Braktisi foshnjën e sapolindur, padi penale për 17-vjeçaren nga Shkupi

Desk
By Desk May 17, 2019 19:32

Braktisi foshnjën e sapolindur, padi penale për 17-vjeçaren nga Shkupi

17-vjeçarja nga Shkupi, që para tri netësh braktisi foshnjën e saj në një park, do të përballet me veprën penale “braktisje e fëmijës së pafuqishëm”, vepër kjo e dënueshme sipas nenit 200 të Kodit Penal.

Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup sqaron se 17 vjeçarja A .A., më 14 maj rreth orës 11:00 në bulevardin “Brigada Maqedonase – Kosovare”, ka braktisur foshnjën e saj të sapolindur në një park në afërsi të shtëpisë.

Bebja është gjetur nga një kalimtar i rastit i cili e ka njoftuar Ndihmën e Shpejtë dhe Policinë, të cilët më pas e dërguan foshnjën për përkujdesje në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, ku është konstatuar se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Me urdhrin e Prokurorisë Themelore Publike – Shkup është bërë analiza krahasuese e ADN-së së  17 vjeçares me beben dhe është konstatuar se ajo është nëna biologjike  e fëmijës së porsalindur.

Për foshnjën tanimë do të përkujdeset Qendra Meskomunale për Punë Sociale – Shkup.

Desk
By Desk May 17, 2019 19:32