Digjet një pjesë e Sekretariatit për Çështje Evropiane

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 9, 2020 17:06

Digjet një pjesë e  Sekretariatit për Çështje Evropiane

Sot në orët e para të mëngjesit ka shpërthyer zjarri në ndërtesën në kejin “Dimitar Vllahov” në qendër të Shkupit, ish objekti i Bankës komerciale, në pjesën ku tani ndodhen institucionet shtetërore. Nuk ka asnjë të lënduar nga zjarri ndërsa janë dëmtuar 6 hapësira në katin e parë, ku ndodhet Inspektorati i Mjedisit Jetësor, si dhe është djegur edhe pjesa e jashtme e katit të dytë. Në këtë ndërtesë ndodhen edhe Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Agjencia Informative Mediatike.

Komandanti i Brigadës territoriale zjarrfikëse të Qytetit të Shkupit, Vlladimir Simonovski deklaroi se operacioni ka qenë i ndërlikuar, pasi brenda hapësirat kanë qenë të rrethuara me pllaka gipsi dhe dyer të qelqit, ndërsa nuk ka punuar asnjë hidrant. Ai theksoi se njëra nga arsyet që ka shkaktuar zjarrin mund të jetë instalimi i vjetër elektrik me çka pastaj materialet që kanë qenë në zyrë kanë marrë flakë.

VLLADIMIR SIMONOVSKI KOMANDANT I BRIGADËS TERRITORIALE ZJARRFIKËSE TË QYTETIT TË SHKUPIT

“Për zjarrin jemi njoftuar në orën 06 e 50 minuta. Kemi arritur këtu 5 minuta para orës 07:00. Gjatë intervenimit kishim 9 automjete të zjarrfikësve dhe 24 zjarrfikës.  Bëhet fjalë për një intervenim më  kompleks sepse pjesa e brendshme nuk i takon sekretariatit për çështje evropiane por është e inspektoriatit të ekologjisë. Janë edhe lokalet e ish-Bankës Komerciale, të ndara me pllaka gipsi dhe dyer qelqi. Brenda nuk punon asnjë hidrant,  kjo paraqiste problem për ne sepse nuk kishim mundësi ta shuajmë zjarrin nga hapësirat e brendshme por u detyruam të intervenojmë nga pjesa e jashtme duke i thyer dritaret”.

Në momentin e zjarrit, nuk ka pasur asnjë të punësuar në Inspektoratin e Mjedisit Jetësor, ndërsa zjarrfikësit kanë arritur më lehtë të intervenojnë brenda  në ndërtesë, falë skemës që e kanë marrë nga Agjencia Informative Mediatike.

 VLLADIMIR SIMONOVSKI KOMANDANT I BRIGADËS TERRITORIALE ZJARRFIKËSE TË QYTETIT TË SHKUPIT

 “Problemi ishte se nuk kishte asnjë nga të punësuarit brenda, ata nuk kishin arritur akoma me vendet e tyre  të punës, saktë nuk dinim se  si të hyjmë  deri sa arritën nga Agjencia Informative Mediatike, të cilët na dhanë një skemë se si të hyjmë”.

Zjarri është lokalizuar diku rreth orës 9, thanë nga njësiti i zjarrfikësve.

Medina Ajeti /SHENJA/

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 9, 2020 17:06