Agjencia e lajmeve FLAKA u themelua më 7 Mars të vitit 2016. Është anëtare e rregullt e Këshillit për etikë në media në Maqedoni - KEMM

Çejku: Shqiptarëve të Malit të Zi u duhet një BDI

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 1 Shtator, 2020 22:34

Çejku: Shqiptarëve të Malit të Zi u duhet një BDI

Fitorja e opozitës pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi për diplomatin Arben Çejku nuk ishte aspak surprizë. Për Rtv Ora ai thotë se autokracitë gjithmonë e kanë një fund.

Çejku: Gjithmonë ka një fund dhe autokracitë nuk mund të mbahen gjatë pavarësisht se Gjukanoviç ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për ecurinë e Malit të Zi, shkëputja nga federata serbo-malazeze, pavarësinë e vendit, orientimin euroatlantik të Malit të Zi dhe stabilitetin e brendshëm. Përballë zhvillimeve demokratike asgjë nuk është e pamundur.

Sipas tij, arroganca e pushtetit të Gjukanoviç e ka ushqyer fuqinë e opozitës, e cila pavarësisht disa nuancave pro-serbe dhe pro-ruse, gjithësesi në kontekstin e një pluralizimi politik dhe të një zhvillimi të zgjedhjeve të lira dhe të drejta do të merrte një rezultat një ditë të caktuar.

Çejku: Të dy palët kanë ndihmuar njëra-tjetrën por mendoj se Gjykanoviç me pamundësinë e ndryshimeve të lidershipit të partisë së tij dhe mosdhënien e mundësisë për një zgjidhje dhe zgjedhje më të mirë e orientoi elektoratin në një drejtim tjetër duke sjellë surpriza, siç ishte fitorja e opozitës.

Çejku vlerëson se presidenti Gjukanoviç ka qenë një lloj mbreti i pashpallur i Malit të Zi dhe përkundrejt akuzave për korrupsion dhe autoritarizëm, ku pasuria e tij nga mediat ndërkombëtare është vlerësuar 12 milon euro, Perëndimi ka mbyllur një sy për hir të stabilitetit.

Çejku: Nuk kanë munguar akuzat. Ka qenë një lloj mbreti i pashpallur i Malit të Zi, për hir të stabilitetit Perëndimi ka mbyllur një sy dhe i është bërë dëm proceseve demokratike. Kemi një Mal të Zi që nuk ka ngritur dot institucione funksionale të drejtësisë, ka një superkontroll partiak mbi këto institucione. Mali i Zi gjithmonë është parë si një vend në të cilin duhet të prevalojë stabiliteti. Shkëputja e Malit të Zi nga Serbia dhe çështja e Kosovës ka ndikuar që gjithmonë Perëndimi të shohë te Gjukanoviç dhe Mali i Zi mundësinë e një stabilitetit të përgjithshëm të rajonit por kjo nuk mund të vazhdojë pa fund kur autokracia i mbivendoset normalitetit demokratik. Janë qytetarët malazezë dhe sidomos ish-mbështetës të Gjykanoviç që kanë votuar për Abazoviçin, politikanin shqiptar që është në një parti me tre ngjyra që ka malazezët, shqiptarët dhe serbët brenda.Janë votues edhe të partive pro-serbe. Por ata serbë që janë Malin e Zi nuk duhet të harrojmë se janë natyralizuar dhe nuk mund të kemi një përjashtim për hir të pluralizimit etnik.

Përcaktues në formimin e koalicionit për krijimin e qeverisë së re ishte shqiptari Dritan Abazoviç me partinë e tij URA.

Çejku: Është një pushtet kalimtar pavarësisht se profili i tij politik ka provokuar shpesh herë, është një Beppe Grillo  apo Tsipras i Malit të Zi.Janë fenomene të njohura ku ka pasur probleme me funksionimin e demokracisë. Edhe në Shqipëri kemi pasur parti të ekstremit nacionalist apo ngjyrimeve të tjera. Faktori ndërkombëtar po i lë të rrjedhin në gjendje të lirë zhvillimet në Mal të Zi.Nuk mund të ketë një diktim të zhvillimeve derisa vota është e qartë pro-opozitës.Ndoshta rrotacioni do ti bëjë mirtë dhe partisë së Gjukanoviç që duhet të shkëputet nga modeli i partisë-shtet.

E megjithatë, Çejku thotë se Abazoviç është një tullumbace që është fryrë për shkak të dështimeve të Gjukanoviç.

Çejku: Duke ditur se nuk merr dot mbështetje nga vota shqiptare ka luajtur rolin e një jugosllavenci të kohës së Titos.E ka luajtur këtë kartë dhe po e luan duke provokuar edhe vetë shqiptarët. Është kthyer në një kafshë politike për të arritur ambiciet e tij por ende nuk është sprovuar në bashkëqeverisje me parti pro-serbe dhe pro-ruse. Mendoj se si fenomen është i përkohshëm sepse nuk e ka bazën të qartë, nuk ka elektorat të qëndrueshëm dhe mund ta braktisë shumë shpejt nëse nuk përmbush premtimet që u ka dhënë.

Ish-ambasadori shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni nuk sheh ndonjë rrezik të mundshëm për destabilizim të Malit të Zi.

Çejku: Është vend i vogël dhe pavarësisht retorikës nacionaliste apo relacioneve me Beogradin, në kontekstin e një stabilteti të rajonit SHBA dhe BE nuk do të lejojnë të ketë surpriza që mund të sjellin destabilitet në rajon.Janë shumë më të interesuar për pjesëmarrjen në pushtet sesa një radikalizim, përmes pushtetit do të bëhet edhe zbutja e radikalëve pro-rusë dhe pro-serbë.

Fituesi real i zgjedhjeve nqë Mal të Zi nga analistët është konsideruar mitropoliti i kishës ortodokse serbe, që duhet theksuar se fakti se votoi për herë të parë në historinë pluraliste të këtij shteti.

Sipas Çejkut, përzierja e religjionit me politikën është gjëja më e gabuar që mund të ndodhë.

Nga ana tjetër ai tërheq vëmendjen që  faktori shqiptar në Mal të Zi ta lexojë si duhet këtë periudhë dhe sipas tij ka ardhur koha që të unifikohen në një forcë politike progresive që të mbetet gjithmonë aty si një faktor siç BDI ka 20 vjet që dikton qeverisjet në Maqedoninë e Veriut.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana

 

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 1 Shtator, 2020 22:34