Deponia në Vizbeg drejt zgjidhjes

Desk
By Desk November 12, 2020 19:49

Deponia në Vizbeg drejt zgjidhjes

Me rebalancin e fundit të Buxhetit të qendror, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, iu kanë ndarë 20 milionë denarë ose 325 mijë euro për pastrimin e kësaj deponie, ndërkohë që Qyteti i Shkupit, kërkoi rritjen e kompetencave të inspektorëve dhe rritjen e gjobave.

Qytetarët e Vizbegut, në periferi të Shkupit, vazhdojnë të vuajnë nga djegia e deponisë së egër. Nga ky problem përpos tyre vuajnë edhe shumë qytetar të Komunës së Shuto Orizares, Butelit dhe Çairit. Zakonisht era më e rëndë siç shprehen banorët e kësaj ane të Shkupit, shkaktohet gjatë kësaj periudhe dhe muajve tjerë në vijim. Djegia e kabllove të ndryshme dhe gomave janë prej materive që më së shumti digjen në këtë deponi. Nga administrata e Qytetit të Shkupit, për gazetën KOHA, shprehen se janë në dijeni për deponinë e cila gjendet në mes Vizbegut dhe Shuto Orizares, dhe se punojnë për tejkalimin e këtij problem.

“Vitin e kaluar Qyteti i Shkupit, Njësia e zjarrfikësve dhe Inspektorati i Qytetit të Shkupit, së bashkë me disa ndërmarrje publike më shumë herë kanë intervenuar në terren. Fatkeqësisht, qytetarë të pandërgjegjshëm në vazhdimësia ia vënë flakën, ndërkohë Njësia e zjarrfikësve ka intervenuar në më shumë raste”, thonë nga Qyteti i Shkupit. Në drejtim të zgjidhjes përfundimtare, nga atje bëjnë të ditur se me rebalancin e fundit të buxhetit të qendror, ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, iu kanë ndarë 20 milionë denarë ose 325 mijë euro për pastrimin e kësaj deponie. “Më pas Qyteti i Shkupit, duhet ta rrethon dhe siguron të njëjtën. Në kuadër të këtij vendimi do të arrihet deri te zgjidhja përfundimtare e këtij problem i cili me vite i tangon qytetarët e kësaj pjese të Shkupit”, sqarojnë nga Qyteti i Shkupit.

Pengesa e ndryshme ligjore me të cilat ballafaqohen inspektorët e mjedisit jetësor në nivel lokal, po ashtu paraqesin njërën prej arsyeve sepse në Maqedoninë e Veriut, ekzistojnë shumë deponi ilegale apo të egra siç njihen ndër popull. Pavarësisht këtyre pengesa nga Qyteti i Shkupit, thonë se ata do të vazhdojnë të japin mbështetje në terren.

“Për këto arsye Qyteti i Shkupit, kërkoi rritjen e kompetencave të inspektorëve dhe rritjen e gjobave. Është bërë ndryshim i një numri të madh të ligjeve, ndërsa për momentin po punohet në Propozim-Ligjin për polici komunale, përmes të cilit do të mënjanoheshin pengesat në legjislacionin ekzistues. Në periudhën që vijon duhet të nënshkruhet memorandum për bashkëpunim ku Qyteti i Shkupit, do të ketë inspektorat të përbashkët, me çka dukshëm do të përmirësohet koordinimit dhe autorizimi, respektivisht me këtë edhe efekti i punës së inspektorateve komunale”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit. Ndryshe, deponia në Vizbeg është mbetje nga stacioni i mëhershme i NP “Higjiena Komunale”, dhe menaxhimi i saj është nën kompetencat e Komunës së Shuto Orizares. Krahas kësaj deponie rreth e përqark Shkupit, ekzistojnë me dhjetëra deponi tjera të kësaj natyre, të cilët sidomos gjatë periudhës së uljes së temperaturave kundërmojnë erë të rëndë. (koha.mk)

Desk
By Desk November 12, 2020 19:49