Çmimi i ngrohjes qendrore nga sot u rrit për 14,18%, ja çka thonë qytetarët

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 19:22

Çmimi i ngrohjes qendrore nga sot u rrit për 14,18%, ja çka thonë qytetarët

Pavarësisht motit me diell dhe temperaturave të larta, qytetarët kanë nisur të bëjnë llogaritë se cila alternativë e ngrohjes do të jetë më e lirë për sezonin e dimrit, shkruan Alsat.

Rritja e çmimit të ngrohjes qendrore për 14,18 % ka shqetësuar qytetarët, posaçërisht ata të cilët nuk kanë mundësi tjetër të ngrohjes në ambientet ku jetojnë.

“Si për të gjithë ashtu edhe për mua. Varet për sa do të shtrenjtohet, besoj se do të jetë e përballueshme. Ndërtesa është e re, është e bërë vetëm për ngrohje qendrore, as me dru nuk mundemi të ngrohemi”, thotë një qytetar.

“Herët është, nuk duhet të bëjmë panik. Çfarë të bëjmë, çdo gjë është shtrenjtuar, askush nuk e bën me vet dëshirë. Po na bëjnë presion, duhet të jemi të durueshëm, e di që është vështirë”, shprehet një qytetar tjetër.

Të shqetësuar janë edhe qytetarët që ngrohen më rrymë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ndërkohë, ata që vazhdojnë të ngrohen me dru thanë se do të kalojnë më lehtë pavarësisht rritjes së çmimit edhe të drurit.

“Do të ngrohemi me dru, dikush me rrymë. Më lirë është me dru, rryma shumë shtrenjtë. I kemi ble, i kemi gati, i kemi pre, i kemi rregullu, gati për dimër. Një metër kub ka kushtu diku 50 euro”, theksoi një qytetar.

“Do e shohim. Unë nuk kam zgjidhje tjetër, çdo gjë e kam më rrymë. Nuk kam ngrohje qendrore, vetëm rrymën e kam si mundësi”, u shpreh një qytetar tjetër.

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka vendosur që prej sot të hyjnë në fuqi çmimet e reja të ngrohjes qendrore të cilat do të jenë më të larta për 14,18 %.

Sipas KRRE-së arsyeja e vetme për rritjen e faturave është rritja drastike e çmimit të gazit natyror, i cili kushton 10 herë më shumë se sa periudhën e kaluar./ Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 19:22