përsëri kishte diçka që nuk e kisha takuar diku tjetër.

Është një enigmë e përhapur në disa variante dhe, gjithësecili prej tyre ka një fillesë: nuk kishte asnjë lidhje me kërkesat e zakonshme studentore të cilat u dëgjuan natën e parë dhe, po ashtu, si nuk ishin të organizuar nga jashtë, nuk ishin edhe aq spontane sa dukeshin.

Ndoshta, e gjithë kjo, pasi kishte pasur disa qendra njëherësh, të cilat ishin bashkuar më pas dhe, kur gjërat kishin nisur të qetësoheshin, njerëzit e kishin parë se kishte pasur disa burime njëherësh, dhe, si të tilla, edhe disa fillesa.

Dikush kishte përplasur i pari duart mbi tavolinë dhe kishte bërtitur: “Mjaft më! Çfarë është e tepërt, është e tepërt,” dhe, në kohën kur të rinjtë studentë kishin nisur të mbushnin sheshin kryesor në mjediset universitare, kishte parë se edhe përreth kishte nisur e njëjta lëvizje.

Kadare kishte shkruar më pas, disa muaj më pas, se këto të rinj ishin ngritur për republikën e tyre dhe ishin shtypur si në monarki,por shtypja kishte qenë edhe më herët e pranishme, e pushtetshme dhe e dhunshme, si çdo gjë që vendoset përmes armës.

Po Shqipëria?

O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës!

                                                                                    Ukshin Hoti

Në mëngjesin e 5 prillit 1981, në tryezën e punës së Enver Hoxhës, në selinë masive të Komitetit Qendror, sekretari i tij i përhershëm, Haxhi Kroi vendosi dokumentat e ditës, ata që vinin zakonisht nga të gjitha institucionet kryesore dhe, në të majtë, lajmet speciale të Agjensisë Telegrafike Shqiptare, të cilat shkurt quheshin ‘agjancat’.

Këto të fundit përmbanin lajme që nuk ishin për publikun e gjërë. Si një ritual sekret, ata, ndoshta më shumë se gjithçka tjetër, tregonin afërsinë e njerëzve me pushtetin. Nuk ishin të gjitha njëlloj: ata kishin veçantinë e tyre për nivele të ndryshme. Sa më i detajuar të ishte Buletini i Lajmeve të ATSH që merrje, aq më i  besuar do të ishe dhe aq më e lartë ishte pozita jote. Për antarët e Byrosë Politike dhe sekretarët e KQ materiali ishte më i plotë, më i detajuar; aty jepeshin edhe artikuj apo relacione që ishin jo dashamirës ndaj shtetit shqiptar, për të mos thënë, se e denigronin atë apo thjeshtë dëshmonin disa të vërteta, të ditura, por të ndaluara për t’u ditur. Çasti, kur buletini vinte e shkurtohej ishte i njëkohshëm me çastin e rënies tënde. Kur Buletini ndalohej, atëherë kishe rënë, pritej vetëm fundi.

Sekretari përsonal, i heshtur si gjithnjë dhe i përpiktë në gjithçka, kishte shënuar me një ngjyrë të kuqerremtë, të gjitha lajmet e agjencive më të njohura të botës për ngjarjet në Kosovë. Në fakt, ngjyra e vendosur në letër, dukej si vijëz gjaku.

Sapo ishte larguar Sekretari i Komitetit Qendror për Propogandën, që befas, në vitet e fundit, sidomos pas vdekjes së beftë të Hysni Kapos, ishte bërë i përhershëm në zyrën e shefit të madh. I qetë në pamjen e tij, me jakën e bardhë të këmishës vendosur zakonisht mbi jakën e xhaketës dhe folës i kujdesshëm, duke i zgjedhur fjalët me kujdesin e natyrshëm të njeriut që e di se nga fjalët mund të vinte e keqja më e madhe,i cili,jo shumë kohë më parë, kishte kaluar nëpër kalvarin e vitit 1974, kur shefi i qeverisë kishte kërkuar haptas kokën e tij, dhe ai i kishte dhënë ato të dy miqve të vjetër, Paçramit dhe Lubonjës. Ai i kishte thënë sekretarit përsonal të Enver Hoxhës që ditarin e ditës ta linte të hapur, pikërisht aty ku ishin faqet e nënvizuara.

– Çfarë do të bëjmë për Kosovën?,- e kishte pyetur tri netë më parë Enver Hoxha, kur befas, në pragun e mesnatës së dy prillit, e kishte thirrur me urgjencë në vilën e tij.

Ai e kishte ditur përse e kishte thirrur. Nga brenda vilës telefonata lajmëruese ishte bërë nga gruaja e shefit të madh dhe i kishte treguar se çfarë mund të bisedohej.

Megjithatë, Ramiz Alia, që e kishte njohur Kosovën kur kishte qenë atje gjatë luftës, si komisari më i ri i një divizioni partizan, në fillim kishte heshtur. Nuk kishte qenë më në Kosovë. Shumë vite e ndanin atë prej ditëve të luftës e, megjithatë, ajo që kishte ndodhur kishte qenë e beftë, e vrullshme, e pazakontë dhe, si duket, askush tjetër, veç atij që e kishte thirrur, nuk e dinte se cili kishte qenë fillimi i saj. As kryeministri nuk e kishte ditur. Kur e kuptoi se heshtja e gjatë do i kthehej pas dhe se,megjithëse i përkëdhelur, mund të ndeshej në zemërimin e shefit, i tha se duhej përballuar gjithçka përmes institucioneve dhe figurave të shquara.

Tjetri përballë, ulur në karriken e lartë, duke shikuar nga dritaret e mëdha që binin nga rruga kryesore e Bulevardit të Madh, i kishte thënë se kjo nuk ishte e mjaftueshme. Ai ishte i pari që e kishte kapur momentin për të kthyer vemendjen e shtetit ndaj një ngjarje që do e bënte të harronte hallet e brendshme dhe do të rriste mbështetjen.

-Jo,- i tha ai, – nuk do të bëjmë lojë lapanjozësh. Do të dalim hapur. Të tjerët do të vijnë pas nesh. Do ia nisim nga heroikja për të shkuar drejt të drejtës historike. Do të jemi epikë për të na kuptuar. Nuk do të ketë gjysma. Asnjë gjysmë, sado të bashkohet me një tjetër, nuk përbën të tërën. Ne do u japim të tërën, gjithë shtetin, gjithë mekanizmin tonë.

Pastaj ai i ra ziles dhe i tha shkurt sekretarit të tij: “Më thirr kryemnistrin. Të vijë menjëherë!”. Kur Sekretari i Propogandës deshi të largohej, ai i bëri shenjë me dorë të rrinte dhe i drejtoi disa letra të bardha, ku, me gërma të mëdha, ishin shkruar disa teza për një artikull të mundshëm.

-Shikoji njëherë. Unë do të dal me një artikull. Të fillojë nga maja.

Sekretarit i bëri përshytpje titulli,“Përse u përdor dhuna dhe tanket policore në Kosovë?”

Mjaftonte vetëm kjo. Lufta po rindizej. Do të ishte e gjatë, e dhimbshme dhe, si herë të tjera, do të kërkonte kurbanin e saj edhe në Shqipëri.

Cili do të ishte? Ai vetë, megjithëse i lindur në Shkodër, ku familja e tij kishte disa breza, për më tepër në të njëjtën banesë ku dikur kishte lindur edhe Oso Kuka, kishte origjinë boshnjake. Të ishte ai kurbani i së ardhmes? Për më tepër këmba e tij kishte shkelur në Jugosllavi dhe shefi i madh ishte tejet ‘alergjik’ ndaj gjithçkaje që kishte lidhje me atë vend. Që nga viti 1948, pas Plenumit të Tetë, të cilin, më pas, vetë ai e kishte quajtur ‘Plenumi i Zi’, dhe pas revizionimit të tij ishin dënuar disa nga përçuesit e Plenumit, që, ose kishin pasur lidhje të forta me Mugoshën, edhe atë Dushan, ose kishin një fill origjine vllahe, ose ishin treguar më entuziastë se duhet kur kishim qenë gjysëm vllezër me jugosllavët, alergjia e shefit ishte rritur përbindshëm.

Për derisa, veç tij, ishte thirrur edhe shefi i qeverisë, i njohur si mik i afërt i Mugoshës gjatë luftës, të cilit i kshte shkruar një letër pasionante kur Dushani ishte larguar, pasuar nga një e tillë edhe prej gruas së kryeministrit, atëherë kurbani do të ishte njëri prej tyre.

Të tjerë nuk kishte. Gjysma e anëtarve të Byrosë Politike ishin nën tokë, gjysma tjetër ishte përzgjedhur nga vetë ai, duke pritur pikërisht këtë ditë, kur shefi i madh do të zgjidhte kurbanin e rradhës.

Rregulloi jakën e xhaketës dhe qeshi lehtas me vete. Gjithnjë, njeriu që kupton i pari idenë e kurbanit, ka më shumë kohë për të përgatitur kundërgoditjen e tij. Do të priste deri në ditën kur, tjetri që po vinte, pasionant dhe shpërthyes, do të bënte gabimin e tij, dhe ai, ashtu qetësisht, gjithnjë bartës i enigmës, do të përkujdesej që të merrte rrokopujën, nga e cila nuk do të kthehej kurrë më.

Nuk i kishte pëlqyer kurrë të ishte shenjtor, e aq më pak kurban.

Shumë vite më vonë, në shtatorin e vitit 1992, kur e kam takuar për herë të parë dhe të fundit, Ramiz Alinë, në një takim disa orësh, që kishte vetëm një ndërprerje, ardhjen e Frederik Reshpjes, dhe vetë ai ishte në arrest shtëpiak, nuk e di se si ra fjala për ngjarjet e vitit 1981. Unë kisha bërë një shkrim për idenë e Berishës rreth bashkimit kombëtar dhe hyrjes së Shqipërisë në Paktin e Helsinkut, që përjashtonin njëra tjetrën, të paktën në atë kohë, dhe e pyeta nëse qeveria shqiptare e kishte ditur se çfarë do të ndodhte në marsin e vitit 1981.

Përgjigja e tij më është dukur gjithnjë e sinqertë.

– Jo,- tha ai, – për ne, antarët e Byrosë, ishte e befasishme. Askush nga ne nuk e priste që të ndodhte.Në të gjithë Kosovën, -shtoi ai, – sipas burimeve që kishim, ideja e Republikës kishte epërsi, kjo nuk kishte asnjë dyshim. Por cila republikë? Shqipëria ishte më shumë për një shtet të dytë në Ballkan, se sa për bashkimin në një shtet.

– Po Enver Hoxha e dinte se çfarë do të ndodhte?

– Nuk e di, -tha ai. – Por është e mundshme, sepse vetëm ai nuk u befasua. Dukej se e priste. Kur ndodhën lëvizjet e 11 marsit, ai tha të mos ngutemi për të marrë në mbrojtje ndodhitë. Është ende, tha ai, një lëvizje për kushtet e jetesës, të presim deri sa të kthehet në lëvizje politike. Dhe ai priti.

-Prandaj Shqipëria u vonua në përgjigjen e saj?- e pyeta, sepse kjo ishte dëgjuar menjëherë pas janarit të vitit 1991, sa herë që përmendej kryengritja në Kosovë.

– Nuk jemi vonuar,- më tha ai. – Jemi matur e kemi pritur. Demonstratat me karakter politik ndodhën më 26 mars, kur, për herë të parë, u artikuluan kërkesa politike. Më 1 dhe 2 prill ndodhën përleshjet e mëdha. Pak ditë më pas, ne ndezëm të gjitha makineritë. Për disa nga ne ishte e panjohur se kush qëndronte pas këtyre grupimeve dhe lëvizjeve, cilat ishin synimet dhe kush printe, deri kur erdhën informacionet e plota. Nuk ishte kohë e gjatë, sidomos po ta mendosh se kufiri ishte i mbyllur.

Unë u ktheva përsëri tek Enver Hoxha dhe e pyeta, edhe një herë, nëse ai kishte ditur më shumë se gjithë të tjerët.

-Po, -tha ai, – Enveri dinte më shumë se të gjithë ne.

-Rënia e Mehmet Shehut a kishte lidhje me Kosovën?

-Jo, – shtoi ftohtë ai dhe shkëlqimi humbi nga sytë e tij.

Ramiz Alia ka qenë gjithnjë njeriu enigmë i komunizmit. Asaj kohe nuk e dija se isha borxhli ndaj tij dhe ai vetë nuk më tha gjë. Ose e kishte harruar, ose kishte lënë kohën ta bënte për të.

Kur në vitin 1972 shkrova romanin “Ditët e një qyteti”, dhe e dërgova për botim, redaksia e romanit në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, dërgoi një relacion të gjatë në Komitetin Qendror, që i kaloi edhe Ramiz Alisë. Mes të tjerave, gjatë, shumë gjatë, shkruhej për romanin tim si vepër dekadante dhe mosnjohëse e luftës antifashiste.

Thelbi i romanit është historia e një gazetari të ri dhe të dashurës së tij,të cilët kërkojnë të mësojnëhistorinë e babait të vrarë gjatë luftës, në mënyrë enigmatike, kur ai kishte qenëdrejtues i qarkorit të partisë në një qytet jugor. Aluzioni ishte i qartë, kisha menduar se nuk do të kapej nga askush.

Ramiz Alia, në një letër që i dërgonte Pirro Kondit, me shkrim dore, ku dallohej një kaliografi e bukur, si e kishin gjimnazistët e para luftës, ndërsa e porosiste që ndaj dy shkrimtarëve të njohur të merreshin masa, për mua, ndoshta ngaqë kishte qenë mik me babain tim apo se shtëpitë e Gjylbegjve në Shkodër ishin kulm më kulm me shtëpinë e tij, i shkroi që të dërgohej një kritik i njohur dhe të ndihmohesha. Dallimi i një fjale, “ndëshkim” apo “këshillim”, asokohe kishte të bënte me jetën. Nuk e kam falenderuar kurrë. Kur studiuesi Dashnor Kaloçi më dërgoi faksimilet e gjetura në arkivën e KQ, Ramiz Alia nuk ishte më në jetë.

Sidoqoftë, në vitin 1981, ai e drejtoi mrekullisht mirëfushatën e Shqipërisë ndaj Kosovës, aq sa shumë njerëz besonin se po futeshim në luftë,pa qenë në luftë, dhe arriti atë që kishte dashur shefi i tij: ndjenja nacionale kaloi përmbi hallet njerëzore.

Nëse Shqipëria e bëri këtë për të mbuluar gjymtyrët e saj tëlaskuriqura,apo se ashtu ia ndjeu shpirti, këtë asnjëherë nuk do të mund ta zbulojmë deri në fund. Edhe hapja e arkivave të Komitetit Qendror nuk është se solli diçka vendimtare dhe të patjetërsuar. Është e habitshme se si, në të gjitha mbledhjet e Byrosë Politike apo të Sekretariatit të KQ, është folur me të njëjtën gjuhë dhe ka patur të njëjtën mendësi, si ajo që është shkruar më pas. Duke qenë se i gjithë shteti ishte nën një censurë të rreptë dhe të pabesuar për nga kontrolli, ishte e qartë se çdo prononcim, ngado që vinte, që nga shkencëtarët më të shquar dhe deri te barinjtë në male, që nga organi kryesor mediatik “Zëri i Popullit” e deri te fletushkat lokale merrej si qëndrim zyrtar dhe trajtohej si i tillë.

Të gjithë e dinin se artikujt e muajit prill 1981, apo ata tëdisa javëve më pas, kishin dalë nga zyra e Enver Hoxhës. Duke luajtur me enigmën e autorit të panjohur, ai rriste veten, shushaste të tjerët dhe përcaktonte vijën. Jashtë saj nuk mund të dilje, edhe sikur të doje një mijë herë. Në fakt, po krijohej një kohë me heronj të rremë dhe, të rremët, janë më të rrezikshëm, sepse janë të padukshëm. Por më shumë, me heronj të vetëshpallur, pra të dëmshëm.

Pa as më të voglin dyshim, viti 1981 dhe, sidomos pranvera e tij, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës.

Përgjithësisht, secila dekadë e ka gurin e vet themeltar, ose më saktë, ka një datë ose një moment të caktuar, që vendos pikëmbështetjet e së ardhmes.Për shqiptarët në Kosovë ka ndodhur disi ndryshe: një ngjarje ka mbajtur mbi vete më shumë se dy dekada dhe si duket, do të vazhdojë të mbajë mbi vete edhe shumë vite të tjerë. Demonstratat e pranverës, mars – prill 1981, janë pikënyja e viteve që erdhën më pas dhe, si të tilla, ata kanë mbetur në kujtesën e kombit dhe në dëshminë historike të tij.

Prej këtij viti, duam apo nuk duam, jemi të vetëdijshëm ose jo, kanë rrjedhur të gjitha ngjarjet e tjera madhore që lidhen me Kosovën dhe, një pjesë e rëndësishme e tyre, edhe me Shqipërinë londineze.

Viti 1981, me pranverën që nisi më 11 mars, për të shkuar më pas tek ditët e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit, mbante në vete farën e hedhur të shumë ditëve të ardhshme, që dha fryt, shumë më tepër se sa ishte menduar, 17 vite më pas, në qershorin e vitit 1999.

Them se ka qenë një vit prove, sepse, në strukturat iluzore që kishte krijuar regjimi i Beogradit, do të ngrihej një brez, i cili nuk do të ishte kurrsesi i humbur, për të çuar më tej atë që kishin dashur etërit e tyre. Ky brez, thellësisht romantik dhe krejtësisht atdhetar,doli nëpër rrugë për të filluar një jetë ndryshe. Ishte një brez që dëshmoi historikisht se, në Kosovë, nuk kishte humbur asgjë dhe se kështu nuk mund të vazhdohej më.

Pas dhunës së tankeve, Beogradi njoftoi për 11 të vrarë. Një shërbëtor i tyre në Prishtinë, Vllasi, tha se ishin vrarë vetëm nëntë vetë. Nëse kishte filluar kështu gjakshëm, nuk do të kishte të ndalur. Romantikës dhe atdhedashurisë së një brezi të ri, Beogradi i kundërvuri tanket, dhunën policore, vrasjet, burgimet, arrestimet, gjakimet, dënimet e ashpra, dhe, si të mos mjaftonte e gjithë kjo,filloi proçesin e jashtëzakonshëm fëlliqës të diferencimit.

Kërkohej të diferencohej vëllai nga vëllai, ati nga djemtë, fëmijët nga prindërit, miqtë nga miku, shokët nga shoku, të afërmit nga të largëtit, të zakonshmit nga të pazakonshmit, kërkohej të bëhej gjithçka e diferencuar.

Dosjet e diferencimit janë diku, por,mbi të gjitha, janë njerëzit që kanë mbajtur mbi supet e vet gjithë barrën e këtij diferencimi. Gjithçka që donte të krijonte regjimi i Beograd-Prishtinës qëndronte në mundësinë që, të pazakonshmit të ishin të huaj për Kosovën, të lëçiturit e saj; ndërsa pushtimi, si i zakonshëm, të kishte të drejtën e qytetarisë.

Këto njerëz,të pazakonshmit, të prangosur, të gjakuar, ashtu si edhe të afërmit e tyre, djemtë apo vajzat nëpër burgjet serbe, u ndjenë të vetmuar,qoftë edhe përkohësisht. Megjithatë, të dy pjesët, edhe ata që ishin jashtë e të burgosur, edhe ata që ishin të burgosur e me mendimin se çfarë do të bënin më tej, kur të ishin të lirë, kishin në atë kohë një shpresë, një sfond ku mbështetej halli i tyre, kishin momentin e tyre të pritjes për mbështetjen. Duam apo nuk duam sot, e pranojmë apo nuk e pranojmë, fakt është se ata këtë mbështetje e kërkonin dhe e prisnin nga shteti amë, Shqipëria.Heshtja e Kosovës i çoi ata drejt fjalës së Shqipërisë.

Kryengritja shqiptare në ish – Jugollavi, në fillimin e viteve ’80 ka qenë, padyshim, njëra nga ngjarjet rreth së cilës e për të cilën janë bërë analiza të shumta. Me të janë marrë e, sigurisht, do të merren njerëz të mendimit nga të gjitha fushat, por njëkohësisht edhe spekulues; janë marrë shkrimtarë e sociologë, historianë, protagonistë e gazetarë. Janë ringritur ngjarjet, duke filluar që nga mbrëmja e 11 marsit dhe deri tek arrestimet masive; janë ngritur teza të ndryshme, hipozeza të sakta e nga më të çuditshmet; ka patur gjykime e paragjykime, hamendje halucionante, të sakta dhe nga më të pazakonshmet; ka patur fillimisht çjerrje dhe përbaltim institucional, pastaj heshtje,por kurrë mbrojtje institucionale në Kosovë.

Tezat, hipotezat, pikëpyetjet, hamendjet, thëniet, gjykimet dhe debatet, nga më të ashprat e më të vrullshmit, kanë qenë për rolin dhe qëndrimin e shtetit shqiptar.

Që në fillim, janë hedhur të gjitha pyetjet e mundshme dhe janë synuar të gjithë dilemat hipotetike.Në të vertetë, është bërë përpjekja, herë serioze dhe herë e rreme, për të sqaruar disa nga momentet më thelbësore të qëndrimit të shtetit shqiptar ose për t’i përbaltur ato. Pak ose aspak kanë qenë përpjekjet për të ditur gjykimin e njerëzve të zakonshëm në Shqipëri, apo atë të mendimit intelektual. Vërtet si i kanë pritur ata ngjarjet e pranverës kosovare; si kanë depërtuar ato në thelbin e jetës së tyre të zakonshme? Ishte merak spontan, njerëzor a i organizuar, apo e verteta qëndron diku në mesin e tyre? Kishte më shumë se hall, brengë, shqetësim a mërzi? Kishte diçka më shumë ndaj vetes dhe përtej së zakonshmes? Kishte thjeshtë brengë njerëzore apo edhe kombëtare?…

Tek qëndrimi i njerëzve të thjeshtë, ndoshta asnjëherë, nuk është shprehur si duhet mendimi i sociologëve, gazetarëve, dijetarëve, sepse, në pamjen e parë,ata nuk duken edhe aq interesantë, ata nuk përbejnë ‘ngjarje’, pra nuk mbajnë në vete ankthin e zbulimit të së vertetës, nuk përbëjnë lajm, nuk kanë mister…. ndonëse kjo nuk është aspak e vertetë. Ndoshta më shumë se kudo tjetër, tek njerëzit e zakonshëm, politika bën vendnëpërmjet shfaqjeve që nuk janë edhe aq të dukshme politikisht, por që në të vertetë bëjnë vetë thelbin e politikës.

Le të sjell dy shembuj të mëvonshëm. Në vitin 1991, pas lëvizjes studentore dhe ndryshimeve jetike politike në Shqipëri, të dy partitë e mëdha, si ajo demokratike ashtu edhe ajo socialiste, në programin e tyre elektoral përfshinë edhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve.Partia Demokratike e kishte shumë më të theksuar e shumë më të dukshmekëtë pikë sa u krijua ideja, se, pas fitores së saj, zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare ishte punë e disa pakkohëve. Afishimi i tepruar i këtij koncepti nuk e pengoi këtë forcë politike, përkundrazi e ndihmoi që, në votimet e 22 marsit 1992, të merrte rreth 70 për qind të votave të shqiptarëve.

Katër vite më pas, të dy partitë e mëdha politike shqiptare, krejt ndryshe nga 4 vite më parë, nuk e përmendnin as në kontekstin me të largët çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe vetë Kosova kalonte në planin e dhjetë.

Kjo sepse, të dy partitë politike e dinin se, në rrethanat e krijuara, afishimi i një qëndrimi të tillë sillte humbjen e votave.

Disa muaj para zgjedhjeve politike të majit 1996 në Shqipëri, sëbashku me një nga drejtuesit e lartë socialistë të kohës, që ishte edhe nënkryetar i Parlamentit, mikun e vjetër, Shaqir Vukaj, shkuam të rrinim në shtëpinë e Fehmi Lladrovcit. Lart, në banesën e tij, në Haar, pjesë e qytetit të madh të Mynihut, ulur në shilte, në një kohë kur sapo kishin nisur aksionet e para të organizuara dhe të njësuara të UÇK-së, po bisedohej për gjithçka që kishte lidhje me Kosovën. Befas, Fehmiu, i drejtëpërdrejtë si ishte, pyeti mikun:

-Ju, socialistët, a do e keni në programin tuaj bashkimin e shqiptarëve?

-Jo, – u përgjegj sinqerisht Shaqiri. – Nuk do e kemi.

– Pse? – e pyeti Fehmiu. – Humbni vota nëse e keniapo çfarë?

– Humbim vota, – pranoi sinqerisht Vukaj.

-S’paskeni qenë gjë as ju socialistët! Për besë, atyre që ndërrojnë kaq shpejt nuk u duhet zënë besë, e ju, si bukur shpesh po ndërroni.

Shaqiri e kuptoi dhe nuk foli, e u bënë miq të mirë.

Ndodhi që po ato ditë, me ftesë të një klubi shqiptar, erdhi në Shtutgart një ambasador i rëndësishëm i Shqipërisë në vendet perëndimore. Ishim miq të vjetër.Kishim biseduar gjatë me njëri tjetrin. Në njerën nga ditët e qëndrimit të tij, ndërsa rrinim në banesën time, i thashëse tashmëbisedat tona do të ishin më të rralla, meqë e kisha ndarë mendjen prej disa kohëve të isha pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe bisedat tona telefonike mund të përgjoheshin. Ai, pasi më tha se duhet të bëja kujdes se gjithçka mund të më ndodhë, më tregoi se do të kishte një zmbrapsje në qëndrimin ndaj Kosovës.

– Ndaj, – shtoi lehtas –  mos prit që miqtë e dikurshëm të tëkuptojnë. Gjërat kanë ndryshuar, – më tha dhe biseda vijoi me gjërat e zakonshme.

Nuk ështëkoha të analizoj se çfarë ndodhi në katër vite, që solli një regres kombëtar kështu të dhimbshëm. Shembujt i solla për të patur një lidhje mes asaj që quhet e zakonshme, e nganjëherë e rëndomtë, kur analizojmëngjarjet e marsit 1981 e ndalemi tek qëndrimi i qytetarëve të thjeshtë dhe mendimit politik zyrtar.

Për këdo,natyrisht,lajm përbën dilema e shtruar atëherë, nëse kishte dijeni Shqipëria zyrtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Kosovë. A kishte dijeni Enver Hoxha, prej strukturave të tij, se viti 1981 do të ishte njëkohësisht edhe viti i kryengritjes shqiptare?A ndikuan strukturat e fshehta të shtetit shqiptar në organizimin, apo të paktën nxitjen e kryengritjes dhe afishimin e parullës “Kosova-Republikë”,apo të thirrjes “Republikë,Kushtetutë- ja me hatër- ja me luftë”? A kanë qenë të përgatitura dhe të instruktuara organizatat ilegale që u vunë në ballë të demonstratave nga strukturat e fshehta të shtetit shqiptar? A kishte në Tiranën zyrtare përkrahjen e duhur kërkesa për republikën e Kosovës apo shteti shqiptar ishte vetëm pro krijimit të një shteti të dytë shqiptar në Ballkan?Përkrahja e shtetit shqiptar ishte e vonuar apo u ndërmor në kohën e duhur? E gjithë ajo që ndodhi në polemikën e madhe mes shtetit shqiptar dhe shtetit jugosllav ishte thjeshtë një retorikë ideologjike apo pas saj fshihej edhe çështja kombëtare?…

Unë do përpiqem të sjell disa nga përjetimet e dyzet viteve më parë, ashtu si i kam përjetuar unë, qoftë si qytetar i zakonshëm, qoftë si gazetar. E di se për disa do të jetë disi e pazakontë, ndoshta edhe jashtë rrjedhës së trysnisë politike që përçohet ndaj shtetit shqiptar të atyre viteve, mirëpo unë do bëj mundim të sjellë atmosferën ashtu si ishte në ato ditë, ashtu si është përjetuar nga unë dhe njerëzit rreth meje, nga shokët e mi gazetarë, por edhe nga njerëzit e shquar të artit, shkencës e historisë. Do ia lejoj vetes, që ashtu si i kam ndjekur dhe ashtu si i kam analizuar më pas, të sjell edhe pikëpamjen time për ato që ishin asokohe në mendimin politik zyrtar, duke shfrytezuar të drejtën nga takimet e mëpasme që kam pasur me disa nga protogonistët e këtyre ngjarjevenë Shqipëri, mes të cilëve edhe me ish presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia. Të gjitha këto nuk i sjell për të nxitur një mendim ‘ndryshe’ ose një mendim ‘për’, por për të përcjellë disi ato të verteta që ose janë thënë ndryshe, ose janë thënë të cunguara.

Le të nisim me atë që përjetuan njerëzit e zakonshëm…

Në mesin e muajit mars të vitit 1981, ata që punonin një kat më poshtë në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” vunë re se në sektorin e jashtëm, i cili ishte në katin e sipërm, kishte një lëvizje më të madhe se e zakonshmja, një lëvizje përgjithësisht më të ndjeshme se herët e tjera. Kjo ndodhte kur ishte rasti i ngjarjeve të rëndësishme. Por këtë herë, shumë më shpesh se më parë, kishin filluar të vinin funnksionarë të rëndësishëm të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, të cilët, jo rrallëherë, nuk ndaleshin as në zyrën e kryeredaktorit të gazetës, që ndodhej në katin e dytë. Megjithatë, nuk ishte vërejtur ende asgjë e jashtëzakonshme nëpër rreshtat e artikujve, të cilët, në më të shumtën e rasteve, nuk kishin ndonjë gjë të veçantë. Edhe fakti që përgjegjësi i sektorit ë jashtëm ishte thirrur dy herë, brenda ditës, te shefi nuk përbënte lajm, pasi kjo kishte qenë shpesh pjesë e rutinës.

Zakonisht, nga ora nëntë e mëngjesit, ‘djemtë e gazetës’, si i therrisnin miqtë e tyre të afërt, mes të cilëve edhe ish kryeministri i Shqipërisë, zoti Berisha, shkonin të pinin kafenë e mëngjesit, në kafenenë e Lidhjes së Gazetarëve, ku kishte më shumë zhurmë se në të gjitha kafenenetë e tjera. “Zhurmëtarët” ishin ngahera Pëllumb Bato i “Bashkimit” (i cili nuk e di se ku ndodhet tani),Filip Çakulli i “Hostenit”, i cili kishte mesatarisht një mosmarrëveshje në javë me shefin e tij a të kritikuarit prej tij, dhe shefi i sotëm i një gazete pro-PD Fahri Balliu, që asokohe ishte gazetar special i “Zërit të Popullit”. Prej dy ditësh, ishte vënë re segazetarët e sektorit të jashtëm të “Zërit të Popullit” e të “Bashkimit”ose nuk po vinin fare, ose pinin një kafe, të shpejtë dhe iknin. Ndërsa ata të sektorit të jashtëm të RTSH, që vinin nganjëherë për kortezi gazetareske, pasi kishin klubin e vet, nuk dukeshin.

Përgjithësisht, për sektorët e jashtëm të shtypit, asokohe,punonin gazetarë nga më të mirët. Të aftë dhe patriotë, si u dëshmuan shumëprej tyre në vitet në vijim. Tek “Zëri…” ishte i njohur Shaban Murati, tek “Bashkimi”ishte Napoleon Roshi, ndërsatek RTSH, Bujar Muharremi.

Megjithatë, fjalët kishin filluar të rridhnin, jo nga kanalet zyrtare, por nga ‘rebelët’ që ndiqnin herë pas here, kanalet radiofonike të huaja. Kishte filluar të flitej se në Prishtinë, dy a tri ditë më parë kishte pasur demonstrata, mirëpo nuk dihej më tepër. Njëri nga shokët e mi, që kishte qëndruar deri vonë për të ndjekur thuajse të gjitha stacionet radiofonike që mund t’i kuptonte, më tregoi se në Prishtinë kishte pasur një demonstratë studentësh për kushte më të mira jetese dhe cilësi ushqimi dhe, si duket, nuk kishte pasur asgjë politike.

Thënë të vertetën,unë kisha disa kohë që isha përgatitur për një udhëtim në Kosovë, i cili, si më kishte thënë shefi im i atëhershëm Namik Dokle, do të zhvillohej në fund të muajit mars. E dija se në atë grup do të ishte edhe Vera Kapo, bija e ‘numrit dy’ të dikurshëm tëPPSH-së, Hysni Kapos dhe nëna e gazetarit të sotëm, Andi Bushati.Pjesë e grupit do ishte edhe Xhafer Dobrusha, pedagog në Universitetin e Tiranës, i cili ka drejtuar edhe Federatën e Arsimit, e disa të tjerë.

Kishte disa kohë që marrëdheniet në dy anët e kufirit ishin intensifikuar dhe kishin arritur në një pikë të lartë. Kishte më shumë se pesë vite që mes dy qeverive, asaj në Beograd dhe asaj në Tiranë, kishte filluar një periudhë zbutje dhe, si duket, të dy palët kishin llogaritur të ndikonin tek njëra tjetra, përmes atyre elementëve që i konsideronin më të rëndësishëm. Qeveria e Beogradit mendonte të ndikonte në Shqipëri duke dërguar aty, përmes strukturave të ndryshme, një nivel më të ngritur jetese, njohje më të gjërë të botës, hapje më të ndjeshme; ndërsa qeveria e Tiranës kishte menduar të ndikonte përmes shkallës së kulturës, njohjes reciproke të artit, gjuhës e traditës, duke pasur gjithnjë në anën e saj përkushtimin e pakufishëm të shqiptarve matanë kufirit për shtetin amë. Këtë masë përcaktuese, qeveria e Beogradit nuk e kishte llogaritur, ose e kishte përllogaritur keq, ndërsa qeveria e Tiranës e kishte paraparë shkëlqyeshëm. Në Tiranë kishte filluar të rrëzohej paragjykimi se “një shqiptar në Jugosllavi është një titist” dhe nuk shihej si një kundershtar ideologjik, megjithëse shteti shqiptar e dinte fort mirë se, në mesin e të ardhurve, jo pak ishin të tillë.

Pranimi i gjuhës së përbashkët shqipe, ribotimi pa asnjë redaktim kritik i teksteve të historisë së Shqipërisë dhe pranimi i teksteve të njëllojta, thuajse në të gjitha lëmitë; ansamblet artistike që ishin më të shpeshta se asnjëherë, këngët që ishin përgjithësisht mbi bazën e teksteve me ndjenjë të theksuar kombëtare, si ishte ajo e Pjetër Gacit “Kaçanik, o shkëmb e gurë…”, pritja e jashtëzakonshme që i bëhej Nexhmije Pagarushës dhe ripërhapja e shpejtë e këngëve të saj ishin të gjitha më se të prekshme dhe të pranueshme nga njerëzit e zakonshëm.

Kishte shumë kohë që në shtypin shqiptar, ku nuk mungonte edhe çensura e kujdesshme, nuk shkruhej negativisht për Kosovën ose për njerëzit e saj.Termat që dolën më vonë, pas viteve ’90 për Kosovën ose për shqiptarët e Kosovës, atëherë as njiheshin dhe as lejoheshin të përdoreshin. Edhe kur flitej për masakrën e 4 shkurtit bëhej kujdes të evitohej emri i Xhafer Devës, sado që shumë gjëra ishin të ditura.Fakti që u vu re më pasështë se, gjatë gjithë kohës që regjimi i Hoxhës ishte në pushtet, ishin ngritur veçse tre përmendore të mëdha për individë të shquar të periudhës së Pavaresisë dhe se që të tre kishin ardhur nga viset shqiptare të Kosovës: përkatësisht statujat madhore të Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Isë Boletinit. Po ashtu,fakti që Enver Hoxha, në shënimin e tij për Monumentin e Pavarësisë,kishte kërkuar që, krahas Ismail Qemalit, të vihen në qendër të monumentit edhe figura e luftëtarit nga Kosova ishte e prekshme për njerëzit.Sado që të mos ishe dakord me regjimin, nuk mund të ishe kundër veprimeve të tilla, të cilat, edhe pse, ashtu si u tha më pas, mund të kishin të tjera nënshtresa, përsëri,në kohën e dhënë, ishin të mirëpritura. Qeveria shqiptare dhe mendja diabolike e Enver Hoxhës kishin ditur të luanin me historinë dhe tragjedinë.

Aty ku hyn tragjedia, llahtara mbetet gjithësesi.

Në vitin 1966, pas thuajse 18 vite mbylljeje dhe heshtjeje, në Prishinë kishte shkelur një shqiptar i madh, i kulturuar deri në palcë, erudit dhe i urtë, që të ngjallte respekt me të gjithë qënien e tij, e aq më tepër me dijen e pafund. Më shumë se sa një njeri i zakonshëm, ai dukej si një profet dhe ishte i tillë. Aleks Buda, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave do të pritej në Kosovë si një hyjni. Zgjedhja kishte qenë e përsosur. Nga të gjitha anët e Kosovës njerëzit, sidomos të rinjtë, ecnin rrugë e pa rrugë, natën – kur ishin klandestinë në vendin e tyre -, për të dëgjuar profesorin namëmadh, e ndoshta, po i priu fati, për ta takuar. Aleks Buda do të jetë lajmësi më i gjetur i Shqipërisë, asnjë mesazh tjetër nuk do të kishte vlerë sa vetë ai.

Ndërkohë nga Prishtina do vinin në Tiranë një grup gazetarësh të “Rilindjes”, të zgjedhur me kujdes nga regjimi, emrat e të cilëve nuk thonin asgjë, pasi nuk lexoheshin. Dhe, si ndodh shpeshherë me të panjohurit, askush nuk do e kishte marrë vesh ardhjen e tyre, nëse në një cep të gazetës “Bashkimi” nuk do të ishte vënë një shënim i vogël. Vetëm kaq.

Nga ana tjetër, në universitetin e Prishtinës ishin mysafirë dhe jepin leksionet e tyre korifejtë e mendimit shkencor shqiptar, ëndërrimi i plejadave shqiptare në Kosovë, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Shaban Demiraj, Androkli Kostollari, Kristo Frashëri, dhe Rexhep Mejdani, dijetarët më të shquar të shkencave albanologjike e historike. Ribotohej Kadare dhe Agolli si dhe “Veprat e Plota” të Poradecit.

Në vitin 1972, në muajn tetor, Kadare shkel për herë të parë Fushë-Kosovën, e njohur nga serbët si Fusha e Mëllenjave, për të cilën kishte dëgjuar aq shumë. Fusha shtrihej e qetë, e rrokshme nga syri deri ku lejonte mjegulla që kishte rënë bri saj. E ftohtë, si në çdo prag dimri. Monumenti i Betejës së Kosovës, ndodhur në vitin e largët 1389, që duhej të ishte shenjë e ndjenjës së përbashkët, në fakt është kthyer në të kundërt, në minierë të urrejtjes dhe të krimit. Sapo janë botuar, nën kujdesin e poetit të shquar, Azem Shkreli, korpusi i plotë i veprave të Kadaresë, në 10 vëllime. Në Tiranë, ku ende ka xhelozi dhe pikëpyetje rreth devotshmërisë së shkrimtarit, ka ende hezitim dhe kjo nuk është bërë. Nuk do të bëhet asnjëherë. Kadare, i cili e njeh fort mirë klimën e tmerrit, ka menduar se në Kosovë ka më shumë liri. Ia thotë këtë mikut të tij.

-Për të tjerët, për popujt sllavë, po, por për ne shqiptarët, jo, – i përgjigjet poeti i shquar, kur janë vetëm në makinë dhe ku mendohet se nuk do të përgjohen. Pastaj shton, – Ne jemi të huaj këtu, më keq se të huaj. Në sofrën e tyre sllave, ne jemi të tepërt.

Shqipëria kap çdo rast për të dëshmuar se vatra e nacionalizmit është aty.

Në vitin 1978, me një vëmendje tejet të veçantë u përkujtua 100 vjetori i ngjarjeve të Prizrenit dhe për herë të parë, publikisht,ajo u quajt “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, duke i shtuar kështu, cilësimin “Shqiptare”, si shenjë e etnisë kombëtare. Deri atëherë, ajo ishte quajtur thjeshtë “Lidhja e Prizrenit”.

Të gjitha këto po sillnin imazhin e ri të lidhjeve të përbashkëta dhe, krejt befas, sidomos për njerezit e zakonshëm, erdhi njoftimi se në Kosovë kishte ndodhur diçka.

E vërteta është se njoftimi i parë për demonstratat e 11 marsit në Kosovë është bërë i njohur, pra publik, më 17 mars 1981, gjashtë ditë pas zhvillimit të tyre. Ky ishte një njoftim i shkurtër, pa koment, burim i së cilës ishte agjencia e lajmeve Tanjug, dhe i cili u përforcua edhe nga disa agjenci të tjera informative. Nuk është bërë ndonjë kujdes i veçantë për afshimin e tyre dhe po ashtu, vëmendja ndaj botimit të artikullit apo dhënies së lajmit, nuk ka qenë e një rëndësie të veçantë. Në ditarin radioteleviziv të RTSH ai u dha, pa foto të veçanta, sëbashku me lajmet e tjera të dorës së dytë, ndërsa në gazetën “Zëri i Popullit”, që ishte asokohe gazeta kryesore e vendit, me më shumë se njëqindmije kopje në ditë, shënimi u vendos në faqen e katërt, majtas, aty ku edhe më parë vendoseshin lajmet e përgjithshme të politikës së jashtme.

Si do e përcaktonte saktësisht analisti i shquar shqiptar Shaban Sinani, “kjo ishte faza e një mpirje të dukshme të opinionit në Shqipëri, që, siç duket nga shënimet e vëzhguesve politikë, në Kosovë u shoqërua me ankth e padurim”.

Ishin disa ditë, gjatë të cilave, njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët ishin në pritje të një zhvillimi të ri apo edhe të ndonjë lajmi më të gjërë se kaq. Kishte një vajtje ardhje më të dendur tek njeri tjetri, sidomos tek të afërmit antenat satelitore e të cilëve mund të shfaqnin pamjet e Radiotelevizionit të Prishtinës. Mirëpo edhe aty, pas 11 marsit e deri më 26 mars, nuk mund të merrje më shumë se sa një informacion të cunguar e shenjat e dënimit të udhëheqjeve të larta politike, republikane e krahinore. Por këto nuk i jepnin përmasat e asaj që kishte ndodhur. Për fat të keq, një mik i imi shqiptar i Kosovës, Idriz Zeqiraj, me të cilin, në vitin e parë të studimeve universitare, kishim jetuar për shumë kohë në një dhomë konvikti, ishte i dënuar dhe, si do lexoja më pas, në njerën pikë të aktakuzës, kishte, si një lloj marrëzie të kohës, edhe miqësinë me mua. Idrizi ishte dënuar përmes tre dëshmitarëve të rremë, njëri nga të cilët ishte tepelenas, ndërsa dy të tjerët shqiptarë të Kosovës.Pra, nuk kisha burim të brendshëm, por, ashtu si ujrat, edhe fjalët rrjedhin. Kishte filluar të flitej se kishte ndodhur një demonstratë studentore, por se gjithçka mbështillej rreth togfjalëshit, “kushte më të mira jetese”.

Edhe pas shumë vitesh, secili që, në një mënyrë ose në një tjetër, ka kaluar nëpër ngjarjet e asaj kohe, qoftë edhe si i jashtëm, si ishim ne në Shqipëri, nuk mund ta ketë ndjerë veten jashtë tyre. Disa gjëra mbeten në kujtesë, ashtu si dita e 8 prillit 1981, kur, për herë të parë, në gazetën kryesore të kohës dhe, më pas, disa herë rradhazi në emisione të veçantë radiotelevizive, u shfaq qëndrimi i shtetit shqiptar. Ishte e diel dhe kisha shkuar në shtëpinë time në Shkodër. Ishte ditë plot diell, krejtësisht pranverë. Nga të gjitha radiot e komshinjve dëgjoja spikerin e radios tek lexonte, për të disatën herë, tekstin e plotë të artikullit të parë në “Zërin e Popullit”. Atë ditë, gazeta kishte dalë me dyfishin e tirazhit të saj, pra në dyqindmijë kopje, dhe, që në mëngjesine hershëm, nuk e gjeje dot askund. Ishte shitur brenda pak çasteve dhe, nëpër të gjitha anët e rrugëve, ishin ndaluar njerëzit që kishin filluar ta lexonin, pa priturqë të shkonin në shtëpi.

Jam krejt i bindur se qëndrimin e shtetit shqiptar e përkrahën të gjithë shqiptarët, edhe ata që ishin pro regjimit, edhe ata që nuk e donin atë. Unë jam rritur në një familje e cila, në dy degët e mëdha të saj, kishte dy qëndrime të ndryshme. Shtëpia në të cilën jetoja unë,e njohur si “Shtëpia e madhe e Gjylbegajve”, kishte qenë që në fillim në rradhët e lëvizjes nacionalçlirimtare dhe kishte dhënë tre dëshmorë. Njëri prej tyre ishte vëllai i nënës, Naim Gjylbegu, i cili u vra në Vig të Mirditës, jo nga gjermanët, por nga ballistët e Markagjonit. Shtëpia tjetër, jo larg nesh,qënjihej si “Gjylbegët tek Çinari Hoxhë Dheut” kishte qëndruar në anën e kundërt. Madje njëri prej banorëve të saj, Musa Gjylbegu, u bë edhe ministër në një qeveri kolaboracioniste, në vitin 1944.Sidoqoftë, të dy shtëpitë,por edhe të tjerat e të njëjtit fis aty rreth e rrotull, kishin qenë gjithnjë të afërta për njera tjetrën. E solla shembullin, ndoshta gjatë, për të treguar se të dy shtëpitë e mbështetën njëlloj qëndrimin e shtetit shqiptar dhe unë këtë, duke qenë “i brendshëm”, e di fare mirë. Mund të shkoj edhe më tej: djemtë e dy shtëpive ishin të gatshëm, në rast se organizohej diçka, edhe të luftonin për Kosovën, pavarësisht se nën urdhërat e kujt do të ishin. Befas, në të gjitha shtëpitë e Gjylbegajve, filluan të tregoheshin fotografi të kohës kur “Kosova kishte qenë Shqipëri”, pra të viteve të luftës, kur ishte bërë bashkimi. Foto në të cilat ose dalloheshin pjestarë të fisit të veshur ushtarakë, si në fakt kishin qenë, ose me qeleshet e bardha në kokë dhe kostume evropianë të modës së fundit, nga universitetet që kishin ardhur.Ata, që dikur quheshin ballistë, kishin një ndjenjë më të shprehur përafrimi, ndoshta ngaqë mendonin se kishin pasur të drejtë në kohën e tyre.

Nuk do të flas për reagimet në shtypin apo median e kohës. Për shumë prej tyre mund të besohej se gjtihçka ishte e përllogaritur. Për një shtet të centralizuar si Shqipëria, kjo ishte e besueshme. Asnjë lloj fushate propogandisitike, edhe ajo më e zakonshmja, të themi, mbjelljet e vjeshtës, nuk i lihej rastësisë, e jo mët’i lihej rastësisë, një ngjarje e tillë madhore. Mirepo, sado të ishte e përllogaritur, ndjehej në deklarimin e të gjithëve se tashmë ishte gjithçka ndryshe, se çdo gjë po kishte një fillesë krejt tjetër dhe një qëndrim, po ashtu, krejt më të natyrshëm. Njerëzit ishin në pritje se çfarë do të ndodhte në të nesermen, cili lajm i ri do të vinte, dhe kjo nuk ishte thjeshtë shenjë kurioziteti apo e dëshirës për të mbushur hapësirën informative. Ishte shumë më tepër.

Mbaj mend një rast, i cili, megjithëse është krejt i thjeshtë, përsëri dëshmon për shumëçka. Ishim në shtëpinë e mikut të tim eti, Qamil Çelës, një figurë e njohur politike e viteve ’30 dhe më pas, mik i afërt i Fan Nolit, Sejfulla Malishovës,Gjergj Fishtës, Petro Markos, Zoi Fundos dhe Ali Këlmendit.Nuk ishte përkrahës i Enverit, megjithëse e kishte njohur atë që në rininë e hershme.Ish Kryetari i Kryqit të Kuq Shqiptar e atdhetar i madh, Qamil Çela kishte shumë vite që ishte terhequr në shtëpizën e tij të vogël, diku në qendër të qytetit të Elbasanit të vjetër.Po jepeshin lajmet e orës 20:00 dhe, tashmë nuk e dinëse rastësisht apo seqëllimisht ashtu ishte vendosur, spikeri befas tha: “Vazhdojmë me lajmet e brendshme. Sot ne Prishtinë…” dhe vijoi me lajmin.

Njeriu i moshuar lëvizi befasisht nga vendi dhe tha me një zë të gjallëruar: “Oh sa mirë, sa mirë!Lajmi nga Prishtina është një lajm i brendshëm”.

Njerëzit ishin aq të përqëndruar, sa i vërenin e, njëkohësisht,gëzoheshin nga të tilla detaje.Qamil Çela kishte qenë mik i afërt i Bedri Pejës. Ai ndiqte gjithçka që shkruhej në shtypin e kohës dhe në një hartë të madhe të Kosovës shënontelëvizjet më të rëndësishme, me shkrimin e tij të vogël e të rrumbullakët.

Ishte një periudhë, kur, pa lënë mënjanë edhe ndikimin e shtetit, tek njerëzit e të gjitha shtresave, mori hov zhvillimor ndjenja kombëtare shqiptare. Ndjenjë e cila do të ripërsëritej edhe një herë në vitet e luftës çlirimtare në Kosovë. Nuk mund të mohohet se në fillimin e viteve ’80, më shumë se gjithçka, ishte vënë në lëvizje gjithë makineria e shtetit, të gjitha strukturat e tij, dhe pavarësisht nga fakti nëse kjo bëhej për “patriotizëm demagogjik” apo ishte e konceptuar kështu (çka do trajtohet më tej), kjo pati një rol jashtëzakonisht të ndjeshëm në mentalitetin e kombit.

Ndodhi edhe një fenomen tjetër, i cili, krahas doktrinës zyrtare apo qëndrimit zyrtar, kishte pjesën e tij të ndikimit, në jo pak raste, edhe më të fuqishëm se vetë shteti.

Në pranverë- vjeshtën e vitit 1981 në dy anët e pjesëve shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, regjimet e kohës, jo pa paramendim dhe pa ia lënë në dorë kaotizmit dhe spontanitetit, u hodhën njëherësh në veprimme gjithçka ata menduan se ishte më e vlefshme dhe më e pranueshme.Megjithatë, në dy anët, por në kahe të kundërta, nuk munguan as reagimet spontane, të cilat ose nuk ishin planifikuarose ishin përllogaritur si tjetër gjë.

Regjimi i Beogradit dhe i Prishtinës solli në skenën e re të thyerjes përgjithësisht figura të vjetra politike, të cilat, dashje padashje, kishin ende ndikim. Mendohej se fjala e tyre do të ishte përfundimtare. Por, tashmë, koha e tyre kishte shkuar.

Njëri pas tjetrit,në mbledhjet e mëdha të diferencimit, filluan të dalin figurat e njohura të Fadil Hoxhës, Veli Devës, Xhavit Nimanit, Sinan Hasanit, një grup gazetarësh tek “Rilindja”, për të shkuar deri tek figura groteske dhe njëkohësisht të përçudtshme, si ajo e Kolë Shirokës.Ky ishte skalioni i parë, ose “arsenali i rëndë” i betejës së Beogradit përmes Prishtinës. Ndërsa tek skalioni i dytë, i përllogaritur edhe ai, filluan të duken nëpër mbledhjet e gjata,gjithëfarë hulumtuesish, sekretarësh,gjurmuesish, hetuesish, gjyqtarësh, për të arritur, si shkrova më sipër, deri tek thirrja patetike e një farë Dushan Ristiçi se “kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Thirja e tij, në të vertetë, nuk ishte asgjë tjetër, veçse pranim i disfatës dhe ankthi për të nesërmen.

Këto figura politike, që u bënë zëdhënës të pushtetit të Beogradit, nuk kishin emër të mirë në Shqipëri.Me të drejtë ata konsideroheshin, ashtu si ishin, zëdhënës të regjimit titist dhe shtypës të popullit të tyre. Duke parë se cilët po dënonin një kërkesë të drejtë, ishte e natyrshme të pasurohej mendimi se të rinjtë e Kosovës duheshin mbështetur.

Në Tiranë ndodhi diçka tjetër. Figurat politike të kohës qëndruan në heshtje. Në fund të fundit, qoftë edhe pa nënshkrim, i pari i tyre kishte folur, dhe njerëzit e dinin fort mirë se kush qëndronte pas shkrimeve të gjata te “Zëri i Popullit”.Zakonisht, kur fliste i pari i tyre, të tjerët heshtnin.Hysni Kapo kishte dy vite që kishte vdekur. Disa muaj më pas, Mehmet Shehut do “i nxirrte koka tym” dhe do të përfundonte në (vet)vrasje, një ngjarje ende e pambyllur. Sidoqoftë, si ka pohuar shumë vite më pas Ramiz Alia, në Byronë Politike, njeriu më i ashpër kundër serbëve, ishte vetë Enver Hoxha. Jo rrallë, shfryrja ose dyshimi i tij rreth gjithçka që lidhej me Beogradin ishte deri në patalogjike. Pas besimit të madh që ai kishte pasur tek ta, sidomos deri në tetorin e vitit 1947 kur ata kishin kërkuar zëvendësimin e tij me vllaho-maqedonasin Xoxe, gjithçka që do vinte më pas do të lidhej me dyshimin e tij.

Shteti shqiptar, duke i bërë të heshtë drejtuesit e vet, të cilët për hir të së vërtetës, me përjashtimin e dy ose tre vetëve, nuk kishin as aftësitë e duhura për të folur, hodhi në veprim, nëse mund të thuhet kështu, ata që kishin një reputacion të gjërë në Kosovë. Qoftë mjeshtër të mendimit shkencor, qoftë njerëz të shquar të pendës, apo figura mitike si Çabej e Buda,Dhimitër Shuteriqi, Androkli Kostollari, Arben Puto, Çesk Zadeja, Dalan Shapllo, Luan Omari, Kadare, Agolli, Arapi, Pollo, Jorgaqie Jakov Xoxe. Ndërsa polemika zyrtare nga ana e shtetit shqiptar nuk heshti, angazhohet,njëkohësisht,tërë fuqia intelektuale e vendit, në formë institucionale dhe individuale,që nga zyrat më të larta të shtetit dhe deri tek gazetat më periferike. Radiotelevizioni i Shqipërisë dhe gazeta “Zëri i Popullit” mbajtën barrën më të madhe. Përballë kryqëzatës serbe, e cila përgjithësisht dhe kryesisht ishte përqëndruar tek figurat politike në të gjashtë republikat dhe në dy krahinat e atëhershme, dolën autoritetet më të larta të mendimit dhe këta ishin shumë më të besueshëmse sa të gjithë politikanët e Prishtinës e Beogradit. Ata ishin më të besuar jo vetëm në Shqipërinë londineze, por edhe në Kosovë.

Është interesante parathënia e shkurtër e një libri për Kosovën, i cili doli më pas dhe që u nënshkrua, si rrallëherë ose më saktë, si asnjëherë, nga Aleks Buda,Alfred Uçi,Arben Puto,Çesk Zadeja,Dalan Shapllo,Dritero Agolli,Dhimitër Shuteriqi,Ismail Kadare,Luan Omari,Sofokli Lazri, Stefanaq Pollo dhe Zija Xholi, pra të gjithë autoritetet më të rëndësishme shkencore të kohës.Në këtë parathënie, mes të tjerash, do të lexohej:

Shkrimet që përmban kjo përmbledhje “Ç’thonë dhe ç’kërkojnë kosovarët”e pasqyrojnë drejtë dramën kosovare.

Ne nuk duam të flasim në emër të intelektualëve kosovarë.Ata dinë ta mbrojnë vetë kauzën e popullit të tyre, dinjitetin e përsonalitetin e tyre si njerëz dhe si intelektualë. Ata i përkasin një populli, që nuk kërkon mëshirë e lëmoshë. I përkasin një formimi kulturor historik, që i bën të jenë të papërkulur përpara dhunës, shtypjes e arbitraritetit. U përkasin atyre njerëzve, që në kohët e sotme luftojnë për aspiratat më të larta e më të ndritura të popujve, siç janë liria, barazia,demokracia e të drejtat e verteta njerëzore […]

Nuk kishte ndodhur asnjëherë kjo, por, po ashtu, nuk kishte ndodhur asnjëherë që njerëzit të mos i besonin korifejve të mendimit të tyre.Prandaj edhe gjithçka ishte shumë më e besuar, shumë më e prekshme dhe kaq njerëzore. Kjo depërtoi tek njerëzit dhe nuk ka lidhje me qëllimet që mund të ketë pasur shteti shqiptar i asaj kohe.

Janë pikërisht ngjarjet e vitit 1981 dhe ndjenjat që u ngjallën atëherë tek njerëzit e zakonshëm, të cilët sollën faktin e madh, që në demonstratat e para madhore të studentëve të dhjetorit 1990, të cilat ishin kundër regjimit dhe kundër sistemit, do të lartësoheshin portretet e Kadaresë dhe të Rexhep Qosjes, si bashkëudhëtarë të mendimitdhe, njëkohësisht, të qendresës.

Nga ana tjetër, do të ishte pikërisht qëndrimi i theksuar atdhetar i intelektualëve shqiptarë të Shqipërisë londineze në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare në Kosovë, që do u jepte zemër njerëzve që kishin filluar një betejë për të fituar një luftë. Kjo do e bënte, më pas, njërin ndër korifejtë e lëvizjes të vazhdueshme ilegale, Afrim Zhitinë, që jo rastësisht të kishte si emër të luftës pseudonimin “Ismaili” dhe nipit të tij t’i vinte emrin “Dritëro”.

Ky ishte reagimi i njerëzve të zakonshëm. Sot, duke paragjykuar gjithçka, mund të thuhen shumë gjëra të ndryshme. Unë e kam përjetuar intensivisht atë kohë, si qytetar dhe si gazetar. Jam, si të thuash, pjesë e dëshmisë që vjen nga poshtë. Nëse dikush, veç fjalëve, do të mund të paraqiste fakte të verteta historike, që hedhin poshtë mendimin tim, atëherë, unë do e rishikoja atë. Por unëkam qenë pjesë e demonstrimeve spontane atdhetare të njerëzve të zakonshëm dhe të intelektualëve shqiptarë, për të cilët Kosova ishte e shenjtë.Jo rastësisht, në janarin e vitit 1991, e para organizatë atdhetare që krijohet në qytetin e Shkodrës dhe në të gjithë Shqipërinë, ishte organizata “Kosova” dhe, jo rastësisht, unë isha një ndër themeluesit e saj.

Megjithatë, gjithë çka ndodhur në Shqipëri, për vetë kushtet e sistemit dhe centralizimit, kishte lidhje me shtetin shqiptar. Nuk mund të përceptosh sot se mund të bëhej diçka, qoftë edhe e zakonshme, etëdilte jashtë strukturave të ngritura, që shtriheshin nga selia e Komitetit Qendror dhe deri tek njësitë më të parëndësishme.

Shteti shqiptar nuk mund të heshtte para ngjarjeve të vitit 1981. “Përkrahja e shtetit shqiptar për protestat e popullit në Kosovë ishte pjesë e detyrës së tij. Nga kjo detyrë ai nuk mund të shmangej, përveçse duke vënë në dyshim zotimin e vet kombëtar. Ose duke deklaruar dobësinë e pafuqinë e tij,” nënvizonstudiuesi i njohur Shaban Sinani.

Kjo është edhe e verteta. Nëse shteti shqiptar do të kishte heshtur, ai, njëkohësisht, do të kishte humbur edhe çfarëdo lloj vlere në vetë popullin e tij, kur, për më shumë, nuk ishte hera e parë që shteti shqiptar hynte në polemika të tilla me shtetin jugosllav. Megjithëse që nga viti 1974 vërehej një farë heshtjejenë polemika, kishte pasur vite të tjera, të mëhershme, në të cilat shteti shqiptar ishte angazhuar me të gjithë potencialet e tij. Pra, kjo nuk do të ndodhte për herë të parë.

Si është vënë në dukje vitet e fundit, nga disa studiues,në letërsinë politike, jo pa qëllim, e me raste edhe nga shkalla e njohjes apo e përjetimit, është përhapur mendimi se shteti shqiptar i periudhës komuniste dhe vetë Enver Hoxha i shfrytëzuan ngjarjet tronditëse dhe të përgjakura të Kosovës “për të krijuar vlerat e një patriotizmi demagogjik ose të një patriotizmi të rremë”.

Mund të ketë qenëkështu. Askush nuk mund të futej në mendjen e një njeriu që, duke qeverisur me dorë të hekurt, ishte krejt i mbyllur, si një engimë e pazgjidhur kurrë.

Sidoqoftë, ka shumë gjëra që duhen parë qetësisht.

Ka të paktën dy arsye të rëndësishme për të besuar se e gjithë ajo, që u ngrit dhe u bë gjatë vitit 1981 dhe më pas, nuk kishte qenë një shfaqje e rremë patriotizmi.Së pari, është rasti të krahasohet përmbajtja e debateve publike të shtetit shqiptar me pjesën e pashfaqur të kësaj polemike, e cila gjendet kryesisht në ditaret e Enver Hoxhës dhe në protokollet e mbledhjeve të Byrosë Politike. Nga ky krahasim del se udhëheqja e lartë e shtetit komunist, edhe në bisedat e brendshme, si në mbledhjet e Byrosë apo të Sekretariatit të Komitetit Qendror, ka diskutuar me të njëjtat teza. Nuk mund të besohet se kjo udhëheqje ka dashur ti bëjë edukatë patriotike vetes, apo të krijojë patriotizëm demagogjik për veten.

Së dyti, pikërisht në këtë periudhë, shteti shqiptar e merr shumë seriozisht konfliktin për Kosovën dhe ndërmerr veprime në fushën diplomatike. Kësaj periudhe i përket nisma e E. Hoxhës për të zbutur tensionet me fqinjët jugorë, ndërsa viziton Shqipërinë një nga figurat më të njohura të politikës gjermane, Shtraus. Asokohe, Gjermania kishte të njëjtin problem si Shqipëria, ndarjen e vet. Ndonësendarja kishte ndodhur më vonë, bashkimi shihej si një mundësi më e largët. Sidoqoftë, politikanët gjermanë e kishin të domosdoshëm një precedent të tillë në Europë, pra një ndryshim të kufijve të pas-Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të përbënte një lehtësi të rëndësishme për ta. Askund tjetër nuk mund të krijohej një precedent i tillë më lehtë se në rastin shqiptar.

Unë nuk e di se si kanë rrjedhur punët në takimet e veçanta, sidomos në bisedat kokë më kokë apo me tre pjesëmarrës, në njësitë e larta të shtetit shqiptar. Nuk e di nëse janë marrë vendime të fshehta dhe është fakt se, përfshiata për ndërrimet e pushtetit dhe të sistemit, çka ishin jetikë të ndërroheshin, ende nuk kanë dalë dokumenta të tjerë, veç atyre që njiheshin që asaj kohe ose u bënë të njohur pak më vonë. Nuk e di as nëse dashuria që Enver Hoxha shfaqte në publik për Kosovën ishte e stisur apo e vertetë.

Kam qenë rastësisht në një takim të tij me motrën e Xhafer Spahiut, anëtar i udhehëqjes së lartë të shtetit shqiptar, i cili, në mos gaboj, e kishte prejardhjen nga Gjakova. Dhe e motra sapo kishte ardhur për vizitë tek ai. Me sa duket ata po shkonin ti uronin ditëlindjen Enver Hoxhës dhe u takuan në një mjedis ku ishin të pranishëm edhe disa gazetarë. Dikush i tha Enverit se Xhafer Spahiu po vinte me motrën e tij, nga Kosova, të cilën nuk e kishte parë prej vitesh. Enveri iu afrua asaj, hapi krahët, e mori mes tyre dhe i tha: “Motra ime, po vdes pa e parë Kosovën”. Gjithçka mund të kishte qenë shfaqje, por, në fakt, kur deshëm ta botonim këtë ngjarje, nuk na u lejua, duke arsyetuar se kjo ishte diçka vetjake e jetës së udhëheqësit.

Unë i takoj atij grupi njerëzish që as nuk mund të marrëkënd në mbrojtje dhe as nuk mund të fajësojë dikë. Unë përpiqem t’i sjell faktet ashtu si i kam përjetuar, pa bërë komentin e tyre, sepse, në raste të tilla, si janë ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, shumëçka do të ishte e tepërt. Ndonëse nuk është aspak e tepërt të analizohet qëndrimi i shtetit shqiptar në këtë periudhë.

Qëndrimi i Shqipërisë ka patur një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos për vetë pjesëmarrësit në kryengritje. Mbështetja publike e hapur, e drejtëpërdrejtë dhe e vendosur e Shqipërisë kishte për ta edhe kuptimin e gatishmërisë për të rrezikuar e për të shkuar edhe më tej. Nëse Shqipëria do të heshtte, thyerja e tyre do të ishte jashtëzakonisht e madhe. Nëse Shqipëria do të kishte dalë kundër kërkesave të tyre, atëherë do të kishim pasur një thyerje historike, që vështirë se mund të ndreqej ndonjëherë. Për fat ndodhi e kundërta e asaj që, ndoshta, kishin menduar në Beograd. Ndodhi ajo që kishin pritur demonstruesit:përkrahja pa ekuivok nga ana e shtetit shqiptar dhe kjo, edhe në kushtet e rënda të gjendjes së jashtëzakonshme, do të ishte një mbështetje shumë e madhe për të vazhduar më tej.

Sidoqoftë, shumë pyetja janë shtruar që atëherë, shumicën e të cilave e shtrova edhe unë në fillimin e këtyre shenimeve, të cilat, e theksoj, kanë më shumë karakterin e njohurive të mija vetjake, se sa synimin e një analize shkencore.

Le t’i marrim disa prej tyre qetësisht, pa dashur të përbaltim ose të heqim baltën që është hedhur.Le të kthehemi edhe një herë me mendje në vitin 1981 dhe, duke e pasur të qartë se çfarë ndodhtenë Kosovë,të analizojmë atë që ndodhte në shtetin shqiptar. Sepse, duke qenë si dy enë kumunikative, duam apo s’duam, deri në një ditë të pritshme, jemi ngërthyer nga fati i këtyre enëve.

Që në ditët e para të pasngjarjeve të marsit të vitit 1981 janë ngritur pyetje të cilat bëhen edhe kësaj dite. Cili ka qenë roli i Shqipërisë në demonstrata? A ishin ato të përgatitura dhe të drejtuara nga shteti shqiptar dhe strukturat e tij të fshehta apo gjithçka kishte ngjarë pa dijeninë e tij dhe shteti shqiptar ishte zënë në befasi? A ishin ato të mirëorganizuara nga shteti shqiptar, qoftë edhe për të spostuar vemendjen nga problemet që po i rriteshin apo shteti shqiptar kërkonte të shpejtonte ritmet e ngjarjeve që mund të vinin? A kishte dijeni drejtuesi i atëhershëm i shtetit shqiptar, Enver Hoxha, apo gjithçka e kishin bërë ndihmësit e tij, pa e vënë atë në dijeni?

Strukturat drejtuese, shtetërore dhe partiake të kohës, në Kosovë dhe në Jugosllavi, pa përjashtim në të gjitha republikat dhe në krahinën e atëhershme të Vojvodinës, pas vetëm pak ditë heshtje, u sulën kundër Shqipërisë, duke e akuzuar atë se, pas gjithçkaje që kishte ndodhur, ishte dora e saj dhe e sigurimit të shtetit shqiptar. Akuzat ishin një kor i përbashkët, te i cili, nga shqiptimi, nuk dallohej nëse ishin sllovenë, kroatë, boshnjakë a malazezë, por ishe shumë e qartë kur ishin serbë e maqedonas. Çuditërisht, nga po të njëjtat grupacione në Kosovë, – pra thellësisht titistë dhe udbashë-, kjo akuzë, ndonëse më e sofistikuar,ngrihet edhe në ditët e sotme,në mbledhjet e turpshme e famëzeza të diferencimit. Nuk është për t’u çuditur sediçka e tillë ndodh. Akuzuesi kryesor i ngjarjeve të marsit 1981 dhe përfituesi më i madh i tyre, Azem Vllasi u rikthye sërish, qoftë edhe përkohësisht, në zyrat e vjetra, si këshilltar i kryeministrit Kosumi. Kjo ishte krejtësisht ndryshe nga sa mund të ishte menduar, kur merret parasysh se, pas demonstratave të vitit 1981, zoti Kosumi do të dënohej me 15 vite burgim të rëndë, si një prej organizatorëve të saj.

Duhet besuar dhe është për t’u besuar, se shteti shqiptar, i cili i kushtonte një vemendje të veçantë vëzhgimit dhe ngritjes së strukturave të kundërzbulimit kudo që e shihte të nevojshme dhe çfarë duhet pranuar se e bënte mjeshtërisht, nuk do të rrinte dorëjashtë nga shtrirja e tij në Jugosllavi e, sidomos, në Kosovë. Mund të mendohet se këtu e kishte edhe më të lehtë, pasi njerëzit ishin shqiptarë, që e donin deri në dhimbje Shqipërinë dhe shtetin shqiptar, që e kishin ushqyer ëndërrën e bashkimit dhe jetesës së përbashkët, dhe që do të kishin vepruar njëlloj, edhe sikur në Shqipëri të vazhdonte të qeveriste monarkia e Zogut.

Është e besueshme se në Kosovë ka pasur njerëz që kanë punuar për shtetin shqiptar, ashtu si në Shqipëri nuk kanë qenë të paktë ata që kanë punuar për shërbimet sekrete jugosllave. Por ka një dallim rrënjësor mes tyre dhe bashkëpunëtorëve të UDB-së,qofshin këto të fundit në Kosovë apo në Shqipëri. Bile, mund të thuhet se nuk kishte asnjë lloj krahasimi mes tyre. Ata, që kishin pranuar të punonin për shtetin shqiptar, nuk e bënin këtë sepse donin grada apo tituj, se ishin nevojtarë dhe kishin hallin e bukës së gojës, apo të një jete në luks. Ata kishin ëndërrime e synime të tjera. Lidhja e tyre, qoftë organizative apo strukturore me shtetin shqiptar, ishte preludi i asaj që mendohej se do të vinte, bashkimi i trojeve, dhe për këtë ata kishin sakrifikuar e do të sakrifikonin gjithçka.

Në të kundërtën e tyre, udbashët, dyfish të shitur, si bashkëpunëtorë të sigurimit që kishte robëruar vendin e tyre dhe në dëm të interesave jetike të Kosovës, janë faqja më e errët dhe më makabre e historisë së Kosovës në 50 vitet e fundit.Asnjëherë, në asnjë kohë, Kosova nuk ka pasur kësoj lloj mostrash të përbindshme, të cilët, dy herë të kuq dhe dy herë të zinj, titistë si ideologji dhe udbashë si profesion, janë turpi i çdo vendi. Çuditërisht e jo çuditërisht, këta njerëz, edhe atëherë, edhe sot, kanë të njëjtin qëndrim ndaj ngjarjeve të vitit 1981.

Tani që kanë kaluar më shumë se 40 vite mund të them me bindje se shteti shqiptar është zënë në befasi nga ngjarjet e vitit 1981. Ai nuk e ka pritur këtë, qoftë edhe për shkak të rrethanave disi të veçanta që ishin krijuar në parangjarjet e demonstratave të marsit.

Ishte një periudhë disi zbutjeje në marrëdhëniet mes dy shteteve. Drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar sikur e kishin pranuar ‘luftën e heshtur’ me regjimin titist se cili do të influenconte më shumë tek tjetri, përmes shkëmbimesh kulturore e njerëzore, kontakteve, vëzhgimit të drejtëpërdrejtë e kështu me rradhë. Që nga ndërprerja e marrëdhënieve mes dy shteteve, nuk kishte ndodhur asnjëherë një gjë e tillë. Dhe nga shndërrimet që po ndodhnin marramendshëm shpejt, të dy regjimet, sikur kishin vënë në lojë atë që do të ndodhte në të ardhmen. Afërsia po bëhej gjithnjë e më e ndjeshme, kontaktet po bëheshin të zakonshme, njësimi i gjuhës shqipe dhe pranimi i teksteve të shtetit shqiptar në programet mësimore të Kosovës (duke hequr vetëm citimet politike), po bëheshin dukuri e natyrshme. Në këto kushte, si duket, shteti shqiptar nuk e kishte të menduar se mund të ndodhte në Kosovë, diçka e tillë si demonstratat e vitit 1981.

Regjimi titist kishte qenë i bindur se nga kontaktet do të rritej ndikimi i tyre, qoftë edhe për shkak se në Shqipëri, krahas të merituarve, u dërguan, nën gjithëfarë petku, edhe bashkëpunëtorët e fshehtë të sigurimit serb. Shkrimtari Mehmet Kraja, në librin e tij “Vite të humbura”, duke treguar për pasudhëtimin e tij të parë në Shqipëri, sëbashku me dy kolegë të “Rilindjes”, dëshmon edhe për faktin se bashkëudhëtarët e tij gazetarë, në zyrat e Prishtinës, po grindeshin me njëri tjetrin se kujt i takonte “nderi” të përpilonte informacionin për UDB-në.

Ndryshe nga sa ishte pritur në Beograd apo në Prishtinë, mes dy përpjekjeve, ishte e natyrshme që influenca e shtetit shqiptar të ishte më e madhe. Duhet pranuar se në këtë kohë, në Shqipëri, niveli arsimor e kulturor i botimeve dhe i rrjeteve të informimit, universiteti dhe institutet, njerëzit përgjithësisht, ishin më të ngritur. Ndjenja për Kosovën ishte në zenithin e saj. Nga ana tjetër, ata që vinin nga Kosova në Shqipëri kishin marrë me vete, në rradhë të parë, mallin dhe nuk mund t’i pranonin aq lehtë kundërshtitë që dukeshin. Ishte një kohë kur po bëhej e zakonshme të udhëtoje për në Prishtinë dhe të takoheshe me shokët e të njohurit; ishte bërëe zakonshme që libri shqip të ishte i njëjtë si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Shteti shqiptar, në këtë kohë, mendonte se duhej pritur, se nuk duhej ngutur dhe se, ngutja pikërisht në këtë kohë, mund të sillte djegien e etapave. Mirëpo ndodhi e kundërta,ajo solli përshpejtimin e proceseve.

Udhëheqja e shtetit shqiptar ishte e bindur se krijesa jugosllave nuk do të ishte jetëgjatë, sidomos pas vdekjes së Titos. Dhjetë vite para se të ndodhte shpartallimi i përgjakshëm i saj, një gjë e tillë ishte parashikuar në librin e Enver Hoxhës mbi vetadministrimin. Dhe kjo jo vetëm që ishte shkruar, por edhe ishte besuar, e jo vetëm ngadrejtuesit e lartë, por edhe nga njerëzit e zakonshëm.Ndaj, duke priturkëtë rënie, shteti shqiptar mendonte se duhej pritur edhe një tjetër moment.Në atë kohë, në aparatin drejtues të Komitetit Qendror, sidomos në drejtorinë për Kosovën – sepse ka ekzistuar një drejtori e tillë e veçantë, e cila zakonisht drejtohejnga një anëtar i Komitetit Qendror, si përshembull Mehmet Karakushin, nga familja e njohur e Karakushëve të Kukësit, – mbizotëronte mendimi se përshpejtimi i proceseve, ndërsa shprishja jugosllave ende nuk kishte filluar, do të shoqërohejnga reprezalje masive.

Në shtatorin e vitit 1982, si kam shkruar më sipër, në takimin me Ramiz Alinë, në shtëpinë e tij të detyruar, unë e kam pyetur edhe për ngjarjet e marsit të vitit 1981. Megjithëse natyra e tij, jo rrallë, është sfinksore, përgjigjja ishte e besueshme. Zoti Alia, i cili, në vitin 1981, ishte sekretar i KQ për Propogandën dhe një ndër autoritetet më të besueshme të Enver Hoxhës, sigurisht, që do të ishte fare mirë në dijeni të rrjedhës së ngjarjeve.Asokohe, ai ishte njeriu nr.3 i shtetit, pas vdekjes dy vite më parë të Hysni Kapos. Alia më tha se shteti shqiptar nuk i kishte pritur këto ngjarje, sepse në planet afatgjata të shtetit dhe të partisë kishte prognoza të tjera. Ishte menduar për një ecje ndryshe, duke mbështetur, njëkohësisht, lëvizjet që mund të ndodhnin.

Që shteti shqiptar dhe strukturat e tij u zunë krejt papritur dëshmohet edhe nga mungesa e plotë e informacionit që kishte në ditët e para. Nuk dihej se kush ishte organizatori dhe cilat ishin qëllimet themelore; nuk dihej nëse ishte një lëvizje spontane, sporadike apo gjithçka ishte e organizuar, nëse kishte në thelbin e saj kërkesa të zakonshme jetësore apo ishte një lëvizje politike, e fshehur përkohësisht pas aspekteve sociale.

Për reagimin e vonuar të shtetit shqiptar është polemizuar shpesh, sidomos pas vitit 1990. Ka qenë njëreagim i vonuar apo në kohën e duhur, pra atëherëkur është dashur të bëhet një reagim i tillë? Ka qenë një reagim i cili kishte në thelbin e vet qëndrimin kombëtar të shtetit shqiptar, apo gjithçka ishte fasadë patriotike? Është ky një moment kur qëndrimi kombëtar ndahet përfundimisht nga qëndrimi ideologjik, apo bëhet fjalë për një përputhje mes tyre, si vazhdim të njëri tjetrit?

Demonstratat e vitit 1981, sido që të arsyetohet sot, e gjetën shtetin shqiptar me një qëndrim kombëtar të përcaktuar dhe të afishuar. E vërteta është se fillimi i demonstratave ka datën e 11 marsit 1981, ndërsa qëndrimi i parë i afishuar i shtetit shqiptar është i datës 8 prill 1981. Ka një diferencë rreth një mujore mes tyre dhe gjatë kësaj kohe, tashmë, për shtetin shqiptar, gjithçka ishte qartësuar.

Ka pasur thënie se “shteti shqiptar heshti në fillim, pasi nuk e dinte saktësisht se cilët ishin pas këtyre demonstratave, forcat ilegale të majta apo forcat e dikurshme të djathta”. Gjithashtu, është thënë se, “dyshimi se e gjithë kjo kishte ndodhur ishte nën organizimin e “pjesëve të Ballit” apo të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe, meqë këto forca nuk kishin lidhje me shtetin shqiptar,fillimisht është heshtur”. Dyshimi ka shkuar edhe më tej, duke hedhur mendimin se sikur e gjithë kjo të ishte ndërmarrë nga nacionalistët shqiptarë, shteti shqiptar nuk do i kishte përkrahur, pasi, për qeverinë e Tiranës, në rradhë të parë ishin parimet ose prirjet ideologjike.

Mendoj se është krejtësisht ndryshe. Së pari, shteti shqiptar kishte lidhje me forcat e ashtuquajtura nacionaliste të shqiptarëve në Kosovë. Dem Ali Pozhari ishte njeriu që ishte ftuar përsonalisht në shtetin shqiptar dhe ishte pritur nga Enver Hoxha, me një organizim të posaçëm dhe publicitet të rrjedhshëm. Nga ana tjetër, ekzistojnë ende shënimet e Enver Hoxhës, si letër porosi, për forcat ilegale të majta të Kosovës, brenda vendit ose në diasporë, në të cilat, jep mendimin e një bashkëpunimi të ngushtë me Ballin Kombëtar të Kosovës, i cili, po sipas shënimeve, ishte patriot dhe krejt ndryshe nga Balli Kombëtar në Shqipëri, i cili kishte qenë, kolaboracionist. Një dallim i tillë, i bërë haptas, ngre idenë se parësore për afishimin e qëndrimit të shtetit shqiptar nuk ka qenë se kush i organizoi, por çfarë ishte thelbi i tyre.

Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 kishin, në shumicën e tyre dërmuese, kërkesa të karakterit social. Prandaj ata edhe u injoruan nga shteti federativ, u minimizuan. Duhej të vinte dita e 26 marsit, dy javë më pas, që gjithçka të bëhej saktësisht e ditur se çfarë donin dhe çfarë kërkonin shqiptarët në Kosovë. Me 26 mars, kërkesat sociale kaluan në rradhë të tretë, dhe u shfaq haptas kërkesa për Republikën e Kosovës dhe për të drejtat politike të shqiptarëve në Kosovë. Këto kërkesa, që u afishuan edhe në ngjarjet e 1 dhe 2 prillit, do të ishin boshti dhe themeli i vertetë i ngjarjeve të pranverës së vitit 1981. Këto kërkesa do i përkrahte fuqimisht edhe shteti shqiptar.

Nga 26 marsi dhe deri më 8 prill, do të ishin në mes vetëm 12 ditë, kohë jo e gjatë për të afishuar qëndrimin e hapur të një shteti, jo përmes një deklarate politike të një zëdhënësi të ministrisë së punëve të jashtme, por përmes drejtuesit të atëhershëm të shtetit shqiptar.

Themelore është se shteti shqiptar nuk kishte hezitime në qëndrimin që do të mbante. Kjo ishte parësore. Po ashtu parësore ishte se ky qëndrim i shtetit shqiptar ishte në përputhje të plotë me qëndrimin e shtetasve të tij. Momenti i afishimit, që kur kërkesat sociale në Kosovë u bënë kërkesa politike dhe deri tek publikimi më 8 prill i qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk është një vonesë aq e madhe sa bëhet e aq sa dëshirohet të bëhet. Parësore në qëndrimin që u mbajt, çfarë mund të shihet edhe pas shumë viteve, është nëse ishte një qëndrim i drejtë, kombëtar, apo ishte në të kundërshtim me atë që po ndodhte në Kosovë.

Duke mbajtur vesh nga qëndrimi i Shqipërisë,strukturat diferencuese në Kosovë, në reagimet e tyre të para, nuk u ngutën të sulmojnë, pasi, për ta, do të kishte qenë shumë e leverdishme, nëse shteti shqiptar do të kishte heshtur. Kjo do u tregonte demonstruesve dhe,sidomos, të burgosurve politikë se ishin të vetmuar.

Qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar u bë i njohur më 8 prill 1981, përmes artikullit të gjatë “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?”( “Zëri i Popullit”, 08. 04. 1981).

Po cilat ishin disa nga idetë thelbësore të këtij qëndrimi, kundër të cilave u vërsulën me një furi të pabesueshme të gjitha strukturat partiake dhe qeverisëse jugosllave, mes të cilave edhe shumë nga vasalët e tyre shqiptarë? A përbënin ata thelbin e asaj që kishte ndodhur dhe publikisht? A bënin ata të njohur se ‘e përkëdhelura jugosllave’ kishte fshehur nën mantelin e jetës të përmirësuar, të verteta të mjerueshme, që kishin pas vetes, çka u dëshmua më pas, gjakimin e të gjithë popujve që përbënin atë?

Ndoshta do të ishte e vlefshme nëse do  riktheheshim në disa nga qëndrimet e shfaqura më 8 prill 1981.

Por, pavarësisht nga ç’thuhet e ç’shkruhet në Jugosllavi, shkaqet e vërteta të demonstratave të Kosovës, përmbajtja e tyre, kërkesat që u paraqitën në to nuk mund të mbulohen me frazeologjira të rreme dhe të zhurmshme, siç veprojnë shtabet e Beogradit. Çdo njeri objektiv, çdo vëzhgues i paanshmëm e shikon dhe e kupton menjëherë se në bazë të ngjarjeve të fundit në Kosovë qëndrojnë prapambetja e madhe e kësaj krahine, varfëria e mjerimi i njerëzve të saj, mungesa e lirive demokratike dhe e të drejtave politike. Demonstratat janë shpërthimi i një gjendjeje të padurueshme që vazhdon prej dhjetëra vjetësh, është errësimi i mëtejshëm i perspektivës për të dalë nga kjo gjendje.

– Tani, popullsia shqiptare që jeton në Kosovë dhe që përbën pjesën dërrmuese të saj, kërkon, brenda normave kushtetuese, por edhe në rrugë, që Krahina e Kosovës të çlirohet nga tutela e Serbisë, ajo kërkon t’i njihet statusi i një republike brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Ç’krim bëri populli i Kosovës me këtë kërkesë, që u cilësua si i tillë nga udhëheqja e Federatës së Jugosllavisë dhe nga disa udhëheqës kryesorë të Krahinës së Kosovës? Ai s’bëri asnjë krim. Përkundrazi, këto kërkesa të ligjshme janë nënvlerësuar, janë quajtur armiqësore, prandaj dhe u arrit në demonstratat që u zhvilluan.

Asnjëherë populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera të Jugosllavisë nuk është lejuar të shprehet lirisht dhe në mënyrë demokratike mbi statusin që duhej të kishin krahinat ku ata banonin. Persona të tjerë kanë vendosur për ta.

– Jo vetëm kaq, por studentët trima kosovarë i akuzuan se gjoja vepruan si gangsterët e Çikagos dhe vunë përpara kalamanët e vegjël. Këto zakone të ndyra mund të jenë cilësi të të tjerëve, por kurrë të shiptarëve që kanë luftuar dhe luftojnë me pallën sheshit. Pretendimi i shtypit jugosllav vërteton të kundërtën, se demonstratat ishin popullore dhe paqësore. Ky pretendim, gjithashtu, të le të kuptosh, se, po të mos ishin turma nxënësish, policia serbe do t’i kish grirë njerëzit me mitraloza. Këto gjëra nuk harrohen kollaj. Ato nuk tregojnë forcën, por dobësinë, nuk tregojnë pjekurinë, por hutimin”.

Afishimi i qëndrimit të hapur të shtetit shqiptar, edhe pse më pas është quajtur i vonuar, mendoj se ka qenë në kohën e duhur e, po ashtu, edhe në nivelin e duhur. Edhe sot, këtij qëndrimi as nuk mund t’i shtohet gjë eas t’i hiqet gjë. Edhe nëse ka qenë vetëm një perde patriotike, çfarë nuk është e saktë, një qëndrim i tillë ishte i mirëpritur në tërë skenën politike ilegale të Kosovës dhe tek të gjithë njerëzit e thjeshtë.Po të kishte ndodhur e kundërta, në rast se shteti shqiptar do të kishte mbështetur dhunën policore, tanket dhe reprezaljet në Kosovë, ose nëse do të kishte heshtur, kjo do të përbënte njërën ndër thyerjet më të mëdha të kombit. Fakti është se në vitin 1981, i gjithë arsenali i propogandës titiste e udbashe synoi pikërisht në thyerjen e asaj që ekzistonte mes shqiptarëve, pavarësisht kufijve të vendosur. Pikësynimiishte ndërtimi i një miti të rremë për shqiptarët “ndryshe”, që ishin në Kosovë, ashtu si kishin bërë deri atëherë mekanizmat serbë me ndarjen e shqiptarëve në “të ndershëm” dhe “rebelë”.

Pas afishimit të qëndrimit të shtetit shqiptar, në Kosovë, pa mëdyshje, kemi dy tabllo të ndryshme. Nga njëra anë është ndjenja e madhe e lehtësimit dhe e ripërtëritjes që përshkoi demonstruesit, sidomos të burgosurit politikë, ndërsa nga ana tjetër egërsia e mekanizmave shtetërore. I gjithë mekanizmi i stërmadh titist, në gjashtë republika dhe në dy krahina, u vu në lëvizje. Nuk duhet harruar se ky mekanizëm kishte, asokohe, mbështetje jo të paktë. Jugosllavia e pas-Titos, ndonëse e çalë, ende kishte një vello, që kur do i hiqej plotësisht, do të dilte nëpah gjakimi që ndodhi. Asnjë krijesë e sajuar shtetesh dhe e mbështetur aq verbërisht, nuk do të kishte një fund aq të përgjakshëm sa Jugosllavia e Titos. “Plaku”, si e quanin asaj kohe, kishte mbajtur vendin nën vete, por, ndërkohë, nacionalizmat, kishin mprehur thikat. Shqiptarët nuk do të duhej të bëheshin kurban i këtij gjakimi; në fillimin e gjithçkaje për to ishte e rëndësishme të dihej se, edhe në një moment pashmangshmërisht të vështirë të ardhshëm, do të kishin një mbështetje nga shteti shqiptar.

Është e qartë pse u sulën kundër Shqipërisë gjithëfarë robinjsh sllavë, por më e çuditshme ishte se nuk mbetën pas tyre as çakejtë shqipfolës. Dushan Ristiç thërriste se “kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria” dhe kjo është edhe faza, kur për të disatën herë ngrijnë marrëdhëniet mes dy shteteve. Por njerëzit, besoj, nuk i kanë harruar edhe Kolë Shirokën, Xhavit Nimanin, Fadil Hoxhën, Veli Devën, që, si tëpërmjerrur, bridhnin nëpër sallat famëzeza të diferencimit. Pikërisht në atë kohë filloi të merrte “hov” edhe një nga pinjollët më të paskrupullt të titizmit dhe të diferencimit, Azem Vllasi, karriera e të cilit, si rrallë herë, u ngrit mbi gjakun që ishte derdhur në pranverën e vitit 1981, dhe, po ashtu, si rrallë herë, edhe pas kaq vitesh, mbetet në të njëjtën pozitë mjerane dhe diferencuese.

Deri në atë kohë,në shtypin e shtetit shqiptar, ishte bërë kujdes me emrat e politikanëve shqiptarë të Kosovës. Ata, ose nuk përmendeshin ose, përgjithësisht, përmendeshin pa asnjë kontekst, negativ apo pozitiv. Mendohej, në rrethe të ngushta gazetarësh, se kjo vjen nga një lloj nostalgjie e Enver Hoxhës, pasi ata ishin nisur nga vetë ai për të organizuar luftën në Kosovë dhe për të organizuar Konferencën e Bujanit. Nostalgji, që po ashtu nuk ishte edhe shumë e justifikueshme, nëse, njëkohësisht, merrje parasysh edhe të tjera ngjarje. Por, kur filloi debati i madh, kjo tabu u thye dhe, për herë të parë, u bë publike shprehja “një qen serb me emrin Sinan Hasani”.

Për implikimin e drejtëpërdrejtë të shtetit shqiptar në ngjarjet e marsit, edhe pas kaq vitesh, nuk është sjellë ndonjë provë konkrete. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur implikim indirekt, përmes një mijë e një gjërave të tjera, si propoganda që bëhej posaçërisht për Kosovën, nëpërmjet radistacioneve dhe TV Shqiptar, dërgimit të librave dhe kontakteve me njerëz të ndryshëm. Mirëpo, këto nuk përbëjnë fakt dhe nuk janë forcë madhore për të organizuar ngjarjet e pranverës së vitit 1981.

Muajt që kalonin, natyrisht duke mos i lënë asgjë spontanitetit, e bënë edhe më të qartë qëndrimin e shtetit shqiptar.

Më 23 prill, përsëri në “Zërin e Popullit” dhe përmes RTSH, u bë publik artikulli “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë”. Ishte një përshkallzim i mëtejshëm i qëndrimit të shtetit shqiptar dhe përsëri, për këdo qe e qartë se, në mos në të gjithin, në thelbin e artikullit ishte dora e Enver Hoxhës.

Çfarë kishte të re në këtë qëndrim të afishuar për herë të dytë?

Le të shkëputim tre nga pasazhet më thelbësorë:

– Udhëheqësit jugosllavë, që nga më i madhi deri te më i vogli, pretendojnë se në vendin e tyre për të gjitha kombet dhe kombësitë ekziston “barazia në të drejta politike dhe ekonomike”, eziston “bashkim-vëllazërimi”. Po si mund të besohen ata, kur një republikë apo një krahinë trajtohet si “djali i nënës” dhe krahina tjetër si “i njerkës”, kur një “vëlla” ha me lugë të artë, kurse tjetri me lugë të vogël prej druri? Kjo nuk tregon as “bashkim”, as “vëllazërim.

– Dolanci, në intervistën që përmendëm, tha se në demonstratat në Kosovë u vranë 11 veta. Një shërbëtor i tij shqiptar nga udhëheqja e Kosovës tha nëntë. Me sa duket, s’patën kohë të merreshin vesh dhe të binin dakord. Megjithatë, të gjithë gënjyen opinionin botëror dhe atë jugosllav. Por këto më mirë i di vetë populli i Kosovës, pse gjaku i tij u derdh. Ai e di, gjithashtu, pse u derdh ky gjak dhe kush e bëri këtë gjëmë.

– Në rast se në demonstrata ishin pak njerëz, atëherë pse Beogradi dërgoi ushtrinë, milicinë e kryeqytetit, tanket dhe avionët? Përse u vranë dhe u plagosën me armë zjarri aq njerëz dhe përse u vendos shtetrrethimi? Për një “grusht të vogël armiqsh”, për 10-15 veta që u quajtën nga udhëheqja jugosllave “reaksionarë, shovinistë, e irredentistë”?

Vallë për një kokërr limoni prishet dasma, ajo “dasmë”, për të cilën tani nga të katër anët e Jugosllavisë vërshojnë si ujët e Danubit, të Savës dhe të Dravës telegramet plot indinjatë e zemërim kundër “shovinistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, dhe plot himne ditirambike për “unitetin e kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë”?

Me të tilla truke nuk është e lehtë të gënjehet një popull trim e i pjekur, siç është populli shqiptar që jeton në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë, të gënjehen punëtorët, fshatarët, studentët dhe intelegjencia e ndershme, të cilët janë të ndërgjegjshëm për jetën dhe fatin e kombit të tyre.

Kush e ndjell dhe e nxit, pra. armiqësinë në mes popujve të Jugosllavisë? Artikulli i natyrshëm, i drejtë dhe i matur i “Zërit të Popullit”, apo kjo fushatë e tërbuar që ka ngritur udhëheqja e Jugosllavisë kundër popullsisë shqiptare të Kosovës?.

Artikulli i 8 prillit 1981, që ishte edhe shfaqja e parë e qëndrimit politik dhe kombëtar i shtetit shqiptar, ishte pritur padyshim me një ankth të madh nga demonstruesit, dhe secila ditë që kalonte, e shtonte ankthin e pritjes së tyre. Demonstruesit e kishin të qartë dhe e kishin pritur se nga shovinizmi serbomadh dhe pasuesit e tyre në Kosovë do të quheshin, ashtu si u quajtën, “shovinistë, irredentistë, reaksionarë, shqiptaromëdhenj, prishës të bashkim –vllaznimit” etj. etj. Heshtja disaditoree shtetit shqiptar i kishte futur ata në një dyshimtjetër: mos vallë kishin gabuar dhe nuk do e kishin këtë mbështetje, të cilën edhe e pritnin.

Thyerja e heshtjes dhe qëndrimi i shtetit amë kishte sjellë qetësinë e pritur të shpirtit të tyre, por njëkohësisht, edhe arrogancën dhe thelbin nacionalist serbomadh. Për shtetin jugosllav dhe sidomos atë serb, qëndrimi i shtetit shqiptar, ashtu si po ndodhte,dhe afishimi i gjendjes së vertetë në Kosovë, ishin shkaku themelor i ngrirjes së marrëdhënieve dypalëshe, gjë që ishte llogaritur se mund të ndodhte edhe nga Shqipëria, dhe ishin marrë parasysh të gjitha pasojat e mundshme.

Megjithate shteti shqiptar shkoi edhe më tej në afishimin e qëndrimit të tij. Ndoshta ishte pritur se, në mos një ditë, një ditë tjetër, mendjet e arsyeshme të politikës jugosllave, gjithmonë nëse do të kishte të tilla, do ta kuptonin të vertetën se përmes gjakut dhe vrasjeve nuk mund të qetësohej gjendja në Kosovë. Kishte qenë një pritshmëri e kotë, ashtu si do të ishte edhe më vonë. Duke mos marrë përsipër rolin primar, strukturat e larta të shtetit, organizuan afishimin dhe mbështetjen e mendimit intelektual shqiptar, në të gjitha organet dhe ne të gjitha strukturat e mundshme. Qëllimi i kësaj fushate nuk ishte thjesht mbështetja e qendresës që po ndodhte në Kosovë, por edhe dëshmimi historik, moral dhe kushtetues i së drejtës së shqiptarëve në Jugosllavi për të patur republikën e tyre, si kërkesë themelore e demonstruesve.

Është mëkat i madh dhe faj i jashtëzakonshëm historik,që klasa politike në Kosovë, me përjashtime të rralla, si Pajazit Nushi, Ymer Jaka, Ukshin Hoti, nuk u ngrit, të paktën në nivelin kombëtar të demonstruesve të thjeshtë. Ata u kthyen në pinjollë, herë pas here të neveritshëm, të mbështetjes së masave të jashtëzakonshme dhe dhunës policore që ushtronte Beogradi mbi popullin e tyre. Kjo ishte dhe vazhdon të mbetet njolla më e madhe politike e kësaj klase, e cila, jashtëzakonisht paarsyeshëm, vazhdoi rrugën e diferencimit masiv mes popullit, krijoi mitin e rremë të “demonstratave armiqsore”, thirri në ndihmë ushtrinë dhe policinë serbe dhe lejoi, që, edhe një herë, të gjakosej populli i Kosovës. Mjerisht, në asnjë tubim publik, kjo klasë politike, nuk mbështeti haptas kërkesën për Republikën e Kosovës.

Atëherë kjo detyrë, që ishte edhe imperativ i kohës, u mor përsipër nga shteti shqiptar, i cili afishoi hapur se,“Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejtë” (“Zëri i Popullit”, 17. 05. 1981)

Esenciale në afishimin e 17 majit të vitit 1981 ishte:

Kosova do të qetësohet po të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqet ushtria dhe policia ndëshkuese serbe, të normalizohet gjendja, të lirohen të burgosurit e pafajshëm që kanë mbushur burgjet, t’u kthehen familjeve të vrarët e tyre në demonstrata, se kjo është një çështje e shenjtë dhe humanitare. Studioni me vëmendje dhe drejtësi kërkesën e popullit të Kosovës për republikë, zgjidhni drejtë problemet ekonomike të saj. Vetëm kështu do të qetësohet Kosova.

– Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave. Ky status përfaqëson aspiratën e një populli të madh që kërkon me të drejtë “statusin e sovranitetit” dhe jo atë të “pakicës kombëtare”, që padrejtësisht i ka pasë qenë caktuar që në Jajcë.

– Kërkesa e Kosovës për të fituar statusin e republikës federale është e drejtë. Ajo këtë e ka merituar me luftën që ka bërë bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër fashizmit. Shovinizmi serbomadh e ka gjakosur rëndë Kosovën dhe ka krijuar një situatë të tillë, që me ekspedientë zor se shërohet.

– Për sa u përket atyre “udhëheqësve shqiptarë” që morën fjalën në këtë forum të lartë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ose jashtë këtij forumi, fjalimet e tyre u karakterizuan nga një histeri sa e madhe, aq edhe servile e shërbyese ndaj zotërinjve të tyre Vidiç, Miniç, Stamboliç etj. Kuptohet se këta “udhëheqës” fantoshë i urren populli i Kosovës.

Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje “Shqipëri të vogël” ose “Shqipëri të madhe”. Këta shqiptarë të kësaj Shqipërie “të vogël” ose “të madhe”, që përbëjnë një popull kompakt dhe që kanë të gjitha tiparet e një kombi të vërtetë, as kanë zaptuar tokat e të tjerëve, as kanë shkelur të drejtat e ndokujt. Ata vetëm të drejtat e veta kanë kërkuar, i kanë mbrojtur dhe do t’i mbrojnë. Këtë ju e gjeni të jashtënatyrshme, e quani “shqiptaromadhe”, “nacionaliste”, deri dhe “fashiste”. Kur Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës, për të cilën kanë luftuar 50 mijë partizanë, ju guxoni ta quani këtë një kërkesë kundërrevolucionare, nacionalizëm shqiptar e t’i ngjitni plot epitete të tilla.

* * *

A ishte në dijeni Enver Hoxha për ngjarjet që po përgatiteshin në Kosovë në pranverën e vitit 1981?

Dikujt mund t’i duket absurde ngritja e një pyetje të tillë. Logjika e thjeshtë të çon tek mendimi se, derisa shteti shqiptar nuk ishte në dijeni, edhe ai, Enver Hoxha, që ishte nr. 1 i padiskutueshëm i shtetit,nuk mund ta dinte. Në këtë rast, njësimi i dijenisë së shtetit me atë që ka ditur Enver Hoxha mund të jetë i vertetë, ashtu si edhe është e mundur që të ketë qenë ndryshe.

A mund të ngrihet një tezë e tillë? Thënë të drejtën, deri para disa vitesh, edhe unë nuk e kisha menduar kurrë se mund të ngrija një tezë të tillë. Duke ditur sot, atë që nuk kemi ditur dje, pra mekanizmin e fshehtë të shtetit shqiptar, nganjëherë deri në strukturat më të panjohura, duke patur sot akses nëpjesë të arshivave që kanë qenë rreptësisht të mbyllura, edhe mund të mendohet se, ndryshe nga pjesët e tjera të shtetit, ai mund të ketë qenë i përgatitur ose, më saktë, ka qenë në pritjen e asaj qëpotencialisht do të ndodhte, pa e ditur saktësisht se kur.

Në shtetin shqiptar kishte struktura të fuqishme të sigurimit të shtetit, sidomos të atyre segmentëve që merreshin me survejimin e shteteve, të cilat quheshin, konsideroheshin dhe, jo rrallë, ishin armiq të kombit shqiptar.

Krahas strukturave të ditura, të njohura, qoftë për publikun, qoftë për kundërzbulimin, ka pasur edhe një strukturë tjetër, e cila varej, në rastet më të shumta, direkt dhe nga askush tjetër veç Enver Hoxhës, dhe e cila, më shumë se gjithçka, kishte lidhje me zbulimin e jashtëm. Nuk janë të pakta rastet, që janë bërë të ditur më vonë, kur vetë Enver Hoxha ka drejtuar lidhje të posaçme dhe ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me diplomatë,gazetarë,specialistë, e biznesmenë të huaj, disa prej të cilëve, i kanë sjellë atij informata nga më sekretet.

Është i njohur tashmë fakti se, mes shumë të tjerëve, shërbimi i ngritur dhe i kontrolluar nga EH dhe grupi i veçantë pranë tij, kishte tëinfiltuar edhe pranë CIA-s, të cilëtkishin role të rëndësishme në operacionet që kryheshin në drejtim të Shqipërisë apo që lidheshin me ngjarjet në pjesët e banuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Njeriu i njohur në dosjet e Sigurimit të shtetit shqiptar si “Sali Dani” ishte njëkohësisht edhe një ndër funksionarët më të rëndësishëm të CIA-s. Nëpërmjet tij,diku në mesin e viteve ’70, shteti shqiptarkishte arritur të merrte gjithë rrjetin e agjentëve të UDB-së në Shqipëri, por edhe të Asfalisë greke dhe të shërbimit sekret italian. Do të ishte i njëjti agjent, i cili vendosi një lidhje mes EH dhe agjentit të shkallës së lartë, rusit Njekov, i arratisur nga BS, bashkëpunëtor i CIA-s dhe i disa shërbimeve të tjera sekrete,gazetar dhe botues në Romë.

Përse i solla këto pasazhe? Përmes lidhjeve të krijuara me botën agjenturore, lidhje të cilat, e përsëris, kanë qenë shumë të fuqishme, EH kishte një informacion, shpeshherë, më të gjerë se sa vetë strukturat zyrtare të shtetit. Jo rrallë, të dhënat e veçanta ishin vetëm për EH. Është krejt e mundur, që, pikërisht në kohët e para të pasvdekjes së Titos, EH të jetë informuar gjerësisht jo vetëm mbi të zakonshmet, por edhe mbi shumë më tepër se kaq. Si duket, informacioni i tij ka shkuar përtej sferave të zakonshme, dhe lidhjet e tij, jo rrallë, kanë qenë shumë më të thella, se sa ato që mund të dukeshin.

Struktura të tilla kishin lidhje me sfera të larta të shteteve të ndryshme,sidomos ballkanike dhe euroatlantike, ata nuk hynin në veprim përgjëra të vogla dhe me pak vlerë, por për aktivitete të një rëndësie të veçantë, si ishte rasti i gazetarit të njohur ruso-italian Njekov, i cili, çuditërisht, pas realizimit të disa misioneve që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me EH, u gjend misteriozisht i vrarë. EH i ruante këto struktura vetëm për linjën e tij, as ministri i punëve të brendshme, shpeshherë, nuk e dinte fillin e tyre dhe nuk kishte lidhje me to.

Njëkohësisht, si është bërë e njohur më vonë se drejtues të ndryshëm të lëvizjeve klandestine në Kosovë, por edhe funksionarë të kohës, kanë pasur lidhje të veçanta me individë të caktuar në Shqipëri. Ata monitoronin nga afër ngjarjet në Kosovë dhe, megjithëse ishin pjesë e Sigurimit të Shtetit, përgjigjeshin direkt në trupën e ngritur nga Enver Hoxha, si ishte rasti i Ajet Haxhiut apo të tjerëve pranë tij.

Si duket, ishin pikërisht këto struktura, jashtë dhe brenda Kosovës, që, duke përdorur lidhjet e dyfishta, në fillimin e vitit 1980, e lajmëruan EH se, ndonëse gjendja në Kosovë në sipërfaqe dukej e qetë, nuk ishte ashtu. Ata e lajmëruan po ashtu se, megjithë heshtjen që zotëronte, shteti jugsllav dhe, sidomos, nacionalizmi serb po përgatitej të lante përfundimisht hesapet me kombet e tjerë në ish Jugosllavi dhe se Kosova do të ishte kurbani i parë i madh i kësaj bëme. Ekzistonin të gjitha shenjat se miti i Rankoviçit kërkonte të zgjohej, dhe këtë, jo rrallë, e kishin vërejtur edhe republikat e tjera jugosllave, sidomos kroatët dhe sllovenët, të cilët, përmes lidhjeve të tjera, kishin lajmëruar për rrezikun që mund t’i vinte. Kroatëve apo sllovenëve nuk do u vinte aspak keq sikur i gjithë tërbimi nacionalserb të shkonte drejt shqiptarëve. Ata kishin filluar ta nxisnin këtë tërbim, duke menduar se kështu gjithçka do të rrokullisej drejt viseve shqipfolëse.

Sidoqoftë, unë mendoj se, edhe nëse i ka ditur ngjarjet që mund të vinin, EH nuk ka bërë asgjë për t’i shpejtuar apo për t’i shmangur lëvizjet e marsit 1981. Të paktën nuk ka bërë asgjë të dukshme, sepse, për atë që për shumë vite ishte e padukshme, ai filloi të bënte. Ndoshta askujt tjetër, më shumë sesa EH, nuk do i kishte intesuar një zhvillim i fuqishëm jashtë kufijve. Kjodo të zhvendoste vemendjen drejt një caku tjetër shqiptar, përmes të cilit, qarku i problemeve që kishin lindur në Shqipëri do të hidhej mbi supet e tjetërkujt. Mjeshtër në përdorimin e situatave në dobi të regjimit të tij, ai nuk mund ta linte pas dore këtë rast, që, edhe nëse nuk e kishte përgatitur vetë, e përdori deri në fund.

Sidoqoftë, shumë më vonë, ende i paqartë, por edhe i pa hedhur poshtë, një plan sekrete në lidhje me Kosovën u bë publik nga ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare.

Fjala është për planin sekret “Shpërthimi”, i cili përfshinte një seri operacionesh,në rast të një lufte për Kosovën dhe në Kosovë. Ky plan, që ka qenë tejet sekret dhe për të cilin kanë pasë dijeni fare pak veta, është pëshpëritur për herë të parë, nga agjencitë e huaja, menjëherë pas ngjarjeve të marsit. Pasi është heshtur për shumë vite, plani u shfaq i detajuar, kohët e fundit.

“Zgjimin” e planit e bëri njëri ndër hartuesit kryesorë të tij, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj. Në një intervistë të gjatë të tij, për herë të parë, ai bëri të njohur origjinën e këtij plani sekret, hartuesit e tij, urdhrin e dhënë drejtpërsëdrejti nga EH, dhe seriozitetin me të cilin ishte marrë ai plan. Megjithëse sot gjithçka mund të quhet utopi dhe në fakt ka shumë gjëra që nuk do të mund të realizoheshin, ai përsëri ngre disa pika dyshimi.

Së pari, përse EH u kujtua për hartimin e këtij plani kaq sekret dhe kaq masiv në vitin 1980? Në relatat midis dy shteteve kishte pasur ngrirje të plota marrëdhëniesh, gjendje të jashtëzakonshme, ulërima, dërgim agjentësh, akte terrori në tokën shqiptare, një shkrirje të çastit në vitin 1956, pastaj përsëri akullim. Ishin dëshmuaredhe masakra të rënda ndaj popullit shqiptar në Kosovë, e, megjithatë, asnjëherë nuk ishte ndërmarrë një plan i tillë sekret, i cili planifikonte, as më pak e as më shumë, se sa dërgimin e ushtrisë së shtetit shqiptar për çlirimin e viseve shqiptare në Jugosllavi. Pra, jo nuk kishte pasur asnjëherë asnjë plan të tillë, porpër më tepër nuk kishte pasur asnjë tentativë të tillë.

Në vitin 1980 klima mes dy shteteve nuk paralajmëronte ngrirje. Shteti shqiptar nuk kishte më asnjë aleat, ishin prishur marrëdhëniet me BS dhe me Kinën. Pra ishte një Shqipëri krejt fillikat,si kurrë ndonjëherë, dhe, për më tepër, një Shqipëri me një gjendje ekonomike që po vështirësohej gjithnjë e më shumë. Megjithë këtë akullim në lidhjet me botën e jashtme, përsëri EH i garantonte hartuesit e planit sekret të“Traktatit të Varshavës”, nga i cili Shqipëria ishte larguar në vitin 1968, se nuk do të ndërhynte.Në këtë kohë, ndodhën ngjarjet e marsit dhe kjo ishte edhe koha, kur për herë të parë, qoftë edhe teorikisht, shteti shqiptar mendon të ndërmarrë diçka që, në fakt, i binte ndesh të gjitha konventave ndërkombëtare.

Si u bë hartimi i këtij plani sekret, me emrin e koduar “Shpërthimi”. Le të sjellim një pjesë nga intervista e ish shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj.

Takimi në zyrën e Enverit

Bisedën e filloi me pyetjen se si jeni ju andej nga Komanda e Përgjithshme, (se kështu e quante Enveri Ministrinë e Mbrojtjes), si janë shokët, po poshtë nëpër reparte si janë, si i keni lidhjet me ta, çfarë kërkesash imediate kanë dhe çfarë ndihme kërkojnë nga Komanda e Përgjithshme, si ia zgjidhni ju këto probleme, i keni mundësit apo jo etj. ”Kërkoni ndonjë ndërhyrjeje nga shoku Mehmet se ky ua zgjidh gjithçka, se është më i mirinformuar, më i lidhur me hallet e ushtrisë, pastaj vijnë shokët e tjerë e në fund vij edhe unë”, -theksoi mes të tjerave Enveri.

Duke dëgjuar këtë lloj përshkrimi apo panoramën që i bëmë, ai më pyeti: “Si thoni ju të Komandës së Përgjithshme dhe të Shtatmadhorisë, mundet që ne të bëjmë një ndërhyrje ushtarake për çlirimin e popullsisë shqiptare në këto treva, për t’i çliruar një herë e përgjithmonë nga thundra revizioniste e fashiste, ashtu siç ndërhymë edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?”

Ky propozim më çuditi, por edhe më hutoi, dhe isha në vështirësi e dilemë, që përse nuk ia bënte këtë pyetje Mehmet Shehut, por mua? Jam i bindur se ata të dy këtë çështje mund ta kishin shoshitur disa herë dhe kanë rënë dakord, por tani, si duket, ka ardhur koha te konkretizimi dhe përgatitja e ndonjë plani operacioni luftarak.

Qëndrimi im ishte disi indiferent, por i trembur. Në moment nuk dhashë asnjë përgjigje, por thjesht mblodha supet, çka do të thoshte se nuk jam në gjendje t’i përgjigjem. Enveri menjëherë ndërhyri. “Përse heziton, çfarë të mundon, pse nuk ke besim!” Atëherë e mblodha veten dhe iu përgjigja: “Shoku Enver, në situatën aktuale të krijuar, kur regjimit serb po i digjet toka nën këmbë nga forcat kryengritëse të popullatës shqiptare kudo në trevat e banuara nga shqiptarët, edhe mund të ndërmerret një operacion i tillë, por ne nuk kemi atë fuqi jo vetëm goditëse, por as të shpejtësisë së mjeteve të blinduara ta bëjmë këtë në kushte kur në këtë situatë mund të ndërhyjnë Forcat e Traktatit të Varshavës të dislokuara në Hungari, Bullgari e Rumani, pra po ndërhynë këto forca, ne jemi të dështuar!”.

Sepse, -vazhdova t’i flisja më tej Enver Hoxhës, -këto (Forcat e Traktatit të Varshavës) do të vijnë më shpejt se trupat tona jo vetëm në Gjilan-Prishtinë-Ferizaj-Mitrovicë-Klinë, por unë mendoj se në momentin kur ne të kemi hyrë në Prizren nga drejtimi i Kukësit dhe Hasit, e në Gjakovë-Pejë-Deçan nga drejtimi Tropojës, apo në Strugë nga drejtimi Librazhd-Rajcë etj. Forcat e Traktatit të Varshavës në bashkëveprim me forcat e ushtrisë jugosllave kanë mbërritur përafërsisht në Tharandë (Suharekë) Malishivë-Rahovec.” Kurse në drejtim të Maqedonisë, -vazhdova unë më tej- që ne mund të futemi nga Rajca mbi Strugë ose nga Tre Portat e Korabit drejt Kërçovës ose në çdo drejtim tjetër, forcat kundërshtare na kanë marrë Kërçovën bashkë me divizionin e gjeneral Ibrahimit.

Pa mbaruar akoma argumentet që po jepja, Enveri më ndërpreu dhe më thotë: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që Forcat e Traktatit të Varshavës të mos futen, a mund të futemi në luftë e të çlirojmë Kosovën?” Pashë i përqendruar, pa kuptuar fillimisht se ku donte të dilte, ndërsa më pas do të kuptoja disa gjëra që as më kishin shkuar ndërmend deri në ato momente që isha në krye të Shtabit të Përgjithshëm.

Isha përgatitur t’i raportoja Enverit për çdo problem në strukturat e ushtrisë, por nuk e kisha menduar se thirrja ime urgjente në zyrën e tij së bashku me Mehmet Shehun do të kishte një tematikë tepër të rëndësishme, për mua, të papritur! Gjithsesi, nën efektin e “garancisë” që më afroi Enveri me shprehjen: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që forcat e Traktatit të Varshavës të mos ndërhyjnë, a mund të futemi e të çlirojmë Kosovën?”, duhej të bëja llogaritë shumë shpejt e të përgjigjesha.

Të them të drejtën u shushata fare, se si ka mundësi kur ne shaheshim përditë me revizionistët e të gjitha vendeve të Lindjes e në mënyrë të veçantë me ata sovjetikë, si mund ta rregullonin këta këtë çështje luftarake kaq kapitale! Pa u menduar fare, por me një analizë të shpejtë që bëra të raportit të forcave e situatës luftarake në luftën e pritshme, i përgjigjem: “PO!”. Bëhet fjalë për më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, e ndoshta, ky moment e kjo bisedë ka qenë i pari për mua të mësoj se ç’është politika, ku jo çdo gjë që thuhet e premtohet haptas, është e do të bëhet ashtu siç thuhet; përkundër, në të shumtën e rasteve, ndodh e kundërta!

Pasi e pranova këtë version, megjithëse jo shumë bindës për mua, duke menduar se këta kërkojnë të më fusin në valle që të bëhet një plan i ndërhyrjes ushtarake për çlirimin Kosovës dhe pastaj shohim e bëjmë sipas situatave që mund të krijohen. Enveri më merr mendimin se sa kohë më duhen ta paraqes planin tek ai dhe Mehmeti për miratim. Unë u përgjigja se kjo varet se sa persona do të punojnë për hartimin e tij.

Ndërhyn Mehmeti: ”Do të punosh vetëm me një person dhe unë, (pra, Mehmeti, V. Ll. ), do të jem në krye të këtij grupi pune”. Kërkova 30 ditë kohë. Enveri më thotë: ”Po të lëmë 45 ditë, por plani të jetë i argumentuar saktësisht e deri në çdo detaj nga ana ushtarake”. Marrja e detyrës u bë fakt i kryer, ishte një detyrë e vështirë, jo e lehtë, por thellë ndjeva një gëzim e kënaqësi të pa provuar. Meqenëse më lejohej të bashkëpunoja vetëm me një njeri, nuk ishte e lehtë të zgjidhja e për më tepër të vendosja vetë. Kërkova se a kishin ata ndonjë mendim se me cilin do të punoja unë.

Enveri më thotë: ”Zgjidhe vetë!” Propozova nja tre persona, ndër kuadrot më të lartë e më të përgatitur ushtarakë të vendit. Pasi dëgjojnë, Mehmeti i thotë Enverit: ”Do të punojë vetëm me Maliq Sadushin që është zëvendësministër i Mbrojtjes, është i aftë, konspirativ, ka mbaruar akademinë ushtarake “Frunze”, ndërsa unë do të jem në krye të këtij grupi!”. Mehmeti i kishte idhuj të gjithë ata ushtarakë që kishin mbaruar akademitë ushtarake “Frunze” dhe “Vorshillov”, por Maliqi qe i përzgjedhuri i tij, edhe për faktin se ka qenë partizan i Brigadës 5 Sulmuese në çlirimin e Kosovës dhe e njihte shumë mirë terrenin, garanci kjo e domosdoshme për një planëzim e zbatim të saktë të planit luftarak. Për mua, ishte një kënaqësi tepër e veçantë se do të punoja me Maliqin për hartimin planit për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, për faktin se ishim shokë, kolegë, njiheshim mirë, si dhe ishte profesionalisht tepër i aftë.

Fillimi i punës për përgatitjen e planit

Ajo natë, për mua, ishte një natë ankthi. Vrisja mendjen se si do të veprohej më tej, çfarë detyra do të merrja, si do ta filloja punën, çfarë vështirësish do të hasja, e shumë e shumë gjëra të tjera. Gjithçka kishte ardhur papritur, e tashmë suksesi i planit dhe operacioni i pritshëm varej nga ne.

Të nesërmen e asaj dite Mehmet Shehun vjen në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, më thirri mua dhe shokun Maliq Sadushi, ku na precizoj detyrat përkatëse, na dha orientime shumë precize ashtu siç t’i jepte ai. Afërsisht na përcaktoi zonat e veprimeve luftarake të çdo korpusi që do merrte pjesë në këtë operacion, brigadat e këmbësorisë, të tankeve, të artilerisë dhe llojeve të armëve e shërbimeve për çdo specialitet, afërsisht vendkomandën e grupit operativ të Shtabit të Përgjithshëm që do të drejtonte operacionin, disa vendkomanda rezervë në drejtimin e Maqedonisë e të Malit të Zi, vendkomandat e korpuseve e të brigadave, drejtimet e goditjeve kryesore për çdo drejtim, rezervat materiale në ushqim, veshmbathje e medikamente mjekësore etj.

Na përcaktoi afërsisht edhe të gjitha njësitë ushtarake që do të merrnin pjesë në operacion, duke caktuar edhe njësitë sulmuese apo repartet e zbulimit që do të vepronin në terrenet më të vështira e që do të jepnin goditje rrufe e në befasi. Pasi na dha detyrat e mësipërme, Mehmeti shtoi: “Unë kaq munda t’ju jap për sot, ju i shikoni dhe veproni me kompetencë vetë, ashtu si ta gjykoni dhe mos i qëndroni strikt këtyre që ju them unë”.

Ai u interesua shumë edhe për hartat topografike me të cilat do të përpilohej plani, duke më porositur mua që të shikoj me shumë kujdes hartat që të jenë sa më të reja e të kenë sa më shumë objekte, në të kundërt dërgoni me urgjencë në Austri ose Zvicër.

Për këtë Mehmeti shtoi: “Të merrni hartat më të fundit (të reja e me shumë objekte), mos llogarisni çmimin se sa janë!”. Më pas shtoi: ”Kjo punë kërkon operativitet, iniciativë dhe marrje përgjegjësie mbi vete, e mos u mbytni me një pikë uji!”. Pra, si duket, ai (M.SH) kishte menduar e punuar tërë natën dhe të nesërmen na i komunikoi ne këto detyra. Për problemin e hartave, u konsultova me shefin e Degës së Topografisë në Ministrinë e Mbrojtjes shokun Limoz Alimucaj dhe drejtorin e Institutit të Topografisë shokun Përparim Likaj. Mbasi i kërkoj hartat për një studim të hollësishëm të terrenit, në trojet etnike shqiptare (Mali i Zi-Kosovë-Maqedoni), pa u treguar qëllimin e vërtetë pse i doja, ata më rekomanduan, sipas të dhënave që kishin, se harta të tilla me objekte të sakta e të imtësishme kishte kryesisht në Austri.

Atëherë bisedova me Përparim Likën dhe ai u dërgua në Zvicër për blerjen e këtyre hartave, i shoqëruar nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesëtar i zbulimit të jashtëm. Këto harta u blenë me ato çmime që afruan austriakët. U sollën në Shqipëri, u përgatitën nga grupi përkatës i Institutit të Topografisë dhe iu dhanë Shtabit të Përgjithshëm në përdorim. Pra, plani i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, i quajtur “Shpërthimi”, u përgatit mbi bazën e këtyre hartave që kishin të dhëna të hollësishme të terrenit dhe objekteve përkatëse.

Kjo është një dëshmi, e pas më shumë se 24 viteve, e ish Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare.Nuk mund të vlerësoj autencitetin e këtyre ngjarjeve.Është fakt se, në shtypin shqiptar në Tiranë, ku edhe u botua intervista e tij, nuk kishte kundërshtime për vertetësinë e planit, por debati u përqëndrua më shumë, megjithëse në fare pak kohë, në utopinë e një plani të tillë.

Mirëpo, diçka tjetër është padyshim e vertetë dhe kjo është tashmë e njohur. Në veriun e Shqipërisë, pak para ngjarjeve të vitit 1981 dhe me më shumë ngut pas tyre, u ngritën depo të mëdha armatimi, për rreth 30 mijë ushtarë, me të gjitha mjetet e duhura logjistike, që nga paisjet më të thjeshta dhe deri tek armatimi i rëndë. Çdo gjë ishte e siguruar, përmes kanaleve të ndryshme, në shtetet perëndimore. Logjistika ishte përgjithësisht angleze dhe e destinuar për një luftë në Kosovë. Çdo gjë që ndodhej në këto depo, më vonë, u shit, ashtu si është publikuar, me çmime qesharake, nga zoti Zhulali, diku në Afrikë apo tek serbët e Bosnjes.

Ndoshta EH, në vitin 1981, kishte menduar se, me anë të një lufte në Kosovë, qoftë edhe utopike, mund të shmangte vështirsitë e vendit të tij, mirëpo një logjikë e tillë nuk më duket e arsyeshme. Nëse shteti shqiptar, 40 vite më parë do të niste një luftë të tillë do ishte e vështirë,në mos e pamundur, që të mos përballej edhe reagimin e ashpër të shteteve europerëndimore. 17 vite pas ngjarjeve të marsit 1981, përsëri në mars, kur lufta në Kosovë nisi, megjithëse shteti shqiptar nuk i hapi depot, përsëri ai u vu nën vëzhgim ndërkombëtar.

Mundësinë e shmangies së problemeve në një krahinë shqiptare me tjetrën,gjithnjë sipas mendimit tim, unë e përjashtoj. Duke njohur deri diku psikologjinë, karakterin dhe filozofinë politike të EH dhe ndihmësve të tij më të afërt, shpeshherë shumëfish më ekspresive, si Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, nuk e kishin zakon të pyesnin për gjëra të tilla dhe as të bëheshin merak se çfarë thonin rreth tyre. Këtë EH nuk e kishte pasur edhe shumë vite më herët, nuk do e kishte deri në fund të jetës së tij, duke kthyer, me dhimbje e dhunë, vendit të tij në një fortesë, ku mund të rrije ankthshëm brenda, por nuk mund të dilje jashtë.

Shteti shqiptar, e për këtë jam i bindur, ka synuar githnjë, që përmes mërgatës shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi, të ndikonte tek njerëzit. Nuk e përjashtoj që përmes ambasadave shqiptare në shtetet perëndimore, sidomos në Zvicër dhe në Austri, janë bërë të gjitha përpjekjet për të patur lidhje të vazhdueshme me lëvizjet ilegale. Nga ana tjetër, edhe ilegalët që ishin jashtë Kosovës, e kërkonin dhe e donin këtë lidhje, e cila, asnjëherë, nuk ka qenë një lidhje agjenturore, për interes, edhe kur, mes tyre, janë vendosur strukturat e fshehta.Në fund të fundit, shqiptarët në perëndim kishin dy ambasada ku mund të shkonin, tek ajo e Beogradit dhe tek ajo e Tiranës.

Në fundin e viteve ’80 mërgata shqiptare e Kosovës merr një hop të ri cilësor, por, e kam të vështirë të besoj se, përmes tyre, shteti shqiptar ka ndikuar në zhvillimin e demonstratave të marsit 1981, dhe sidomos të atyre të 11 marsit. Në faktin që më vonë, sidomos më 26 mars, këto demonstrime morën karakter të theksuar kombëtar dhe politik, ka ndikim mendimi politik i mërgatës shqiptare, e përmes saj, edhe shteti shqiptar.

Në demonstratat e vitit 1981 kishte shumë parulla politike, mes të cilave, më e rëndësishmja dhe më sunduesja ishte, “Kosova Republikë”. Po të vëresh me kujdes qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj parullave të hedhura, do të vëresh se, ndërsa u pajtua dhe mbështeti fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës, ai nuk u prononcua për bashkimin kombëtar. Në asnjë nga materialet bazë të qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk është mbështetur haptazi një parullë e tillë, me përjashtimin e një citimi në artikullin e fundit, në të cilin aludimet bëhen shumë konkrete.

Do të doja të përmbyllja këto shënime, me preciozitetin shumë të lartë që u ka bërë ngjarjeve të pranverës së vitit 1981, studiuesi dhe, njëkohësisht, një prej miqve dhe mbështetësve më të mëdhenj të lirisë së  Kosovës dhe të Ushtrisë së saj Çlirimtare, profesor Shaban Sinani.

Shqiptarët qenë të parët që i treguan botës se “federalizmi shumëkatësh” i këtyre vendeve nuk funksiononte si propogandohej, sepse liria dhe mirëqenia e një pale sigurohej në kurriz të nënçmimit dhe shfrytëzimit të palës tjetër.Kosova i tha kësaj bote se çështjet nacionale ende nuk janë futur në arkiv dhe nuk mund të mbahen gjatë tabu. Herojtë e asaj kohe dhe sfida e tyre janë në nderin e historisë shqiptare. Tek kjo sfidë historia do të rikthehet shpesh. Ne e dimë se historia rrotullohet ngadalë. por kurdoherë që fati i shqiptarëve do të jetë afër mbarësisë, kurdoherë që cikli i historisë do të rikthehet aty ku çështja mbeti në vitet 80, protogonistët e saj do të çmohen. (“Zëri i Kosovës” 15. 04.1996).

Kaq vite pas këtyre ngjarjeve epike historia është rrotulluar në të mbarë të shqiptarëve. Ata kanë shansin e tyre të madh që të bëhen pjesë e historisë së vendit dhe kombit të tyre, nëse nuk do të harrojnë se, deri këtu, është dashur një përkushtim i disa brezave, të cilin, nuk mund ta nëpërkëmbin pinjollët e një skote të namun.

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 12 Mars, 2022 16:29

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare