Zhvillime të çuditshme po ndodhin në Bashkësinë Islame. Alsat njoftoi të martën që në BFI është parandaluar një tentim për shkarkimin e kreut të BFI-së, Shaqir Fetahu.
Çka po ndodh në BFI? Gazetari Furkan Saliu thotë që shumë gjëra kanë ndodhur ditëve të fundit në BFI, por se i vjen turp që të shkruan duke lënë të kuptohet që zhvillimet atje janë serioze dhe të përmasave të turpësisë.
“Shumë gjëra kanë ndodhur ditëve të fundit në BFI dhe jam i informuar në detaje por disi më vie turp më të shkruaj për atë se çfarë bëjnë predikuesit e religjionit më paqësor dhe më të pastër në botë”, shkruan gazetari Furkan Saliu.
Alsat njoftoi që puçi është organizuar nga Qani Nesimi, kryetari i Muftinisë së Tetovës, Abedin Imeri – myftiu i Kumanovës, Salim Sulejman – myftiu i Strugës, Shaban Sulejman – Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Ibrahim Idrizi – drejtor i Medresesë “Isa Beu” në Shkup, Mustafa Dauti – përgjegjës për lidhje me Ambasadat, Muhamer Vejseli – drejtor i Agjencisë “Hallall”, Rexhep Ziberi – drejtor i shoqatës “Ilmije”, si dhe Jusuf Zimeri – drejtor për çështje islame… janë anëtarët e Rijasetit që kanë organizuar shkarkimin e Reisi Fetahu, ndërsa kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e transparencës në punën e BFIM-së, siç është rritja enorme e çmimit të Haxhit për sivjet.
Por nga ky institucion fetar nuk pranojnë se ka pasur përpjekje për zëvendësimin e kreut të saj. Nuk ka asnjë njoftim për arsyet që mund të kenë çuar grupin e të pakënaqurve për shkarkimin e Shaqirit ndërkohë që në rrjetet sociale kanë qarkulluar informacionet e tilla.
Dyshimet për këto zhvillime në BFI janë shtuar pas vendimit të kreut të saj, Shaqir Fetahu i dielën pas mesnate ka shkarkuar pesë anëtarë të Rijasetit dhe atë:
Ibrahim Idrizi – drejtor i Medresesë “Isa Beu”
Mustafa Dauti – drejtor për komunikim me jashtë
Jusuf Zimeri – drejtor i Sektorit për Çështje Fetare-Arsimore në BFI
Muhamer Veseli – drejtor i Agjencisë për Sistemin Hallall, si dhe
Rexhep Ziberi – drejtor i Shoqatës “Ilmie”
Nga të shkarkuarit e lartë përmendur, menjëherë është zëvendësuar drejtori i Medresesë “Isa Beu”, postin e të cilit tani e ushtron Islam Islami. Për emërimin e Islamit është bërë edhe njoftimi zyrtar në rrjetet sociale të Medresesë. Në njoftim potencohet vetëm emërimi dhe biografia e drejtori Islam Islami, por nuk është shënuar as edhe një fjali për drejtorin e deritanishëm, njoftoi të martën Alsat.