Buka bëhet luks, çmimet shkojnë në qiell, qytetarët mezi ia dalin mbanë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Gusht, 2022 21:27

Buka bëhet luks, çmimet shkojnë në qiell, qytetarët mezi ia dalin mbanë

Edhe buka po bëhet luks për qytetarët. Në shumicën e marketeve buka e thekrës është 93 denarë, buka integrale në 84, e bardhë në copa shitet me çmim mbi 50 denarë. Çmime të reja edhe në furra – çmimi aktual prej rreth 70 denarë për çerek bureku në dy javët e ardhshme do të arrijë deri në 100 denarë. Arsyeja e kësaj rritjeje është rritja e disafishtë e energjisë elektrike dhe gazit. Qytetarët janë të habitur dhe të frikësuar nga vala e re e rritjes së çmimeve, veçanërisht për produktet ushqimore bazë, përcjell FLAKA.

Sipas Sindikatës, çmimi i bukës në një vit është rritur mbi 100 për qind. Punëtorët thonë se pavarësisht punës, po varfërohen çdo ditë e më shumë sepse inflacioni është 14.5 për qind. Ata besojnë se Qeveria nuk i dëgjon nevojat e qytetarëve dhe punëtorëve sepse nuk merr asnjë masë në kushte krize.

“Shporta minimale sindikale për një vit është rritur për 5,498,00 denarë, gjegjësisht për 16 për qind, diferenca mes pagës mesatare neto dhe shportës sindikale në vitin 2022 është 7,384 denarë, çmimi i bukës për një vit është rritur për më shumë se 100 për qind, vaji i gatimit me 94 për qind, karburantet me 64,5 për qind, energjia elektrike 9,4 për qind, gazi 64,6 për qind dhe nuk është reduktuar në asnjë produkt apo burim energjie”, thonë nga LSM.

Kur inflacioni arrin një shifër dyshifrore, atëherë ai del jashtë kontrollit, thonë ekspertët dhe parashikojnë rritje edhe më të madhe dhe thellim të varfërisë në vend.

Nga furrat e bukës thonë se kjo rritje e brumërave të bardha nuk vjen vetëm nga rritja e energjisë elektrike, por edhe nga çmimi më i lartë i blerjes së drithërave. FLAKA

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Gusht, 2022 21:27