Disa arsye për zgjedhje të parakohshme, sipas opozitës

Desk
By Desk November 15, 2020 23:34

Disa arsye për zgjedhje të parakohshme, sipas opozitës

Pushteti është vendosur para kërkesës së zëshme të opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe kjo për disa arsye. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerëson se mungesa e shpeshtë e kuorumit në Kuvend e bën të vështirë jo vetëm funksionimin e brendshëm të shtetit por e nxjerrë të dobët atë edhe në raportet ndërkombëtare.

Qeveria teknike e zgjeruar është mundësia më e mirë që do mundësojë ndarjen e përgjegjësive nga të gjithë për kompromiset që duhet të bëhen, sidomos në raport me Bullgarinë që për pasojë vendi po rrezikon humbjen e mundësisë për fillim të negociatave me BE-në, por edhe në raport me menaxhimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19 – thonë nga Koalicioni ASH-AAA.

Sipas tyre, Qeveria teknike e zgjeruar duhet të ketë mandat deri në zgjedhjet e rregullta lokale në tetor kur do të organizohen njëkohësisht edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Edhe opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE përmes kreut të saj Hristijan Mickoski ditë më parë e bëri të ditur kërkesën e saj për zgjedhje të reja. Arsye e mjaftueshme për këtë, sipas Mickoskit është kontesti me Bullgarinë dhe situata e përgjithshme me virusin.

Menjëherë t’i lëshojnë pozitat dhe të organizojnë zgjedhje të parakohshme në të cilat qytetarët të mund të zgjedhin, në afatin që do ta caktojnë autoritetet shëndetësore – u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por pushteti mendon ndryshe. LSDM-ja, para se të flitet për zgjedhje, kërkon që t’i jepet një mundësi dialogut për një marrëveshje me shtetin bullgar.

Ta lejojmë procesin të vazhdojë. Të mos flasim se çka do të ndodhte nëse do të ndodhte, situata është specifike. Të lejojmë që me logjikë të shëndoshë dhe me negociata t’i zgjidhim problemet – tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

Ndërkohë sipas kësaj partie, problemi me mungesën e kuorumit në Kuvend mund të zgjidhet nëse VMRO-DPMNE-ja bie dakord për ndryshimin e Rregullores, që t’u jepet mundësi debati dhe votimi deputetëve që kanë vendim për izolim. Një propozim i këtillë mbështetet edhe nga BDI-ja e cila thotë se pajtimi mes të gjitha partive do të ishte i pëlqyeshëm.

Mendojmë se rrethanat me të cilat përballemi janë të jashtëzakonshme edhe pse nuk kemi të shpallur gjendje të jashtëzakonshme edhe zyrtarisht. Atëherë edhe Kuvendi, partitë politike pjesëmarrëse në Qeveri do të duhet të dakordohen për ndryshim të Rregullores së Kuvendit me çka do të mundësohej një gjë e tillë – deklaroi Arbër Ademi, deputet i BDI-së.

Izolimi i deputetëve të infektuar të shumicës vështirëson punën e Kuvendit por opozita nuk toleron asnjë aspekt të punës “online”. Ndërkohë, kontesti me Bullgarinë ka shkaktuar përplasje edhe mes grupeve parlamentare, gjë që ka penguar diskutimet në disa seanca të trupave punuese.

Desk
By Desk November 15, 2020 23:34