“Civil”: Reforma thelbësore në sistemin zgjedhor

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 19, 2019 20:18

“Civil”: Reforma thelbësore në sistemin zgjedhor

Për zbatimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike duhen reforma thelbësore të sistemit zgjedhor, vlerësojnë nga Organizata Qytetare “Civil”, që kanë adresuar edhe rekomandime konkrete tek institucionet kompetente. “Civil” thotë se për reformat e tilla nuk duhet të dakordohen vetëm partitë e mëdha, duke lënë anash opinionin, shoqërinë qytetare, ekspertët dhe partitë më të vogla politike.

Nga “Civil” propozojnë reforma dhe pavarësi më të madhe për KShZ-në, pastrim real të listës zgjedhore, zgjidhje për çështjen më kryesore, sipas tyre, korrupsionin në proceset zgjedhore. E padyshim vërejtje kanë për financimin e partive gjatë fushatave zgjedhore.

“Një nga zgjidhjet është të ndryshohet modeli zgjedhor dhe të bëhet një njësi zgjedhore, në të cilën mund të fitojnë vendin e tyre edhe ato që janë nga etnitetet më të vogla dhe partitë politike më të vogla. Aktualisht modeli zgjedhor mundëson përparësi absolute të partive më të mëdha e më të pasura, të cilat më pas koalicionojnë me parti të tjera politike, të cilave u ofrojnë benefite të caktuara nëse fitojnë, pra me modelin aktual, vetëm se thellohet korrupsioni politik në vend. Ne presim që Kodi Zgjedhor të shkruhet nga e para”,- tha Xhabir Deralla nga OJQ “Civil”.

Zgjedhjet e parakohshme, Derralla: Do të ishin vetëvrasje në këtë moment

Deralla është kundër zgjedhjeve të parakohshme, siç kërkon opozita, me këtë Kod Zgjedhor. Thotë se zgjedhjet me këto kushte do të ishin të rrezikshme.

“Zgjedhjet e parakohshme do të ishin vetëvrasje, pasi që ne ndodhemi në mes të një procesi strategjik, i cili është shumë i rëndësishëm për vendin tonë, e ato janë proceset NATO dhe BE. Ajo që mund të them është se nuk mund ta përkrahim në asnjë mënyrë. Një Qeveri të përgjegjshme nuk mund të lejojë zgjedhje të parakohshme që të mund të plotësojë paramendime të çuditshme të dikujt se si udhëhiqet politika t’i zbatojë”,- theksoi Xhabir Deralla nga OJQ “Civil”.

“Civil” thotë se sugjerimet për ndryshime në sistemin zgjedhor do t’i dorëzojnë në Qeveri, parlament e të gjitha institucionet.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 19, 2019 20:18