ÇDO DITË E MË RËNDË! Shtrenjtohet edhe më tej jetesa

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Gusht, 2022 20:21

ÇDO DITË E MË RËNDË! Shtrenjtohet edhe më tej jetesa

Produktet ushqimore në qershor ishin mbi 20 për qind më të larta se i njëjti muaj i vitit të kaluar. Buka është më e shtrenjtë me 30 për qind, vaji me 50 për qind, sheqeri, mishi, qumështi, perimet dhe vezët me 20 për qind

Ushqimi dhe energjia elektrike u rritën me 20 për qind, karburantet mbi 40 për qind, ngrohja me mbi 30 për qind. Ndërkohë nga ana tjetër, paga mesatare nuk është rritur, në krahasim me këto çmime. Një familje prej katër anëtarësh i nevojiten 100 euro më shumë në muaj se sa vitin e kaluar për ta kaluar muajin. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare është rritur për tre mijë denarë dhe tani ka arritur në 31.400 denarë, por kjo shumë kap vlerën e më pak se 28.700 denarë sa ishte paga mesatare gjatë vitit të kaluar. Statistikat e publikuara tregojnë se paga është rritur për nëntë për qind krahasuar me vitin e kaluar, por kostoja e jetesës është rritur me 14 për qind.  Të dhëna të ngjashme tregojnë edhe llogaritjet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Shporta e konsumit për një familje katër anëtarëshe një vit më parë ishte 34 mijë denarë, ndërsa tani për të njëjtat duhen 5.500 denarë më shumë, përkatësisht shporta sindikale është 39.700 denarë.

USHQIMI

Produktet ushqimore në qershor ishin mbi 20 për qind më të larta se i njëjti muaj i vitit të kaluar. Buka është më e shtrenjtë me 30 për qind, vaji me 50 për qind, sheqeri, mishi, qumështi, perimet dhe vezët me 20 për qind. Gjatë muajit mars, Qeveria hoqi TVSH-në për produktet ushqimore bazë nga 5 për qind në zero dhe kufizoi marzhin e fitimit për tregtarët. Nga një qershori, këto masa kanë pushuar së funksionuari, ndaj ka pasur rritje drastike të çmimeve të disa produkteve. Për të kufizuar rritjen e çmimeve, Qeveria rifuti një kufi mbi marzhet. Në qershor, zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Fatmir Bytyqi tha se Qeveria do të publikojë të gjitha kompanitë që kanë fryrë artificialisht çmimet. “Për vetëm dy ditë marzhi i fitimit për makaronat nga një prodhues u rrit nga katër për qind më 31 maj në 72.5 për qind, d.m.th. qytetarët paguajnë 65 për qind marzh më të lartë për makaronat nga një prodhues”, tha Bytyqi. Megjithatë, pas inspektimeve, një listë e tillë e kompanive nuk u publikua. Qeveria para dy javësh ndaloi eksportin e miellit dhe grurit deri në fund të vitit për të parandaluar rritjen e çmimeve. Gjithashtu u hoq edhe taksa e importit për vajin ushqimor deri në fund të vitit. Pikërisht një vit më parë, në fillim të gushtit 2021, benzina Eurosuper 95 ishte 71 denarë, ndërsa dizeli 60 denarë. Sot Eurosuper 95 është 95,5 denarë, ndërsa dizel 94 denarë. Kjo do të thotë se benzina është shtrenjtuar me 35 për qind dhe nafta me gati 60 për qind. Nëse shpenzoni 40 litra karburant në muaj, këtë vit është 1.000 deri në 1.400 denarë më shumë se vitin e kaluar. Sipas të dhënave të publikuara, në krahasim me vitin e kaluar transporti është më i shtrenjtë me mbi 30 për qind. Kjo automatikisht sjell një rritje të çmimit të të gjitha mallrave dhe shërbimeve, sepse bëhet më e shtrenjtë për të sjellë çdo produkt në dyqan. U shtrenjtua edhe transporti ndërurban, por transporti urban në Shkup mbeti me të njëjtat çmime. Qeveria në mars uli TVSH-në dhe akcizën për derivatet, por ajo masë pushoi së vlefshmi më një qershor, pas së cilës karburantet menjëherë u shtrenjtuan për nëntë denarë.

ENERGJIA ELEKTRIKE

Rritje të çmimit ka pësuar edhe energjia elektrike, ku është rritur me gati 10 për qind që nga një janari dhe mesatarisht me 7.4 për qind në krahasim me muajin e kaluar. Kjo do të thotë se në krahasim me vitin e kaluar, rryma është 18 për qind më e shtrenjtë. Duke qenë se u vendosën katër bllok tarifa për energjinë e shtrenjtë, rritja e çmimit për ata që shpenzojnë më shumë, pra ngrohje me energji elektrike, do të jetë edhe më e lartë. Familjet që vitin e kaluar kanë paguar 2.000 denarë energji elektrike, tani paguajnë 360 denarë më shumë. Që nga korriku i vitit të kaluar, norma e TVSH-së për energjinë elektrike është ulur nga 18 në 5 për qind, në kuadër të masave kundër krizës. Vlefshmëria e masës është zgjatur deri në fund të vitit. Çmimet filluan të rriten qysh vitin e kaluar pas ringjalljes së ekonomisë botërore pas mbylljeve për shkak të krizës me pandeminë e virusit korona. Çmimet e karburanteve dhe ushqimeve janë rritur më tej që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, pas të cilit vendet perëndimore vendosën sanksione të ashpra ndaj Moskës.

NGROHJA

Nisja e sezonit të ngrohjes është dy muaj e gjysmë larg, por blerjet janë në rritje. Një metër kub dru vitin e kaluar ka kushtuar 3.500 denarë, ndërsa këtë vit të paktën në Shkup shkon deri në 5.000 denarë. Vitin e kaluar një qese pelet shitej nga 180-200 denarë. Ata që janë me fat, sivjet i kanë blerë për 300 denarë, por më pas janë zhdukur dhe tani shiten për 360 denarë. Dy javë më parë, qeveria mori një vendim për të kufizuar eksportin e druve të zjarrit dhe peletit deri në fund të vitit. Në njoftimin e qeverisë thuhet se këtë tashmë e kanë bërë qeveritë e Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Tregtarët pyesin se cili është përfitimi i këtyre masave, duke qenë se pjesa më e madhe e peletit vjen nga importi. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Gusht, 2022 20:21
  • Ndiqeni faqen tonë në Facebook për lajmet më të fundit dhe për prodhimet tona më të reja multimediale.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Instagram me përmbajtje të veçantë dhe informuese – fotogaleri, video dhe infografika.
  • Abonohuni në kanalin tonë në Youtube për videove ekskluzive nga të katër anët e globit.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Twwiter për t’u informuar vazhdimisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.