Buçkovski: Zaev është lideri më i mirë që ka pasur LSDM-ja
Zoran Zaev është kryetari më i mirë që ka pasur LSDM-ja në 30 vitet e fundit, thotë në një prononcim për të përjavshmen Focus ish-lideri i LSDM-së dhe kryeministër Vllado Buçkovski, përcjell FLAKA.
“Zaev është përgjegjësi më i madh për kthimin e LSDM-së në pushtet, pas 10 viteve të vështira të opozitës. Ai është më përgjegjës për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO. Sekreti i suksesit të tij është karakteri dhe “papërsosmëria” e tij, por mbi të gjitha guximi”, tha Buçkovski.
Ai konsideron se ka 3 faza në zhvillimin e LSDM-së, ku e para është e lidhur me Branko Cërvenkovskin, e dyta me të dhe Radmilla Shekerinska dhe e treta me Zaev.
“LSDM ka nevojë për një lider pro-evropian, sepse ai do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Ai ka nevojë për një lider që do të vazhdojë me reformat në LSDM, me demokratizimin e partisë dhe forcimin e demokracisë së drejtpërdrejtë”, thotë Buçkovski.
Duke komentuar zgjedhjet e fundit lokale, Buçkovski tha se Cërvenkovski i kujtoi lojërat e tij, siç thotë ai, bizantine të vitit 2006.
“Me paraqitjen e tij në ASHAM, ditën kur filloi fushata për zgjedhjet lokale, ai nuk e fshehu se është kundër Zaevit dhe Qeverisë së tij. Gjithçka tjetër tashmë është parë. Përkrahje në terren të kandidatëve dhe listave të pavarura në Kumanovë, Ohër, Dibërcë”, tha ai. FLAKA