Buxheti 2022, zhvillimor apo social!

Redaksia
By Redaksia 4 Nëntor, 2021 20:47

Buxheti 2022, zhvillimor apo social!

Ekonomistët thonë se rritja ekonomike si dhe pritjet për një lëvizje më të madhe në zhvillimin ekonomik të vendit do të varet në një pjesë të madhe edhe nga zhvillimet me pandeminë, ndërsa projeksionet ekonomike të parashikuara qeveritare varen edhe nga zgjidhja e krizës me energjinë elektrike si dhe paqartësive politike pas zgjedhjeve lokale.

Tre janë qëllimet kryesore të propozim buxhetit të vlefshëm 4.4 miliardë euro për vitin 2022. Rikuperimi ekonomik dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike, rritja e investimeve së bashku me konsolidimin fiskal apo balancimi midis të ardhurave të munguara dhe shpenzimeve, vazhdimi i mbrojtjes së shëndetit të popullatës, si dhe funksionimi pa pengesë i funksioneve themelore të shtetit si pagesa me kohë e pagave, pensioneve dhe përkrahja për reformat në gjyqësor dhe integrimet euroatlantike. Buxhetin qeveria e miratoi më 30 tetor, ndërsa pritet që para vitit të ri ai të merr dritën jeshile edhe nga Parlamenti. Gjithashtu shteti në vitin e ardhshëm planifikon të hyjë në borxh prej mbi 700 milionë euro për të mbuluar minusin në buxhet apo dallimin mes të ardhurave dhe shpenzimeve dhe pagesën e borxheve të vjetra. Borxhi publik në vitin e ardhshëm do të arrijë 65 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shkruan gazeta KOHA.

Të hyrat e përgjithshme të Propozim Buxhetit për vitin 2022, planifikohen të jenë në vlerë prej 238.9 miliardë denarëve dhe janë për 7.4 për qind më të larta se në këtë vit. Deficit planifikohet të jetë 4.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto apo afër 545 milionë euro, ku investimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor dhe janë me vlerë prej 37.8 miliardë denarëve apo 615 milionë euro, që është rreth 27 për qind më shumë në krahasim me vitin 2021. Njëherësh shtrohet edhe çështja se ai do të jetë zhvillimor kur transferet sociale janë me vlerë prej 124.5 miliardë denarë ky hyn pagesa e pensioneve me 64.4 miliardë denarë, kompensimet për kategoritë e prekshme me 11 miliardë denarë, etj , në raport me arkëtimet nga tatimet prej 238.9 miliardë denarë, që nënkupton se gati gjysma e buxhetit do të jetë për pensione, paga ndihma sociale, suport për punësimet e reja etj.

Nga ana tjetër ministri i financave Fatmir Besimi thotë se karakteristikë kryesore e propozim buxhetit për vitin 2022, është se deficiti do të shfrytëzohet vetëm për përkrahje të pjesës më të konsiderueshme të investimeve kapitale. “Në vitin 2022, sipas të gjitha karakteristikave do të kemi “buxhet zhvillimor”. Komponenti zhvillimor i Buxhetit, pasqyrohet përmes rritjes së mjeteve për shpenzime kapitale, rreth 27 për qind, në krahasim me vitin 2021 ose 8 miliardë denarë më shumë parashihen në vitin 2022 për projekte kapitale. Shpenzimet kapitale, në vitin e ardhshëm historikisht, do të jenë në nivel më të lartë për 14 për qind nga shpenzimet e përgjithshme”, thekson ministri Besimi.

Karakteristika e këtij Buxheti është se mjetet e qytetarëve do të shfrytëzohen aty ku japin efektet më të mëdha në arritjen e qëllimeve për cilësi më të lartë të jetës. Mjetet do të dedikohen për intensifikimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, përkatësisht për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe për investime kapitale për përmirësimin e kushteve të sistemit të shëndetësisë, arsimit dhe sistemit social, të bujqësisë, kulturës, sportit, mbrojtës së mjedisit jetësor dhe gjyqësorit.

Ministri Besimi theksoi se qytetarët mund të jenë të sigurt se në buxhetin për vitin 2022 do të ketë likuiditet dhe se do të ketë pagesë të rregullt të pagave, pensioneve dhe kompensimeve sociale. Në vitin e ardhshëm pritet të rriten edhe investimet, konsumi dhe eksporti si disa nga faktorët kryesor të rritjes ekonomike. Në vitin 2022, pritet rritje e përshpejtuar, që është projektuar të jetë 4.6 për qind me rritjen e investimeve bruto prej 8.5 për qind në bazë reale. Konsumi final projektohet që të rritet për 3.1 për qind, eksporti për 8.3 për qind, ndërsa pritet edhe rritja e numrit të të punësuarve për 3.1 për qind.

Gjithashtu, pritet që të stabilizohet edhe norma e inflacionit e cila projektohet që të jetë 2.4 për qind në vitin 2022, me ç’rast çmimet, si rezultat i pasigurisë në lidhje me çmimet e energjisë dhe me një pjesë së produkteve primare në bursat botërore, pritet që të stabilizohen nga tremujori i dytë i vitit. Në ndërkohë, ekonomistët thonë se rritja ekonomike si dhe pritjet për një lëvizje më të madhe në zhvillimin ekonomik të vendit do të varet në një pjesë të madhe edhe nga gjendja me pandeminë, ndërsa projeksionet ekonomike të parashikuara qeveritare varen edhe nga zgjidhjes me më pak dëme për biznesin dhe qytetarët të krizës me energjinë elektrike si dhe paqartësive politike pas zgjedhjeve lokale dhe mbajtjes eventualisht të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që si zakonisht ndikojnë tejet negativisht në ekonominë e vendit. “Tani shtrohet çështja se si do të arrihet një rritje prej 4.6 për qind ku kemi dominim të komponentës sociale në buxhetin për vitin e ardhshëm. Nga ana tjetër akoma jemi në pandemi, na pret krizë me energjinë elektrike, na kanosen edhe problemet sociale që do të duhet të zgjidhet. Në krizë ulet edhe disiplina tatimore apo mund të pritet të ulen të ardhurat nga tatimet“, thotë analisti ekonomik Mile Boshkov. Sipas tij, shtrohet edhe çështja se si do të realizohen të ardhurat e planifikuara në arkën e shtetit karshi shpenzimeve në muajt e parë të vitit të ardhshëm apo si do të realizohen të hyrat buxhetore. Ai shton se mund të ndodhë që në muajin prill të ketë rishqyrtim të buxhetit, apo rishpërndarje të mjeteve financiare nga një sektor në tjetrin apo shkurtime të një pjese të shpenzimeve të planifikuara. (koha.mk)

Redaksia
By Redaksia 4 Nëntor, 2021 20:47