Bujqit kërkojnë subvencione për mbjelljen dhe kultivimin e lulediellit

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Qershor, 2022 20:00

Bujqit kërkojnë subvencione për mbjelljen dhe kultivimin e lulediellit

Pas shtrenjtimit të vajit për gatim, kosto e cila varet nga importi i lëndës së parë, bujqit vendorë janë të gatshëm të shtojnë kultivimin e lulediellit. Por ata kërkojnë plasman të sigurt me çmim së paku 40 den për kilogram dhe jo siç u paguhet deri më tani me gjysmë çmimi, shkruan Alsat. Reagojnë edhe shoqatat agrare duke thënë se kanë dyfishuar prodhimin në dy vitet e fundit me fara luledielli. Lençe Nikollovska, drejtoreshë e platformës bujqësore “AGROTIM” tha se po zbatojnë ndërmjetësime ndërmjet bujqve dhe tregtarëve.

“Ujdia prodhimtarisë nënkupton që bujku të dijë për kënd do të mbjell, ku do ta shes dhe nga ana tjetër blerësi të dijë me çfarë çmimi do ta paguaj, ka prodhim të sigurt dhe nuk do të jetë i varur nga importi. Më parë raportet ndërmjet bujqve dhe tregtarëve janë prishur, mos të them se kishte mosbesim për mos pagesë në kohë, jo vetëm për lulediellin por edhe kulturat tjera. Të gjitha ato arsye ulën interesin për kultivim të lulediellit. Andaj përpunuesit e importojnë kryesisht nga Bullgaria, Serbia dhe Ukraina”, tha Lençe Nikollovska, Platforma bujqësore “AGROTIM”.

Për të shtuar rendimentin e lulediellit, kultivuesit gjithashtu kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë më tepër subvencione për plehrat minerale joorganike, të cilat kryesisht vijnë nga Ukraina. Shkaku i luftës atje, çmimi për një thes koncentrat është rritur 200%. Me rritjen e çmimit të derivateve, bujqit kërkojnë edhe subvencion më të lartë për karburantet. Thonë se makinerisë së tyre e vjetër nuk u përshtatet bio-dizeli.

“Këtu dua të jem e sinqertë, të them se jo të gjithë bujqit i shfrytëzojnë si duhet këtë mbështetje financiare të shtetit. Subvencionet jepen për të modernizuar prodhimtarinë, për të blerë makineri të reja, por ndodh të me ato para bujqit të blejnë televizorë, të shkojnë në pushime. Unë nuk them se s’duhet të shkojnë në pushime, por fillimisht të investojnë dhe me paratë e fituara nga prodhimi të shfrytëzojnë për gjëra tjera”, deklaroi Lençe Nikollovska, Platforma bujqësore “AGROTIM”.

Për të zbutur krizën e produkteve ushqimore, shteti ka kthyer vëmendjen nga zanati më i lashtë i njerëzimit, kultivimi i tokës pjellore. Nga Ministria e Bujqësisë thanë se përpos thirrjeve publike të hapur për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore, stimuli për kultivim do të shtohet edhe përmes subvencioneve në derivate, plehra dhe për hektarë të kultivuar. Nga Agrotim thonë se megjithëse vendi ynë posedon rreth 600,000 hektarë tokë bujqësore, problemi tjetër është ndarja e tokave në parcela të vogla, të cilat nuk mund të jenë konkurruese me prodhim dhe çmim në tregun rajonal./Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Qershor, 2022 20:00

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare