Dalja nga BE, Londra: Na bën më të varfër

Dalja nga BE, Londra: Na bën më të varfër

Britania e Madhe do të jetë në mënyrë të përhershme më e varfër nëse largohet nga Bashkimi Europian. Kështu paralajmëroi kancelari ose ministri i Financave i Mbretërisë së Bashkuar, George Osborne, ndërsa afrohet gjithnjë e më shumë data e referendumit në të cilin britanikët do të vendosin nëse duan apo jo të qëndrojnë ende në Union.

Osborne foli pas publikimit të rezultateve të një studimi të Thesarit mbi koston e daljes nga BE, i cili parashikon se të ardhurat kombëtare në vend do të jenë 6% më të vogla deri në vitin 2030.

Në vlerë monetare, kjo do të thotë 4300 stërlina më pak në vit për çdo familje. Sipas Osborne, raporti largohet nga retorika e javëve të fundit dhe paraqet fakte për atë që pritet të ndodhë.

“Konkluzionet nuk mund të jenë më të qartë. Britania do të jetë më e varfër nëse largohemi nga BE. Dhe pikërisht njerëzit më të varfër të vendit janë atë që do të lëndohen më shumë”, deklaroi Osborne, i cili shtoi se e gjithë bota thotë të njëjtën gjë dhe nuk ka dyshime se dalja nga BE është e dëmshme për Britaninë.

Por, raporti është hedhur poshtë nga fushata pro daljes nga BE. Deputetë dhe zyrtarë të ndryshëm britanikë thonë se Thesari është gabuar, siç ka ndodhur shpesh në të shkuarën.

Ata ngulin këmbë se qeveria britanike nuk parashikoi dot dëmin që mekanizmi europian i këmbimit të valutës i solli Britanisë dhe as dëmin e krizës së vitit 2011. Interesant është fakti se komentet e shumta që ka marrë ky lajmërim nga qytetarët janë në pjesën dërrmuese kritike dhe akuza ndaj qeverisë për mashtrim dhe krijim të frikës.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 19, 2016 06:35

REKLAMA