Dika denoncon: Ja si vidhën pacientët-mërgimtarë nga administrata e Klinikës Kardiologjike në Shkup

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 31 Maj, 2023 14:03

Dika denoncon: Ja si vidhën pacientët-mërgimtarë nga administrata e Klinikës Kardiologjike në Shkup

Ditën e dielë me 21 maj, mes orës 12:00 dhe 13:00, një pacient 76 vjeçar nga Kumanova është sjellë nga familjarët e tij në Klinikën e kardiologjisë, në gjendje jo të mirë për shkak të infarktit në zemër, denonci në profilin e tij në Facebook mjeku Artan Dika.

Sipas rrëfimit të familjarëve që e kanë shoqëruar, punonjësja e administratës që i ka regjistruar të dhënat në pranim e ka evidentuar pacientin si “i huaj” (stranec), pa kërkuar asnjë dokument si dëshmi, nisur vetëm nga informacioni se pacienti jeton në Zvicër dhe ka sigurim shëndetësor të shtetit zvicran.

“Megjithë insistimin e shoqëruesve të tij dhe sjelljen e pasaportës së Republikës së Maqedonisë së Veriut si dëshmi, ajo nuk ka pranuar ta ndryshojë evidentimin në dokumente nga “i huaj” në pacient privat i Maqedonisë së Veriut”, sqaron Dika.

Sipas shënimit të tij që e konfirmoi edhe për Redaksinë Flaka, për shkak se pacienti ka vendosur që ta vazhdojë shërimin në Zvicër, ai ka insistuar të dalë nga spitali më herët se rekomandimi i mjekut.

“Edhe gjatë lëshimit nga spitali, me 23.05.2023, mes orës 14:00 dhe 15:00, ka vazhduar i njëjti problem lidhur me dokumentacionin. Megjithë insistimin dhe ofrimin e pasaportës si dëshmi se pacienti është shtetas i Maqedonisë së Veriut, punonjësja tjetër e administratës nuk ka pranuar asesi t’i korigjojë të dhënat dhe pacientin nuk e kanë lejuar ta lëshojë spitalin pa e bërë pagesën e plotë të kërkuar. Për këtë arsye familjarët janë detyruar ta pagojnë shumën prej 289.266 denarësh – rreth 4.700 euro (shih dokumentet e bashkëngjitura)”, shkruan Dika.

Që në fillimi familjarët e kishin të qartë se kjo pagesë nuk ishte në rregull.

“Rreth tre vjet më parë, ata kishin patur një të afërm tjetër që jeton gjithashtu në Zvicër, me sigurim zviceran, por që është shtetas i Maqedonisë së Veriut, i trajtuar me të njëjtin problem në Klinikën e kardiologjise në Shkup dhe ai kishte paguar privatisht rreth 1.800 euro. Krejt ndryshe nga kjo, me preteksin se është i huaj, pacienti tjetër tani është detyruar të pagojë shumën prej 4.700 eurosh, gjë që është absurd dhe nuk ka emër tjetër pos vjedhje përmes mashtrimit.
Meqë pacienti në fjalë është i afërm i gruas, u interesova për rastin me qëllim që të kthehen paratë e marra në mënyrë të paligjshme pa dashur ta problematizojë rastin, duke menduar se Klinika e kardiologjisë do të arsyetohet me ndonjë “gabim teknik” dhe do t’i kthejnë paratë e marra nga pacienti pa e bërë shumë problem atë, por nuk ndodhi ashtu”, shton Dika duke bërë publike edhe dokumente si dëshmi.

“Nga njëra anë përfaqësuesit e Klinikës së kardiologjisë insistonin me këmbëngulje se çdo gjë është në rregull, ndërsa nga disa burime tjera të ndryshme shumë të besueshme brenda Klinikës së kardiologjisë në Shkup më vërtetohej dyshimi se rasti përbën vjedhje sipas një skeme të heshtur dhe ky nuk përbën rastin e vetëm”, vijon Dika i cili sqaro që pos faktit që pacienti në fjalë ka vetëm shtetësinë e Maqedonisë dhe nuk ka shtetësi tjetër, burime nga Klinika e kardiologjisë në Shkup thonë se vendimi i Klinikës është që, jo vetëm ata, por edhe shtetasit e huaj duhet të pagojnë të njëjtën pagesë si shtetasit privat të Maqedonisë së Veriut.

“Fatkeqësisht dyshimi është se kjo gjë shpesh, si duket me leje nga lart, nuk respektohet nga administrata. Barazimi i çmimeve të pagesës për pacientët e huaj me shtetasit vendas është diçka që e ka bërë edhe Klinika e kirurgjisë plastike ku unë punoj, më shumë se 10 vite më parë. Burimet nga Kardiologjia flasin për pacientë nga vendet fqinje që kanë vazhduar të pagojnë shuma të larta, duke mos qenë në dijeni për barazimin e çmimeve me ato të pacientëve vendas. Nga kjo vjedhje përmes mashtrimit nuk kanë shpëtuar as mërgimtarët, shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët administrata e Klinikës i ka evidentuar qëllimisht si të huaj, si në rastin konkret. Mes tyre – më thane – ka edhe pacientë që kanë reaguar dhe janë ankuar tek mjekët që i kishin trajtuar, të cilët pastaj kanë ndërhyrë në administratë për kthimin e parave të pacientëve”, shkruan Dika.

“Për ta zgjidhur problemin kam kontaktuar disa herë me Drejtorin organizativ të Klinikës së kardiologjisë, i cili me dashamirësi ofroi të ndihmojë për rastin. Bisedat i kemi bërë në viber dhe ato janë aty si dëshmi. Përmes mesazheve të shkruara ai më ka informuar se është interesuar për rastin në administratën e Klinikës së kardiologjisë dhe sipas tyre çdo gjë rezulton të jetë në rregull. Dua ta sqaroj një gjë: unë nuk e bëj fajtor Drejtorin organizativ në gjithë këtë storje, ai është i ri në atë detyrë, ka vetëm 2-3 javë dhe vetëm më ka përcjellë informacionin që ka marrë në administratë pas interesimit të tij për rastin”.

“Pas insistimit tim se kjo që kishte ndodhur nuk është në rregull, informacionit se raste të tilla ka patur edhe më herët dhe nevojës që raste të tilla të mos ketë më, si edhe insistimit të Klinikës së kardiologjisë se çdo gjë ka qenë në rregull, vendosëm që rasti duhet të problematizohet dhe të bëhet publik, sepse nuk ka mënyrë tjetër për ta vendos drejtësinë në vend. Për këtë qëllim dokumentacionin e plotë e dorëzuam në Kabinetin e Ministrit të shëndetësisë. Kur ishin përhapur në Klinikë fjalët e problematizimit të rastit efekti ishte i menjëhershëm. Drejtori organizativ i cili të shtunën me 27.05.2023 në ora 22:25 në mbrëmjë më kthente përgjigje përmes shkrimit në vibër duke më përcjellë informacionin që i kishin dhënë në Klinikë (citoj) “Doktor unë e pash rastin e pacientit dhe per u informova kishte nje vendim te këshillit drejtues se aq eshte pagesa per ket person nese ai mendon se ka arsye për te padit neve nuk mund ta ndalojm sa për informim tuajin..” të hënën me 29.05.2023 në ora 10:04, pa e konktaktuar unë, më shkruante atë që Klinika e kishte mohuar deri atë ditë (citoj) “Përshëndetje. Le te ben nje kerkese, Le te ket ne kerekese, kopje prej leternjoftimit, nënshtetësinë dhe një xhiro llogari qe e ka te këtuhit, dhe ta lëshon ne arhin qe te mund tu kryjm punë”, shton Dika.

E papërgjegjshme është, shton ai, rrena e Përgjegjëses së administratës për rastin, e cila si duket është tutori i veprimeve të punonjëseve tjera aty.

“Ajo paska thënë gjoja se familjarët e paskan sjellë pasaportën pasi e kanë bërë pagesën vet! Dy gjëra shumë të thjeshta e nxjerrin në rrenë Përgjegjësen e administratës: “Mbi bazë të cilit dokument e kanë regjistruara ata pacientin si ‘i huaj’?! … ai nuk ka as letërnjoftim e as pasaportë të Zvicrës, as të ndonjë vendi tjetër, pos të Maqedonisë së Veriut” … dhe “si ka mundësi që deri të hënën në mëngjes i thonin Drejtorit organizativ se çdo gjë ishte në rregull dhe ai ma përcillte mua këtë përgjigje në mesazhet në viber?!”, denoncon Dika.

Sipas Dikës, përgjigjja paushalle e saj është pjesë e skemës së arsyetimit të vjedhjes së pacienteve.

“Në një vend normal ajo e para duhet të fluturoje nga vendi i punës … bashkë me të gjithë tjetrët që i kanë lejuar këto vjedhje. Mbetet të shihet se çka do të ndërmarrë Ministria e shëndetësisë”, përfundon denoncimin Dika.

Pas denoncimit të tij, pritet reagim i Ministrisë së Shëndetësisë, drejtuesve të Klinikës dhe të implikuarve të tjerë rreth rasttit.

Është ky një rast unik që një mjek denoncon parregullësi në institucione shëndetësore. Flaka

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 31 Maj, 2023 14:03
  • Ndiqeni faqen tonë në Facebook për lajmet më të fundit dhe për prodhimet tona më të reja multimediale.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Instagram me përmbajtje të veçantë dhe informuese – fotogaleri, video dhe infografika.
  • Abonohuni në kanalin tonë në Youtube për videove ekskluzive nga të katër anët e globit.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Twwiter për t’u informuar vazhdimisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.