RETRO: Dhjetë top ngjarjet që shënuan vitin 2022

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 31 Dhjetor, 2022 15:15

<strong>RETRO:</strong> Dhjetë top ngjarjet që shënuan vitin 2022

Viti 2022 u karakterizua për zhvillime të shumta politike dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut. Pikante mbetet fillimi i bisedimeve me Bashkimin Evropian. Nuk munguan protestat politike dhe sindikale, ashtu sikurse zhvillimet brenda partive politike. Flaka Media Group ka veçuar dhjetë nga ngjarjet kryesore që shoqëruan vitin.

Shkruan: Driton ZENKU

Pas 17 vitesh, Maqedonia e Veriut i filloi bisedimet qasëse me BE-në

Një nga ngjarjet më të rëndësishme politike gjatë vitit 2022 në Maqedoninë e Veriut, ishte fillimi i bisedimeve qasëse me Bashkimin Evropian. Ishta data 19 Korrik që shënoi fillimin e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Atë ditë, në Bruksel pas 17 vitesh status rekomandimesh për fillimin e negociatave, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimin Evropian. Një ditë më herët, Këshilli i BE-së dha dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kriza ekonomike, kryefjala e vitit 2022 në Maqedoninë e Veriut 

Fillimi i luftës në Ukrainë, ishte edhe fillimi i alarmit për një krizë ekonomike. Ky moment i ri shqetësues për shoqërinë në të gjithë botën, erdhi ende pa u përmbyllur bilansi me pasojat e krizës që shkaktoi pandemia e nivelit botëror me virusin CoVid-19.

Në raportin e saj, Banka Botërore parashikoi që ekonomia e vendit të rimëkëmbet dhe të kthehet në nivelin para pandemisë në vitin 2022, por një gjë e tillë stagnoi pikërisht nga kriza e re ekonomike që preku vendet e botës.

Pandemia dhe konflikti ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës i kanë kufizuar operacionet e kompanive dhe ato duhet të kujdesen për likuiditetin në kushte të vështira dhe të pasigurta dhe të balancojnë mes nevojës për zhvillim dhe rritje të kapaciteteve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Goditjet e reja në ekonomi shkaktojnë rritje të pasigurisë në veprimtarinë e kompanive, gjë që ndikon në mbijetesën e vetë kompanisë. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit nuk ia kanë dalë të mbijetojnë 4874 kompani.

Kriza energjetike godet edhe Maqedoninë e Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize në sektorin e energjetikës. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 shator. Qëllimi i këtij vendimi ishte që përmes mjeteve nga buxheti t’u ndihmohet kompanive energjetike për prodhimin e energjinë elektrike, si dhe blerjen e mazutit dhe thëngjillit.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se të gjitha kapacitetet prodhuese të shtetit për energji elektrike do të jenë në gatishmëri dhe se si rrjedhojë vendi nuk pritet të ketë probleme me energjinë elektrike.

Sipas Shoqatës së Kompanive Energjetike të Maqedonisë së Veriut, do të duhen disa vite dhe për këtë arsye nevojiten masa dhe aktivitete afatgjata.

U dorëhoq lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela

Ziadin Sela, më 21 gusht njoftoi dorëheqjen nga drejtimi i partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Shkak për dorëheqjen është disfata e kësaj partie në zgjedhjet e 20 gushtit në Tetovë për asamblenë komunale.

Kjo parti nuk arriti të fiton asnjë vend në përbërjen e re të komunës që numëron 31 këshilltarë.

Pas dorëheqjes, ushtrues detyre nga organet partiake u caktua Arben Taravari. Aleanca për Shqiptarët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka tetë deputet, përfshirë edhe Ziadin Selën.

Shpërthehu grupi i zjarrit në BDI

Grupi i Zjarrit” brenda BDI-së, përmes një letre që i dërguar kreut të partisë, Ali Ahmetit i kanë publikuar kërkesat e tyre. Në letrën e publikuar me gjithë nënshkrimet thuhet se në dy vitet e fundit në këtë parti nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet partiake, ndërsa vendimmarrja është bërë pronë individuale.

Më pas Bashkimi Demokratik për Integrim zgjedhi kryesinë e re. Për emrat e rinj është vendosur   në mbledhjen e Këshillit Qendror të mbajtur në Tetovë.

Kryesia e re do të ketë 37 anëtarë, ndërsa parti do të udhëhiqet nga Ali Ahmeti. Në kryesinë e re të propozuar nga Ahmeti vërehet një pozicionim i mirë i anëtarëve të të ashtuquajturit “grupi i zjarrtë”, të cilët kohëve të fundit kishin shprehur pakënaqësi.

Bilall Kasami u rizgjodh kryetar i Lëvizjes BESA

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami është rizgjedh përsëri si kryetar i kësaj partie në konferesin e fundit të kësaj partie që u mbajt në mars të këtij viti.

Nën moton “Besëlidhja me vendlindjen”, dhe me anë të votave të anëtarëve të partisë Bilall Kasami përsëri zgjidhet kryetari i Lëvizjes Besa.

VMRO-DPMNE disa ditë organizoi portesta

VMRO-DPMNE gjatë muajt qershor për disa ditë me radhë organizoi protesta të ashtuquajtura  për ndryshime në Shkup, përmes së cilave përsëriti kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Atmosfera e gëzueshme që pritej nga hapja e negociatave midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut më 19 korrik u vu në rrezik nga protestat e që “mbytën” Shkupin në dy javët që paraprinë këtë ngjarje të rëndësishme.

Gjatë protestave erdhi deri tek incidente etnike. Një shqiptar i Maqedonisë së Veriut u akuzua se tentoi të vriste liderin e opozitës gjatë protestave. Por autoritetet vërtetuan që personi në fjalë nuk ka tentuar të vrasë askënd dhe ai ka qëlluar në ajër për të mbrojtur pronëne tij nga uliganët protestues.

Vendimi për të protestuar u morë nga Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, duke kritikuar qeverinë për pamundësinë e saj për të përballuar krizën ekonomike dhe financiare të shoqëruar me rritje të çmimeve dhe inflacion të lartë, rritje të borxhit publik, diplomaci joefikase dhe të papërgjegjshme për fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Danell Arsovska u nda nga ASH dhe VMRO-DPMNE, nga kjo e fundit edhe Jakimovski!  

Pas incidentit në Çair ku u përfshi një aktivist i ASH, kjo parti njoftoi se do të ndërpresë bashkëpunimin me Danella Arsovskën në Qytetin e Shkupit, edhe për shkak të shkarkimit të drejtorit të Higjienës Komunale, Zudi Enuzi-Koka.

Koka u shkarkua pasi vëllai i tij Jusuf Koka, nxori një pistoletë gjatë një përleshje me protestuesit e VMRO-DPMNE-së të cilët kundërshtuan propozimin e ri francez për zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë.

Ndërkohë u paraqiten përplasjet politike mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe VMRO-DPMNE, duke shkuar deri në prishje të koalicionit.

Sherri në koalicionin informal nuk ka lindur për arsye ideologjike, por për një tender në vlerë prej 136 milionë euro. Problemi u bë publik me shkarkimin e drejtorit të ndërmarrjes publike “Ujësjellësi”, Zlatko Pirinski për shkak të tenderit për ndërtimin e një impianti për pastrim. Pas kësaj, pasuan një sërë shkarkimesh dhe dorëheqjesh të drejtorëve që vinin nga radhët e opozitës VMRO-DPMNE, për të cilët Arsovska nga foltorja në Këshillin e Qytetit të Shkupit akuzoi se i “kapi në flagrancë”.

Së fundmi, Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska tha se konkretisht, personalisht dhe drejtpërdrejtë ka marrë kërcënime nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Edhe Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, ka prishur koalicionin qeverisës me VMRO-DPMNE-në në këtë komunë. Ai paralajmëroi që nuk pret urdhra nga ndonjë qendër, duke alarmuar që ka pasur tentime për reket dhe kërcënime ndaj afaristëve të kësaj komune.

VMRO-DPMNE ka reaguar duke llogaritur që ky koalicion vjen si rezultat i përpjekjes së kryetarit për të betonuar hapësirat e gjelbra të kësaj komune. Prishja e koalicionit, sipas tyre, ka prapavije interesat e bizneseve, duke saktësuar së fundmi ndërtimin e 7 objekteve të reja në Zllokuqan.

Alarmet për bomba, këmbanë për ndikim  të jashtëm në Maqedoninë e Veriut

Ditët e fundit të dhjetorit ka pasur me dhjetëra alarme përmes e-mail adresave për bomba të vendosura në shkollat ​​fillore dhe të mesme, institucionet shtetërore, aeroportin e Shkupit përfshirë Ministrinë e Jashtme, qendrat tregtare, hotele dhe objekte të tjera.

Institucionet kompetente kontrollonin rregullisht objektet, pas çka konstatohej se alarmet për bomba janë të rreme.

Institucionet deklarojnë se është e vështirë të arrihet deri te adresat IP, të cilat janë kryesisht nga jashtë vendit, e sidomos te njerëzit që menaxhojnë ato adresa IP.

Sipas ekspertëve, kjo dukuri është rritur pas luftës në Ukrainë. MPB-ja lidhur me këtë dukuri po vepron me kapacitet të plotë.

Gushti solli vërshime në Shkup e Tetovë  

Fundi i gushtit solli vërshime të shumta gati në mbarë vendin. Sitata më alarmante u paraqit në Shkup e Tetovë.

Për pasojë, reshjet e shiut që përfshinë qytetet e Shkupit dhe Tetovës, shaktuan dëme të mëdha.

Stuhitë rrëzuan pemët ku dëmtuan disa biznese, ku përveç kësaj, nga uji është përfshirë edhe qendra tregtare East Gate Mal në Shkup.

Gjatë muajt Gusht, në Tetovë reshjet e shiut shkaktuan vërshime në shumë pjesë të Tetovës dhe fshatrave në rrethinë. Njëri ndër fshatrat që më së shumti pësoi nga vërshimet ishte Xherma, por edhe Reçica e Vogël. Pati vërshime të shtëpive, bodrumeve dhe garazheve, si dhe derdhje të ujërave të zeza nga disa puseta. FLAKA

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 31 Dhjetor, 2022 15:15

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare