Deputetja Arta Bilalli – Zendeli: Postet janë përgjegjësi dhe besim

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 30 Dhjetor, 2022 12:13

Deputetja <strong>Arta Bilalli – Zendeli</strong>: Postet janë përgjegjësi dhe besim

Deputetja Arta Bilalli – Zendeli në intervistën e fundvitit për Flaka ka folur për punën si deputete dhe bashkëveprimi i deputeteve femra në mbrojtje të interesit të tyre pa dallime politike, nacionale e fetare. “Vlerësimi juaj se ekziston fryma feministe qëndron dhe ne jemi bërë disa herë bashkë dhe kemi folur pothuaj se njëzëri për tema të caktuara”, shton Bilalli – Zendeli.

Para vitit 2020 e shihnim në studio televizive si analiste dhe eksperte e juridikut, dhe tani si përfaqësuese e BDI. Në pyetjen nëse ishte më lehtë të mbroni qëndrimet në cilësinë e ekspertës apo tani në cilësinë e përfaqësimit politik, deputetja Arta Bilalli – Zendeli me përgjigje: “ Momente të caktuara për të cilat ftohesha në studio televeizive në cilësinë e ekspertes së drejtësisë kanë qenë mjaft të vështira por edhe në cilësinë e përfaqësueses politike nuk është e lehtë”.

Intervistoi: Driton Zenku 

FLAKA: Viti 2022 përfundon si një vit me zhvillime të shumta në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Ndodhi pranimi i propozimit francez në Kuvend rreth kontestit me Bullgarinë. Rezultati i këtij kompromisi rezultoi me hapjen e bisedimeve për inkuadrim në BE, pas plotë 17 vitesh. Cili është vlerësimi i juaj për këtë arritje politike, dhe njëkohësisht edhe për rolin që kishin partitë e bllokut opozitar?

ARTA BILALLI ZENDELI: Pranimi dhe votimi në Kuvend i propozimit francez si kusht për integrimin e RMV-së në BE mendoj se është ngjarja që do ta spikat vitin 2022. Beteja në Kuvend por edhe jashtë Kuvendit nuk ishte e lehtë. Kur e mendoj tani, thjesht them: “A e përjetuam gjithë atë ose është ëndërr?!”. Të shkosh në vendin e punës dhe të shohësh ndoshta edhe 1000 policë të uniformuar jashtë ndërtesës, në një shtet ku para 5 vitesh ndodhi 27 prilli, me të vërtetë len mjaft kujtime, që në moment të caktuar të duken të pabesueshme. Për fat të mire, çdo gjë mbaroi mire dhe me ndihmën edhe të votave të një pjese të opozitës- asaj shqiptare, propozimi francez morri dritën e gjelbër në Kuvend.

Deputetja Arta Bilalli Zendeli dhe bashkëshorti Elviri

FLAKA: Vërehet një frynë feministe në Kuvend. Për disa çështje deputetet femra kapërcejnë ngjyrimet politike dhe bëhen bashkë për të propozuar akte ligjore në dobi të tyre. Ekziston një koalicion, ta quajmë, mes deputeteve femra në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut?

ARTA BILALLI ZENDELI: Përfaqësimi gjinor në Kuvend pas zgjedhjeve lokale nga 39% sa ishte në gusht të vitit 2020 arriti në 41.6%. Vlerësimi juaj se ekziston fryma feministe qëndron dhe ne jemi bërë disa here bashkë dhe kemi folur pothuaj se njëzëri për tema të caktuara, por poashtu ka pasur edhe tema apo situata ku gruaja më së shumti është sulmuar apo penguar apo edhe etiketuar e nënçmuar nga një grua tjetër parlamentare. Kjo lë për të dëshiruar!

FLAKA: Më herët keni qenë e angazhuar si profesoresh në UT. Tani vazhdoni të jeni ligjëruese por njëkohësisht ushtroni edhe detyrën e deputetes. Ku ndjeheni më komod, para studentëve duke ligjëruar apo para kolegëvë deputetë në fjalimet e juaja nga foltorja e Kuvendit?

ARTA BILALLI ZENDELI: Mendoj se të qenit profesoreshë për vite me rradhë ma ka hapur rrugën për të qenë jashtëzakonisht komode edhe gjatë fjalimeve apo debateve në Kuvend. Të qenit professor universitar- e përkushtuar kam qenë shumë dhe për këtë flasin edhe sukseset konkrete në gara të ndryshme për vite me rradhë me studentët e mi- të bën që gjërat t`i mësosh dhe memorosh me përpikshmëri dhe besoni, disa here, pikërisht detaje të ndryshme që i kam memoruar për punën me student kanë arritur të më ndihmojnë shumë në fjalime, debate, etj. dhe duke lënë modestinë me një anë- edhe ta bëjnë dallimin. Kjo, më motivon që të vazhdoj të lexoj literature universitare dhe libra të ndryshëm dhe poashtu vazhdimisht t`i udhëzoj studentët e mi që të lexojnë sa më shumë.

Deputetja Arta Bilalli Zendeli me familjen

FLAKA: Tani që jeni deputete, ju shohim studentët me sy tjetër apo nuk ka ndryshuar asgjë në relacionin tuaj?

ARTA BILALLI ZENDELI: Në raport me studentët nuk ka ndryshuar asgjë. Ka nga ato studente- dua t`i veçoj gjininë femërore që duan të flasin me mua për mënjanimin e pengesave të rrugëtimit tim, a e kam pasur lehtë, a më ka përkrahur familja, etj. dhe unë vazhdimisht flas me to me qëllim që t`i motivoj e të zëvendësohemi me gra e vajza të afta e të përkushtuara. Thjeshtë, dua t`i motivoj të ëndërrojnë për t`i arritur majat e karrierës dhe t`i bindi se nuk ka pengesë të pakapërcyeshme. Gjatë kësaj, qëllimisht, vazhdimisht ua përsëris se kur kam qenë studente kam mësuar edhe nga 10 apo 12 orë në ditë, që ta bëjnë të njejtën dhe të mos mendojnë se gjërat e mira arrihen lehtë.

FLAKA: Para vitit 2020 u shihnim në studio televizive si analiste dhe eksperte e juridikut. Tani si përfaqësuese e BDI. Ishte më lehtë të mbroni qëndrimet në cilësinë e ekspertës apo tani në cilësinë e përfaqësimit politik?

ARTA BILALLI ZENDELI: Momente të caktuara për të cilat ftohesha në studio televeizive në cilësinë e ekspertes së drejtësisë kanë qenë mjaft të vështira por edhe në cilësinë e përfaqësueses politike nuk është e lehtë.

FLAKA: Një ngjarje në Kuvend që ngeli në kujtesën e opinionit publik për vitin 2022 ishte konfrontimi mes deputetëve Arbër Ademi dhe Antonio Milloshovski. Nuk dëshirojmë tu kthejmë pas në kohë, por pasi ishe dëshmitare dhe një nga protagonistët e ngjarjes, na përshkruaj me pak fjalë atë që ndodhi në ato momente, e që ngeli jashtë objektivit të kamerave dhe syve të opinionit publik. Çka ndodhi pastaj pas dyerve të sallës ku zhvillohej seanca e Komisionit për euro-integrime?

Deputetja Arta Bilalli Zendeli me studentët

ARTA BILALLI ZENDELI: Ngjarja midis Arbërit dhe Antonijos uroj të mos përsëritet kurrë. Nuk do mend se në situate të tillë unë solidarizohem me Arbër Ademin por edhe kontribuoj që asnjëri të mos dëmtohet. Tani kur e kujtoj, mendoj se kam bërë pikërisht veprimin e duhur! Pas kamerave situata ishte mjaft e tensionuar. Kishim një kolegë nga opozita maqedone që incizonte nëpër korridor në ndërkohë që unë me 2-3 deputetë tjerë mundoheshim ta qetësonim Arbërin. Ai incizim ishte i jashtëligjshëm dhe i pata thënë në studio televizive se ka gabuar sepse Kuvendi është nën video-mbikqyrje për kamerat e autorizuara por jo për telefonin celular të gjithësecilit!

FLAKA: Je një nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm, je bashkëshorte, profesoresh dhe deputete. Është e vështirë për ju që njëkohësisht të jeni një grua dhe një nënë në familje, dhe të jeni në krye të detyrës në pozitat që keni?

ARTA BILALLI ZENDELI: Eshtë kënaqësi ta lexoj vlerësimin tuaj se jam në krye të detyrës!  Kam 2 djem të mrekullueshëm: Edi (14) dhe Arbani (9) si dhe bashkëshortin- Elvirin dhe jam e bekuar që me ata çdo gjë shkon në rregull. Fëmijët ndonjëherë ankohen, sidomos kur kemi seanca të gjata apo kur më bie të udhëtoj shpesh, por Elviri si dhe prindërit e Elvirit janë gjithmonë aty për t`ua plotësuar kërkesat dhe nevojat. Fëmijët e sotshëm shkojnë në sport, në kurs, Arbani shkon edhe në Xhami dhe pa dyshim se gjithmonë duhet dikush të jetë aty për ata. Me Edin është më e lehtë por me Arbanin, prore mirren ose Elviri ose prindërit e Elvirit. Për këtë u jam shumë mirënjohëse dhe faleminderuese!

FLAKA: Në BDI së fundmi jeni zgjedhur nënkretare e degës në Gostivar dhe njëkohësisht drejtoni edhe Sekretaeiatin për Punë të Jashtme duke qenë anëtare e Këshit të përgjithshëm në këtë parti. Postet në parti i nënkuptoni si privilegj apo përgjegjësi nga besimi i dhënë nga organet dhe lidershipi partiak?

ARTA BILALLI ZENDELI: Për mua postet janë përgjegjësi dhe besim por nuk mendoj se posti e bën njeriun, por a contrario njeriu e bën postin.

Deputetja Arta Bilalli Zendeli në kohë të lirë

FLAKA: Ju ngel kohë të takoheni me miqë, familjarë e kolegë të punës, duke pasur para syshë obligimet familjare dhe obligimet në punë?

ARTA BILALLI ZENDELI: Kam përshtypje se takimet me njerëz i kam shumë më të shumta tani si deputete dhe deri-diku arrij ta menaxhoj kohën.

FLAKA: Një pyetje gjithësesi për politikën por për pjesën jashtë syve të opinionit publik. Foltorja e Parlamentit shpeshherë u shndërron në “armiq” mes veti me kolegët e opozitës. Zgjat kjo “armiqësi”, edhe pas mbledhjeve të Kuvendit?

ARTA BILALLI ZENDELI: Oh, po, në raste të caktuara më ka ndodhur që për një periudhë të caktuar të mos flas me dikend si rezultat e shtypjes që më është bërë duke e udhëhequr Komisionin për çështje europiane nga disa kolege të opozitës maqedone, por pas një periudhe tensioni bie dhe filloj t`i përshëndes. Megjithate, një person që të shqetëson aq shumë (vetëm unë e di se sa) kurrë nuk do të jetë i njejti para syve të mi, edhepse komunikimi, siç thashë, vazhdon por pas një periudhe të caktuar. Unë nuk jam ai tip i njeriut që mund të bëhem se asgjë nuk ka ndodhur, dhe Po- kam pasur nevojë për t`u distancuar nga disa persona. Thjesht, kur më hidhëron- më hidhëron dhe nuk kaloj aq lehtë. Situatë të tensionuar, kemi pasur edhe gjatë debatit në Komisionin për çështje europiane për Ligjin për regjistrimin e popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare dhe më kujtohet se edhe atëherë paten spikatur disa kolegë e kolege me të cilët për një kohë e ndërpreva komunikimin. E bardha është e bardhë dhe unë nuk i them dot e zezë!

FLAKA: Pak ditë na ndajnë nga Viti i Ri 2023. Sa jeni e kënaqur nga ky vit kelandarik si individ dhe si subjekt politik?

ARTA BILALLI ZENDELI: Viti 2022 për mua ka qenë relativisht vit i suksesshëm por edhe në spektrin politik mendoj se janë bërë lëvizje të caktuara për ta ruajtur apo mbajtur orientimin pro-perëndimor të vendit. Këtu do të veçoja dënimin e agresionit rus në Ukrainë, votimin tim personalisjt në Asamblenë e Këshillit të Europës në Strasburg për largimin e Rusisë nga Këshilli i Europës si rezultat i sulmit ndaj Ukrainës (mars, 2022- votova), vizitën e Kryeparlamentarit z. Talat Xhaferi në Kiev (ishte një ndër të parët në nivel botëror që shkoj deri në Kiev, vizita ime në Ukrainë me depuetetë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, pranimi i propozimit francez, dekorimi i Kryparlamentarit me çmimin Jaroslav the Wise nga ana e Kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, etj.)

FLAKA: Jemi në vigjilje të ndërrimit të motmoteve. Zakonisht, ku preferoni të jeni në natën e Vitit të Ri, në mjedis familjar apo jashtë dhe me shoqëri?

ARTA BILALLI ZENDELI: Ndërrimin e viteve ka disa vite që e pres në ambient familjar dhe mendoj se është ogur i mbarë për familjen! Gëzuar 2023!

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 30 Dhjetor, 2022 12:13

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare