DASH për Shqipërinë: Korrupsioni, problem kryesor

DASH për Shqipërinë: Korrupsioni, problem kryesor

Departamenti Amerikan i Shtetit ka nxjerrë raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut.

Për Shqipërinë, dokumenti vë në dukje se korrupsioni është problem dhe i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë dhe në shëndetësi. Korrupsioni, thekson dokumenti, është i përhapur edhe në radhët e policisë, në institucionet arsimore, përfshirë këtu edhe universitetet  publike.

Pandëshkueshmëria është një prej problemeve të tjera me të cilat përballet Shqipëria, sipas raportit. “Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale,” nënvizon raporti. Qeveria filloi hetimet për disa zyrtarë të nivelit të lartë, por prokuroria më pas vendosi t’i pushojë këto çështje”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.

Problem rrënjësor, cilëson raporti, mbeten gjithashtu edhe dhuna në familje, së bashku me diskriminimin ndaj grave. Abuzimi ndaj fëmijëve nuk ngelet mbrapa. Vendi vazhdon të jetë një burim dhe destinacion për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar. Margjinalizimi dhe abuzimi i bashkësive rome dhe egjiptiane ballkanike ishin probleme serioze, sikurse ishte edhe diskriminimi në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Megjithatë, qeveria ka lehtësuar integrimin e muxhahedinëve iranianë në shoqërinë tonë.

Për vitin 2015, raportohen raste se policia ka keqtrajtuar disa nga të dyshuarit gjatë procesit të ndalimit apo marrjes në pyetje. Po ashtu, kushtet në burgje paraqiten si shumë të rënda.

Duke kaluar tek një tjetër çështje, raporti thekson se qeveria ka bërë pak përparim në trajtimin e kërkesave të shumta për kthimin apo kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit.

Mosndëshkuemëria përbën problem për vitin 2015, thekson Departamenti Amerikan i Shtetit. “Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë, dhe persona me lidhje te fuqishme biznesi kanë arritur të shmangin ndjekjen penale”. Autoritetet morën disa masa administrative për të përmirësuar llogaridhënien e policisë dhe dënuan disa zyrtarë të nivelit të ulët për abuzime.

Qeveria nisi hetimet e disa zyrtarëve të nivelit të lartë, por raporti thotë se më vonë ishte prokuroria ajo që nuk i hetoi më rastet.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 14, 2016 07:09

REKLAMA

PARTNER