Çegrani meriton përmendoren e bujarisë dhe humanizmit

Çegrani meriton përmendoren e bujarisë dhe humanizmit

Në 20 vjetorin e ngritjes së kampit më të madh në Maqedoninë e Veriut, kampit të Çegranit dhe 20 vjetorit të eksodit Kosovarë të vitit 1999.

Nga Milaim Fetai

Njerëzit, komunitetet, ose shtetet apo kombet në përgjithësi zgjedhin ose të bëjnë historinë ose të ndëshkohen prej saj. Shqiptarët në përgjithësi kanë qenë në anën e duhur të historisë. Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe gjatë periudhës kur vëllezrit kosovarë luftonin për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, e anë kënd botës kontribuan sa mundën në këtë luftë. Por, për rrethana të ndryshme sigurisht që jo të gjithë njëlloj. Me krenari them se fshatrat Çegrani dhe Forina, por edhe gjithë Gostivari hapën dyert e zemrës për vëllezrit e tyre të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre. Them hapën dyert e zemrës dhe kam tre arsye për ta argumentuar këtë përfundim. 1.- Sepse këtu në Çegran u dha pëlqimi për tu ngritur kampi më i madh në Maqedoni për të strehuar vllezërit dhe motrat kosovare të dëbuar nga vatrat e tyre stërgjyshore. Në pranverën e viti 1999, tërë masmediat botërore kur raportonin për Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe për tragjedinë kosovare, theksonin se fshati ynë ishte bërë dikund me mbi 60 000 banorë që ndryshe thënë e tërë Kosova kishte pjesëtarë të familjeve që ishin bërë banor të përkohshëm të Çegranit dhe Forinës.

Por, jo vetëm kaq. 2.- Me mijëra Banorë të fshatrave të kësaj ane i hapën edhe dyert e shtëpive të tyre. Kështu duke u bashkuar me familjet Kosovare ata drejtëpërsëdrejti, ditë pas dite, me muaj të tërë jo vetëm që e përjetuan tergjedinë e vllezërve të tyre Kosovar por atyre u ofruan një mbështetje të fuqishme morale e shpirterore duke ua këthyer buzëqeshjen, shpresën, sigurinë dhe me lutje që ata të ndjehen rehat sikur në shtëpitë e tyre dhe se do të jenë së bashku deri në ditën kur ata do të mundet të këthehen në trojet e veta, derisa të çlirohet Kosova! Por, jo vetëm kaq. 3.- Banorët e Çegranit, organizuan që në varrezat e tyre, me të gjitha ritet mortore, varrosjen e afër 20 qytetarëve që patën fatin e keq të mbyllnin jetën e tyre në ato ditë të tmerrshme të vitit 1999. Të gjitha këto janë shenja kuptimplote që Çegrani dhe Forina i hapën dyert e zemrës në vitin 1999 për vllezërit dhe motrat nga Kosova.

Nuk ka pasur ndonjë dilemë për të kundërtën. Sepse çegranasit janë shqiptarë, e si të tillë mikpëritjen e kanë pjesë të traditës, ADN-së së tyre. Por, kur miku që duhet të presësh është në rrethana mbiejetese atëherë tiparit të mikëpritjes i shtohet edhe ai i solidaritetit që është sa kombëtar, pra i shqiptarëve aq edhe fetar, i myslimanëve. Çegrani dhe çegranasit gjithmonë janë rreshtuar në mbrojtje të të drejtave kombëtare. Kontributi i tyre është evidentuar nga historia edhe në Kryengritjen e Dervish Carës 1844. Por, edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, apo në shpalljen e Pavarësisë më 1912, në luftërat ballkanike të viti 1913 ku i kemi të vrarë 37 martirë nga dora e regjimit serbe të asj kohe. Edhe në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, në luftën për çlirimin e Kosovëe si dhe në luftën e vitit 2001 këtu në Maqedoninë Veriore. Këtë më së miri mundet ta sqarojnë historianët të cilët ndoshta duhet pak më tepër ta zbardhin dhe afirmojnë kontributin mbarëkombtar të banorve të këtyre lokaliteteve.

Çegrani ka qenë GATI sa herë ka pasur nevojë kombi shqiptar. Duke kërkuar mirëkuptimin për emocionet, mendoj që Rudina e Çegranit meriton të jetë në historinë e njerëzimit si ato të kampeve të nazizmit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe për këtë ky vend ka nevojë për një përmendore. Një përmendore jo vetëm për të përjetësuar ata që bënë këta njerëz në një moment të rëndësishëm të kombit tonë, por edhe për tua lënë si një vend peligrinazhi dhe krenarie brezave që do të vijnë. Vetëm në këtë mënyrë akti i Çegranasve dhe qendresa dinjitoze e vëllezërve nga Kosova do të marrë dimesionin e saj në çdo moment të historisë së kombit tonë. Një përmendore dinjitoze e kanë detyrim autoritetet e Komunës së Gostivarit dhe pushteti qendror, por në bashkëpunim edhe me institucionet e Kosovës, apo edhe të personave që në atë kohë kanë qëndruar në këtë kamp përkohësisht e prej këndej kapërcyen në perëndim ku kanë shënuar karrierë të suksesshme! Madje një përmendore dhe një muze!

Sepse duke bërë këto të dyja, ne duhet të tregojmë që historinë jo vetëm që e bëjmë, por edhe e shkruajmë, nuk e harojmë dhe dijmë ta dokumentojmë dhe ruajmë për gjeneratat e reja si përkujtim se si është ndërtuar liria. Duke u përulur me mirënjohje për gjithçka dhe gjithëkënd që ka kontribuar në mbështetjen, ndihmën dhe solidatitetin me vëllezrit kosovarë, duke u falemenderuar për mbështetjen e popujve të civilizuar Evropian dhe veçanarishte Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e mundëm të keqen dhe të gjithë së bashku dolëm fitues. Prandaj sot, pas 20 vjetësh lirishtë mundet të themi se Jemi krenarë dhe mburremi me atë që bëmë.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 26, 2019 20:42

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA