Bundestagu: Rasti Gruevski “kundërmon” deri në qiell

Desk
By Desk 17 Prill, 2019 20:14

Bundestagu: Rasti Gruevski “kundërmon” deri në qiell

Hungaria të mos shndërrohet në dorë të shtrirë të autokratit Nikolla Gruevski, ndërsa Maqedonia të sqarojë nëse arratisja ka pasuar pas lejes prej autoriteteve të atjeshme, theksojnë deputetët në Bundestagun gjerman me kërkesë të Dojçe Veles për ta komentuar situatën rreth ish-kryeministrit të Maqedonisë dhe azilin e tij në Hungari.

Torsten Fraj, anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme i Bundestagut nga grupi i deputetëve të Unionit (CDU/CSU), që është pjesë e familjes së Partive Popullore Evropiane si edhe partia e Orbanit, Fides,  para se të miratohet azili për Gruevskin, thotë se nga Hungaria pret zbatimin e kritereve të barabarta për azil.

“Kuptohet, është shumë e vështirë prej perspektivës gjermane të vlerësohen procedurat rreth azilit të mundshëm të cilin Nikolla Gruevski e kërkoi në Hungari. Spekulimet rreth kësaj edhe në Maqedoni janë të ndryshme. Megjithatë, pres që një procedurë e tillë në Hungari së paku të zhvillohet sipas parimeve të qarta të qeverisjes të së drejtës dhe të zbatohen masa dhe kritere të barabarta, të cilat janë të zakonshme gjatë procedurës për azil atje”, vlerësoi Fraj.

Homologu i tij i Komisionit për Politikë të Jashtme, socialdemokrati Josip Juratoviq, ka vlerësim shumë më të ashpër për ngjarjet rreth Gruevskit.

“Nëse e shohim këtë çështje më mirë, ajo kundërmon deri në qiell. “Sistemi Gruevski” shërbehet me mjete demokratike. Dhe kjo është ajo që është me të vërtetë shqetësuese në këtë zinxhir të ngjarjeve – se si forcat e dyshimta demokratike keqpërdorin mjete demokratike. Mundem vetëm të shpresoj se Hungaria në këtë rast ka vepruar sikurse në rastet e të gjithë azilkërkuesve të tjerë. Rasti Gruevski me këtë bëhet test i besueshmërisë së shtetit ligjor në Hungari”, thotë Juratoviq.

Zëvendësshefi i grupit të deputetëve të Liberalëve në Parlamentin gjerman, Aleksander Graf Lambsdorf, në kompetencë të së cilit janë çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë, vlerëson se “Viktor Orban, me vendimin e tij për t’i dhënë azil ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e ka vendosur miqësinë personale me ish-kryeministrin mbi vendimin e plotfuqishëm”:

“Pasi, Gruevski në Maqedoni u dënua me dy vite burg për shkak të korrupsionit. Njëherësh në vijim janë procedura të tjera për shkak të manipulimeve zgjedhore dhe përgjimit ilegal të qytetarëve të Maqedonisë nga shërbimet sekrete në vend. Nikolla Gruevski, në vend se të kërkojë strehim në Hungari, duhet të ballafaqohet me këto akuza në procedurë ligjore në Maqedoni. Sjellja e Viktor Orbanit edhe më tej është indikacion për këtë se kryeministri hungarez është i prirë ndaj shkallës së ulët të respektimit të shtetit ligjor dhe ndaj interpretimit të ligjit për azil sipas mashtapit (masës) personale”, thotë Lamsdorf.

E majta në Bundestag vlerëson se procedurat lidhur me arratisjen e Gruevskit janë “mjaft të çuditshme dhe shqetësuese”.

“Pikërisht Qeveria hungareze është duke mbrojtur një të arratisur me gjykim të plotfuqishëm. Duket se nuk bëhet fjalë për azil për person të përndjekur politik. Kjo edhe më tej e minon besimin në shtetin ligjor në Maqedoni, në Hungari dhe më gjerë. Megjithatë, duhet të sqarohet edhe nëse arratisja e Gruevskit ka pasuar me lejen e autoriteteve të Maqedonisë, siç shumë në Shkup supozojnë”, deklaroi Andrej Hunko, ekspert për politikë evropiane nga E majta.

Manuel Saracin nga Të Gjelbrit, kompetent për çështje nga politika ndaj Evropës Lindore, nga Qeveria hungareze pret “ta pranojë vendimin gjyqësor të Maqedonisë dhe të mos shndërrohet në dorë të shtrirë të ish-kryeministrit autokrat”.

“Nga një shtet anëtar i BE-së me të drejtë pritet të kontribuojë drejt përforcimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në një vend kandidat për inkuadrim drejt BE-së. Këtu, pa dyshim, hyn edhe pastrimi i Maqedonisë me kohën e qeverisjes së Gruevskit, e cila u shënua me korrupsion dhe autokraci”, thotë Saracin për DV.

Desk
By Desk 17 Prill, 2019 20:14