Britania nis të lëvizë “me kujdes maksimal”

Desk
By Desk May 9, 2020 20:38

Britania nis të lëvizë “me kujdes maksimal”

Qeveria e Britanisë së Madhe do t’i vazhdojë “me kujdes maksimal” masat lehtësuese në luftën ndaj koronavirusit, ka thënë sekretari i Transportit pasi që shpalosi planet për ta “futur në lëvizje përsëri Britaninë”.

Grant Shapps ka premtuar 250 milionë funte për punë emergjente në infrastrukturën e shtigjeve për ecje dhe biçikleta.

Megjithatë, ai nuk e ka konfirmuar se ata që do të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar do të vendosen në karantinë për 14 ditë.

Mbretëria e Bashkuar ka shënuar 346 vdekje të shtunën, duke e çuar numrin total në 31.587, raporton BBC.

Sekretari i transportit ka thënë se lëvizja përtej Covid-19 do të jetë “proces gradual” dhe se nuk është “hedhje në liri”.

Edhe nëse rrjeti i transportit të Mbretërisë së Bashkuar operon në kapacitet të plotë, sipas rregullave të distancimit social do të udhëtonin vetëm një në 10 pasagjerë, ka thënë ai.

Shapps ka thënë se ka pasur nivel të paprecedent të ecjes dhe çiklizmit gjatë pandemisë.

“Derisa është qenësore që të qëndrojmë në shtëpi, ku shteti t’i kthehet punës do të na duhet t’i kërkojmë këtyre njerëzve që të vazhdojnë ngasjen e biçikletave dhe ecjen dhe që t’i bashkohen edhe të tjerët”, ka thënë ai.

Nga fondi emergjent prej 250 milionë funte do të ndërtohen shtigje biçikletash, trotuare më të gjera, e shirita vetëm për biçikleta e autobusë.

Shapps ka thënë se nuk do të paralajmërojë ndonjë gjë para adresimit të kryeministrit Boris Johnson për masat kufizuese, të dielën.

Qeveria britanike nuk e ka arritur cakun e 100.000 testeve për ditë për të shtatën ditë me radhë por janë bërë 96.878 në 24 orët e fundit deri të premten në nëntë të orës lokale.

Desk
By Desk May 9, 2020 20:38