Deponitë rajonale mbeten vetëm premtime

Redaksia
By Redaksia 6 Nëntor, 2021 20:48

Deponitë rajonale mbeten vetëm premtime

Komisioni Evropian në raportin e fundit thekson se krijimi i sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave vazhdon të përballet me vonesa. Pritet që pas shtatorit të 2022 të fillohet me ndërtimin e pesë deponive rajonale pas miratimit të kredisë prej 55 milion euro nga BERZH.

Një problem i vjetër dhe i shtresuar me dekada i ndërtimit të deponive rajonale vështirë po gjen zgjidhje në praktikë. Gati nuk ekziston vendbanim qoftë urban apo rural që nuk ka deponi të egra dhe të tjera me mbeturina ndërtimore, metale, plastikë, mbeturina komunale dhe të ngjashme. Bile një pasqyrë jo e bukur mund të vërehet edhe në parqet nacionale, apo shtretërit e lumenjve apo liqene, ndërsa ankesat e para të turistëve të huaj janë për papastërtinë dhe hedhjen e mbeturinave vend e pa vend. Komisioni Evropian në raportin e fundit thekson se krijimi i sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave vazhdon të përballet me vonesa. Pritet që pas shtatorit të 2022 të fillohet me ndërtimin e pesë deponive rajonale pas miratimit të kredisë prej 55 milion euro nga BERZH, thonë nga Ministria e Ambientit.

Edhe pse çdo vit ndërmerren edhe aksione të ndryshme nga autoritetet në nivel lokal dhe qendror për pastrimin e deponive të ndryshme të egra, ato së rish mbijnë si kërpudhat pas shiu. Menaxhimi me mbeturinat nuk është i lehtë për tu zgjidhur edhe për shkak se shtetit i mungojnë para, si dhe të dhëna të sakta për këtë çështje, ndërsa po pritet edhe drita jeshile për financimin nga jashtë të këtij problemi. Aktualisht si deponi me standarde punon vetëm Drislla e Shkupit, edhe pse edhe për punën e saj ka mjaft kritika, ndërsa deponitë e tjera rajonale gjenden në procesin e fitimit të të hollave dhe realizimit të tyre. Në një pjesë të komunave planet për ndërtimin e deponive rajonale i kanë kundërshtuar banorët e zonës dhe vetë komunat, ndërsa ka pasur edhe mospajtime lidhur me atë se si do të menaxhohen depozitë e përbashkëta.

Gjithashtu pritet që deponitë rajonale të zgjidhin problemin edhe me selektimin dhe riciklimin e mbeturinave në vend. Para disa muajsh Ministria e Financave dhe e Ambientit kanë aplikuar deri tek Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim për të fituar kredi me vlerë prej 55 milion euro për ndërtimin e sistemeve rajonale për menaxhimin me mbeturinat në shtet. Pritet që pas shtatorit të vitit 2022 të fillohet edhe me realizimin e këtij projekti dhe më në fund të ndërtohen deponitë tek rajonet Jugperëndimor, të Pollogut, Juglindor, të Vardarit dhe të Pellagonisë, konform standardeve evropiane. Në rrjedhë e sipër është procesi i ndërtimit të deponisë në Shën Nikoll për rajonin Lindor dhe Verilindor. Sistemi modern për menaxhimin me mbeturinat në fshatin Meçkuevci, duhej të fillon me punë në vitin 2023, por procedura për shpalljen e tenderit për ndërtimin e tij u vonua si rrjedhojë e pandemisë .

Nga Ministria e Ambientit thonë se pritet që Brukseli të shpallë tenderin deri në fund të vitit 2021, pas dërgimit të dokumentacionit të nevojshëm projektues. Projekti për fabrikën e parë moderne për mbeturina në vend nisi para 12 vitesh si nismë e kryetarëve nga lindja e bendit, ndërsa pritet që i tërë projekti që kushton 46 milionë euro të realizohet me ndihmën financiare dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, të gjitha komunat në Pollog së bashku do të vendosin për lokacionin e ardhshëm ku do të ndërtohet deponia e ardhshme me vlerë prej afër 17 milionë euro si zëvendësim për lokacionin Rusino në Gostivar.

Në ndërkohë eksperti Risto Georgijev thotë se qëllimi kryesor i nevojës për ndërtimin e deponive rajonale me trajtim bashkëkohor të mbeturinave komunale të forta rrjedh prej nevojës së vendosjes së bashkëpunimit ndër komunal për menaxhimin rajonal të mbeturinave të forta për rajonin konkret. Në këtë mënyrë do të lehtësohet procedura për menaxhimin me mbeturinat, do të ndahen edhe kompetencat e palëve të involvuara me qëllim të ofrimit të shërbimit sa më cilësor për popullatën, gjithnjë me standardet evropiane dhe vendore. “Ndërtimi i deponive rajonale do të mundësojë shërbime të sigurta për grumbullimin e mbeturinave komunale dhe deponimin e tyre në bazë të praktikës evropiane për menaxhimin me mbeturinat e forta komunale, përmirësimin e dukshëm të kushteve të përgjithshme të ambientit jetësor nëpër komuna, uljen dhe anulimin e rreziqeve ekzistues për shëndetin e popullatës të deponive ekzistuese , që nuk janë në pajtueshmëri me standardet e nevojshme etj”, thekson Georgijev.

Në ndërkohë në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian thuhet se sa i përket menaxhimit të mbeturinave, kapacitetet e dobëta administrative, zbatimi i ulët dhe bashkëpunimi i kufizuar ndër sektorial mbeten pengesat kryesore për progresin në këtë sektor. “Janë miratuar një sërë ligjesh për menaxhimin e mbeturinave dhe rrjedhat e veçanta të mbetjeve që përfshijnë parimet e ekonomisë cirkulare Plani Kombëtar për menaxhimin e mbeturinave (2021-2031) dhe plani i parë kombëtar për parandalimin e mbeturinave (2021-2027) janë përgatitur dhe pritet të miratohen. Krijimi i sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave vazhdon të përballet me vonesa. Deponitë jo të harmonizuara dhe deponitë e egra edhe më tej vazhdojnë të mbeten një çështje e rëndësishme mjedisore”, thuhet në raport. Njëherësh theksohet se grumbullimi ndaras i rrjedhave të mbetjeve dhe instrumentet ekonomike për të nxitur riciklimin, ripërdorimin dhe parandalimin e mbeturinave mbeten të kufizuara.

Ndryshe, në vitet e kaluara disa nga problemet që pamundësonin dhe thellonin zgjidhjen e problemit me menaxhimin e mbeturinave ishin edhe mosharmonizimi i Ligjit për menaxhimin me mbeturinat me ligjet që dalin prej tij në raport me ndryshimet e legjislacionit evropian në këtë fushë dhe sidomos definimi i mbeturinave, përputhja e një pjese të kompetencave të institucioneve për menaxhimin me mbeturinat si dhe harmonizimi midis pushtetit qendror dhe lokal. Probleme kishte edhe me implementimin e pamjaftueshëm të ligjeve për menaxhimin me mbeturinat. (koha.mk)

Redaksia
By Redaksia 6 Nëntor, 2021 20:48