Dhunë që fshihet!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Nëntor, 2022 19:20

Dhunë që fshihet!

Me anë të këtij sondazhi është arritur në përfundim se janë të rralla rastet që raportohen, madje edhe kur raportohen – nuk marrin epilog. Në lidhje me këto raste u prononcua edhe Anita Nikollovska, drejtuese ekzekutive e organizatës “Të rinjtë munden”, e cila tha se shkak për mosraportimin të këtyre rasteve mund të jetë edhe frika nga etiketimi dhe hakmarrja e mësuesit

Fyerjet, nënçmimet, talljet… janë vetëm disa shembuj të sjelljes së dhunshme me të cilën përballen fëmijët nëpër shkolla, dhunë kjo e cila vjen pikërisht nga ata që ju është besuar edukimi i tyre. Edhe pse shpesh flitet për incidente ndërmjet nxënësve, në shkollat e vendit ekziston edhe një formë tjetër e dhunës e cila shumë rrallë raportohet. Prej 49 nxënësve viktima të kësaj dhune, vetëm 22 kanë paraqitur ankesa në shkolla e tyre, raste këto të mbyllura pa asnjë shpjegim apo veprim të duhur. Këto rezultate dolën në dritë si pasojë e sondazhit të shoqatave “Të Rinjtë Munden” dhe “Liderët për Edukim, Aktivizëm dhe Zhvillim”, të zhvilluar në shtator përmes një pyetësori online i quajtur “Trego”. Nëpërmjet këtij pyetësori fëmijët treguan se ishin shënjestër e frikësimit dhe viktimë e nevojës për shfaqje të fuqisë, dhunës fizike si dhe sjelljes së keqe të bazuar në pamjen fizike duke marrë komente të neveritshme.

Në pyetjen se a kanë qenë ndonjëherë viktimë ose dëshmitar të këtyre sjelljeve të dhunshme nga mësuesit, 67% janë përgjigjur se e kanë gjetur veten edhe si viktimë edhe si dëshmitar të këtyre sjelljeve të dhunshme, 22% janë përgjigjur se kanë qenë viktimë e rasteve të tilla, ndërsa vetëm 8% janë përgjigjur se kanë qenë vetëm dëshmitar. Në bazë të pyetësorit për përcaktimin e sjelljes degraduese, diskriminuese dhe neglizhente të mësuesve ndaj nxënësve, këta dy shoqata konstatuan se sjellja e tyre është shqetësuese në mbarë vendin.

Sipas rezultateve të tyre, shumica e rasteve kanë të bëjnë me mësuesit e edukatës fizike, dhe ajo që ka qenë më shumë shqetësuese janë komentet që kanë të bëjnë me intolerancën etnike dhe seksuale. Me anë të këtij sondazhi është arritur në përfundim se janë të rralla rastet që raportohen, madje edhe kur raportohen nuk marrin epilog. Në lidhje me këto raste u prononcua edhe Anita Nikollovska, drejtuese ekzekutive e organizatës “Të rinjtë munden”, e cila tha se shkak për mosraportimin të këtyre rasteve mund të jetë edhe frika nga etiketimi dhe hakmarrja e mësuesit. “Nëse bazohemi në moshën e të anketuarve, mund të vërejmë se shumë pak raportohet nga ata që akoma janë nxënës. Ndoshta për shkak të frikës së etiketimit dhe hakmarrjes së mësuesit, por vetëm sa të mbarojnë  arsimin e mesëm, ata marrin guximin të përgjigjen”, deklaroi Nikollovska.
Më shumë raportime të rasteve kanë të bëjnë me mësuesit e edukatës fizike. Ka prej atyre mësuesve që në kuptimin e plotë të fjalës i detyrojnë nxënësit të ngjiten në zinxhir, i godasin me shuplakë, bëjnë komente të papëlqyeshme në lidhje me dukjen e tyre, si për shembull “Kur planifikon të humbasësh peshë, po vjen diplomimi”. Ivan Jovanov drejtues ekzekutiv i organizatës “Liderët për Arsimim, Aktivizëm dhe Zhvillim”, tha se ka raste që mësuesit diskriminojnë dhe tallen me nxënësit në bazë të përkatësisë etnike.

“Ka mësues që diskriminojnë në bazë të orientimit seksual dhe përkatësisë etnike. Do të thotë, tallen me ata që janë të përkatësisë rome, dhe ka nxënës të cilin e identifikojnë sikur të ishte homoseksual. Ka edhe raste të shantazheve në raste kur mësuesit kërkojnë ndonjë favor nga nxënësit, dhe ata nuk përgjigjen, ose marrin notë të dobët ose hakmerren me frikësim”, potencoi Jovanov.
Afër 60% e nxënësve nuk kanë raportuar për këto sjellje të mësuesve në shkolla, por edhe ata që kanë raportuar besojnë se asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas raportimit. Në këtë anketë janë përfshirë 21 shkolla, dhe mes tyre ato që më së shumti përsëriten janë shkollat e mesme “Josip Broz Tito”-Manastir, “Josip Broz Tito”-Shkup, “Rade Jovcevski Korcagin”, “Georgi Dimitrov”, si dhe disa shkolla fillore, kurse nga qytetet më së shpeshti janë përgjigjur në Shkup (29), Manastiri (9).

Deri tek Inspektorati Shtetëror i Arsimit për 5 vitet e fundit janë paraqitur vetëm  23 raste, 17 nga prindërit, 5 nga institucionet, dhe vetëm 1 prej nxënësve. Nga 23 rastet e paraqitura Inspektorati ka konstatuar vetëm 8 prej tyre për të cilat edhe është vepruar, ndërsa 15 janë vlerësuar si të pabaza. Nga ana tjetër, MASH akoma nuk ka miratuar një rregullore të standardizuar për arsimin e mesëm, gjegjësisht nuk ka asnjë dokument që i udhëzon se si të trajtohen dhe raportohen këto raste. Për arsimin fillor ka një udhëzim se si duhet të veprohet në këto raste sipas ligjit, dhe se cili institucion është kompetent. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Nëntor, 2022 19:20

27
Nën
Shkoi për gjueti me shokë, por mbeti i plagosur në rrethana ende të pazbardhura, në...
27
Nën
Sot tifogrupi Ballistët i bëjnë 30 vite. Në këtë 30 vjetor ata kanë festuar si...
27
Nën
Nën patronatin e Ali Ahmetit – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, nesër me fillim...
27
Nën
Në mbledhjen e përbashkët mes Kuvendeve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, gjatë...