Deputetët e Maqedonisë do të vazhdojnë të marrin rroga, pavarësisht se nuk shkojnë në punë

Desk
By Desk May 4, 2020 20:28

Deputetët e Maqedonisë do të vazhdojnë të marrin rroga, pavarësisht se nuk shkojnë në punë

Kuvendi e bazon vazhdimin e pagesës së rregullt të deputetëve në dispozitat e Kodit zgjedhor. Nga ligjvënësi, në pyetjet e Alsat rreth situatës “status-quo” të këtij institucioni dhe pagesës së rregullt të përfaqësuesve të popullit, thonë se:

“Në nenin 15, paragrafi 4 i Kodit zgjedhor është përcaktuar se Mandati i deputetëve zgjat prej ditës së verifikimit të tij deri në ditën e verifikimit të mandatit të deputetëve të porsazgjedhur, por jo më gjatë se katër vite”, njoftojnë nga Kuvendi.

Në raportin e dërguar nga Kuvendi, pagesa e fundit e deputetëve ka qenë ajo për muajin mars. Për shpenzimet e rrugës, deputetët që udhëtojnë nga jashtë Shkupit, për herë të fundit janë kompensuar për muajin shkurt. Në mars, ata nuk kanë marrë kompensim për shpenzimet e rrugës duke qenë se nuk kanë shkuar në punë. Në një periudhë normale, deputetët nga jashtë Shkupit, kompensohen edhe për qiranë e banesave. Nga ligjvënësi tani njoftojnë se “kontratat për marrje me qira të banesave me qiradhënësit e deputetëve, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkak të gjendjes së re të krijuar me pandeminë i ka prishur”.

“Kontratat për marrje me qira të banesave me qiradhënësit e deputetëve, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkak të gjendjes së re të krijuar me pandeminë i ka prishur”, thonë nga Kuvendi.

Kjo përbërje parlamentare në muajin mars i ka kushtuar shtetit rreth 12 milion e 699 mijë denarë vetëm paga bruto, prej të cilave 8 milion 329 mijë denarë janë rroga neto. Paga më e ulët për deputet është 61 mijë e 807 denarë neto, 72 deri 80 mijë denarë marrin disa nga kryetarët e komisioneve parlamentare dhe nënkryetarët e Kuvendit, kurse 93 mijë e 275 denarë neto rrogë merr kreu i Kuvendit.

Deputetët miratuan shpërndarjen e Kuvendit më 16 shkurt. Në një situatë normale, zgjedhjet duhet të ishin realizuar më 12 prill. Tashmë duhet të kishte filluar ose ndoshta edhe do të kishte përfunduar seanca konstituive dhe të ishte bërë miratimi i mandatit të një përbërje tjetër parlamentare. Si rrjedhojë, deputetët aktual më nuk do të kishin mandat dhe të drejtë page. Megjithatë, për derisa gjendja e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë dhe krizës shëndetësore vazhdon dhe e ardhmja e zgjedhjeve të reja është e paqartë, dispozita e lartpërmendur e Kodit zgjedhor, në bazë të të cilës deputetët vazhdojnë të paguhen, mbetet në fuqi. Ata vazhdojnë të mos kryejnë asnjë aktivitet në institucionin ligjvënës, për aq kohë sa nisma për rikthimin e Kuvendit nuk pranohet nga kryeparlamentari Talat Xhaferi. Ekspertët një ditë më parë për Alsat nuk kontestuan të drejtën ligjore të deputetëve për t’u paguar për angazhimin e tyre, megjithatë ata shtuan se nëse kjo gjendje vazhdon, pagesa e rregullt e tyre edhe kur nuk janë në krye të detyrës, do të bëhet çështje morale.

Desk
By Desk May 4, 2020 20:28