Deputetja Dauti: Beteja me korrupsionin ishte betejë e humbur këtë vit

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Dhjetor, 2022 12:33

Deputetja <strong>Dauti:</strong> Beteja me korrupsionin ishte betejë e humbur këtë vit

Në intervistën ekskluzive për Flaka Media Group, deputetja e Aleancës për Shqiptarët Ilire Dauti flet për dimensionin politik, partinë që përfaqëson, rolin e gruas në Kuvend, gjendjen aktuale ekonomike dhe sociale në Maqedoninë e Veriut dhe për karrierën e saj si mësimdhënëse. Duke folur për vitin që po ikë, Dauti thotë që beteja me korrupsionin ishte e humbur, sikurse edhe kthimi i besimit në gjyqësor. “As arsimi dhe as shëndetësia nuk u bënë më kualitative. Dhe krejt kjo kulminon me vazhdimin e ikjes së qytetarëve nga shteti duke bërë jo vetëm shteti të humb kapacitetet njerëzore, por edhe ne duke ngelur çdo ditë e më të vetmuar pa familjarët e miqtë tanë”, shton Dauti në intervistën e dhënë për kryeredaktorin Zenku

Intervistoi: Driton Zenku

FLAKA: Viti 2022 përfundon si një vit me zhvillime të shumta në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Ndodhi pranimi i propozimit francez në Kuvend rreth kontestit me Bullgarinë. Rezultati i këtij kompromisi rezultoi me hapjen e bisedimeve për inkuadrim në BE, pas plotë 17 vitesh. Cili është vlerësimi i juaj për këtë arritje politike, dhe njëkohësisht edhe për rolin që kishin partitë e bllokut opozitar në gjithë këtë ngjarje?

ILIRE DAUTI: Vit të vështirë, sidomos në rrafshin ekonomik do ta cilësoja vitin 2022, pa përmirësim në gjyqësor, arsim dhe shëndetësi që do të garantonin kthim të proceseve në të mbarë. Mbase, i vetmi moment pozitiv është votimi i Propozimit frances në Kuvend i cili nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët, moment ky i cili hap mundësinë e zhvillimit të ngjarjeve rreth problemeve të vërtëta me të cilat përballet vendi që në fokus duhet të ketë kryeproblemin që është korrupsioni.

FLAKA: Jeni edhe anëtare e Komisionit për mundësi të barabarta mes femrave dhe meshkujve në Parlament. Është një pyetje që ua kemi bërë të gjitha deputeteve që i kemi përfshirë në intervista. Vërehet një frynë feministe në Kuvend. Për disa çështje deputetet femra kapërcejnë ngjyrimet politike dhe bëhen bashkë për të propozuar akte ligjore në dobi të tyre. Ekziston një koalicion, ta quajmë, mes deputeteve femra në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut?

ILIRE DAUTI: Qëndrimin tonë si deputetë mendoj se nuk duhet ta diktojnë ndarjet natyrore por qëllimi të cilit i shërbejmë. Nëse ai qëllim është në shërbim të zgjidhjes së diçkaje për ta bërë jetën më të mirë për qytetarët, duhet mbështetur pa paragjykime shtesë. Edhe betejën për përfaqësim, apo të një të drejte më shumë të grave dhe kategorive tjera të qytetarëve që nuk ndihen të barabartë e shoh nga ky prizëm.

FLAKA: Kur jemi te gjinia femërore. Në rrethanat që zotërojnë në vendin tonë, është e vështirë për një femër që të merret me politikë?

ILIRE DAUTI: Qëndrimin tonë si deputetë mendoj se nuk duhet ta diktojnë ndarjet natyrore por qëllimi të cilit i shërbejmë. Nëse ai qëllim është në shërbim të zgjidhjes së diçkaje për ta bërë jetën më të mirë për qytetarët, duhet mbështetur pa paragjykime shtesë. Edhe betejën për përfaqësim, apo të një të drejte më shumë të grave dhe kategorive tjera të qytetarëve që nuk ndihen të barabartë e shoh nga ky prizëm.

FLAKA: Shpeshherë në rrjetet sociale jeni pagëzuar si Shote Galica e Aleancës. Sigurisht se përshtypja është krijuar nga qëndrimet që keni pasur në foltoren e Kuvendit, por edhe në debate televizive. E guximshme, e vendosur dhe artikuluese e denjë e qëndrimeve partiake, por edhe individuale në raste të caktuara. I ngjan Ilire Dauti Shote Galicës?

ILIRE DAUTI: Vlerësimi i qytetarëve është gjithsesi motiv shtesë për mua. Kemi fatin që jemi pasardhës të figurave të spikatura të historisë tonë kombëtare. Por, për shkak të historisë përsonale që kam me emrin tim, që e kam sqaruar publikisht, preferoj të thirrem Ilire.

FLAKA: Qëndrim dinjitoz. Një pyetje gjithësesi për politikën por për pjesën jashtë syve të opinionit publik. Foltorja e Parlamentit shpeshherë u shndërron në “armiq” mes veti me kolegët e opozitës. Zgjat kjo “armiqësi”, edhe pas mbledhjeve të Kuvendit?

ILIRE DAUTI: Mendimi ndryshe nuk medoj se duhet të kuptohet si “armiqësi” as nga foltorja e Kuvendit as jashtë saj. Sidomos nuk është problem kur nuk ke qëndrim ndryshe në foltore e ndryshe jashtë saj.

FLAKA: Një periudhë keni qenë edhe korrdinatore e grupit parlamentar të ASH, jeni edhe anëtare e disa komisioneve kuvendore. Është stresuese puna e deputetës? Ju merr shumë energji pjesëmarja në seanca kuvendore?

ILIRE DAUTI: Pas çdo angazhimi sigurisht se ka lodhje, por e tëra shndërrohet në kënaqësi në momentin që e fiton Pse-në e të qenurit në një detyrë të tillë. Do t’i veçoja falënderimet që marr nga qytetarët pas sjelljes së Ligjit për shtetësi, edhe pse ende ka vështirësi për disa të cilëve u ngriten pengesa të panevojshme administrative duke i vonuar në realizimin e të drejtës së shtetësisë.

FLAKA: Më herët keni qenë profesoresh, një profesion shumë i rëndësishëm në shoqëri. Nga cili pozicion mendoni se mund të jepni kontribut më shumë në të mirë të shoqërisë, tani si deputete apo me ditar në duar.

ILIRE DAUTI: Mënyra si kanë ecur punët në arsim më ka bërë të mendoj që për të dalur në pah më shumë rezultatet e punës së çdo mësimdhënësi nevojitet kyçje sa më e madhe e intelektualve  në jetën politike që të mund të ndikohet në cilësinë e reformave të cilat duhet të bëhen në nivel qendror.

FLAKA: Pak ditë na ndajnë nga Viti i Ri 2023. Sa jeni e kënaqur nga ky vit, në aspektin e politikës në RMV?

ILIRE DAUTI: Edhe në fillim e potencova, vitin që po e lëmë pas e cilësoj si të rëndë në rrafshin ekonomik. Në tetor të këtij viti, krahasuar me një vit më parë, janë rritur dukshëm shifrat zyrtare të popullsisë së varfër. P.sh. në vitin 2022 një familje me katër anëtarë ku dy bashkëshortët janë të punësuar, njëri me pagë minimale e tjetri me mesatare, për afër 1 000 denarë nuk ia del të mbulojë as shportën minimale ushqyese që në tetor të këtij viti ka arritur në 51.514,00 denarë, ndërsa në tetorin e vitit të kaluar e njëjta familje me të njëjtat karakteristika për afër 9 000 denarë merrte më shumë se shporta minimale konsumatore që ishte 35.574,00 denarë në tetor të vitit 2021. Beteja me korrupsionin ishte e humbur këtë vit sikurse edhe kthimi i besimit në gjyqësor. As arsimi dhe as shëndetësia nuk u bënë më kualitative. Dhe krejt kjo kulminon me vazhdimin e ikjes së qytetarëve nga shteti duke bërë jo vetëm shteti të humb kapacitetet njerëzore, por edhe ne duke ngelur çdo ditë e më të vetmuar pa familjarët e miqtë tanë.

FLAKA: Jemi në vigjilje të ndërrimit të motmoteve. Zakonisht, ku preferoni të jeni në natën e Vitit të Ri, në mjedis familjar apo jashtë dhe me shoqëri?ILIRE DAUTI: Ndërrimin e viteve zakonisht preferoj ta pres në ambient familjar. Duke ju dëshiruar fillimisht shëndet e mirëqenie më lejoni të ju uroj Vitin e Ri 2023

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Dhjetor, 2022 12:33

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare