Shkruan: Driton ZENKU
Qasja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë përjashtuese ndaj shqiptarëve edhe në 32 vite demokraci, krahas 23 viteve që funksiononte në kuadër të Ish Federatës Jugosllave në sistemin e njëmendësisë politike.
Gati asgjë nuk ka ndryshuar nga sistemi i kaluar monist. Se është kështu tregon deklarata e akademikes Katica Qullavkova, e cila në një intervistë në Televisionin Kanal 5, tha se Akademia e Shkencave e Maqedonisë duhet të jetë vetëm e maqedonasve dhe se shqiptarët duhet të themelojnë Akademinë e tretë përskaj Akademive në Shqipëri e Kosovë. Qullavkova, e njohur për qëndrime antishqiptare, kërkoi publikisht që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut të jetë etnikisht e pastër, ndërsa këtë e ka arsyetuar me “mbrojtjen e identitetit maqedonas”.
Tranzicioni 32 vjeçar nuk ka ndikuar në transformimin e Akademisë nga një sistem monist në atë demokratik. E vetmja gjë që ka lëvizur nga pika zero, nisur nga deklarata e Qullavkovës, është ideja që shqiptarët të kenë Akademinë e vete. Në sistemin monist, shqiptarët ishin të përjashuar por mundësia që të kishin Akademinë e tyre, asqë ka mundur të përmendet, e lere më të ndodhë.
Në veprimtarinë e vete 55 vjeçare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë së Veriut mbahet mend për qasje kundër shqiptarëve, madje, me idetë e tyre në vazhdimësi kanë punuar në dëmë të ineresave të komunitetit të dytë më të madh në vend, shqiptarëve.
Është e natyrshme që në vendet demokratike akademitë janë pishtarët e ideve progresive në shoqëri, por kjo nuk ndodh në Maqedoninë e Veriut. Ndarjet etnike nuk janë dukuri e re që vijnë në shprehje nga kjo Akademi. Në vitin 2001, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut doli me propozimin për ndarje të territoreve të shtetit mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Në vitin 2001 kur në Maqedoninë e atëhershme nisi konflikti i armatosur, institucioni shkencor më i lartë në vend, Akademia e Shkencave dhe Arteve, ishte shprehur për ndarjen e Maqedonisë dhe krijimin e një shteti etnik maqedonas. Atë botë ASHAM ishte e ndarë në dy tabore, tabori probullgar dhe ai proserb.
Deri në atë kohë, tabori proserb ishte sundues, mirëpo tabori probullgar mori fuqi me përkrahje të kryeministrit të atëhershëm të Maqedonisë, Lubço Georgievski, politikan që edhe publikisht mbante anën bullgare.
Tabori probullga, në vrullin e konfliktit të vitit 2001, doli me propozim për ndarje të vendit e që ishte aspak i volitshëm për shqiptarët.
Një shkrim interesant i gazetarit, John Phillips, i cili kishte ndjekur për së afërmi ngjarjet e vitit 2001, dëshmon që në kohën kur armata e Maqedonisë po pësonte humbje pas humbje nga kryengritësit e UÇK-së, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë doli me propozim për ndarjen e vendit, përkatësisht për cedimin e pjesëve të banuara me shqiptarë dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, Shqipërinë ekzistuese.
“Thuhej se plani ishte përgatitur nga Gjorgji Efremov, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, elita e respektuar intelektuale e vendit. Efremov në vazhdimësi ka mohuar se ka gisht në përgatitjen e tij. Sipas shestimit, qytetet me shumicë shqiptare të popullsisë si Tetova, Gostivari dhe Dibra do të ‘tregtoheshin’ me territore në lindje ose jug-lindje të Shqipërisë, me gjasmë me shumicë sllave të popullsisë afër liqeneve të Ohrit dhe Prespës, përfshirë qytetin e Pogradecit dhe Prespën e Vogël. Akademikët këshillonin që shqiptarët etnikë që jetonin në rrethin e Kumanovës duhej të zhvendoseshin në territorin që ata propozonin t’i cedohej Shqipërisë bashkë me shqiptarë të tjerë nga Shkupi, Velesi, Manastiri dhe Kërçova. Njësoj, edhe maqedonasit sllavë do të linin Tetovën dhe viset e tjera që do të cedoheshin në Shqipëri. Shkëmbimi duhej të përfundohej paqësisht brenda tre muajsh, sipas deklaratës së Akademisë të cituar nga gazeta pro-qeveritare Nova Makedonija”, shkruan gazetari John Phillips në librin e tij “Macedonia, Warlords & Rebels In the Balkans”, botim i vitit 2004.
Gazeta maqedone shkruan që: “Kjo është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për shkak se maqedonasit dhe shqiptarët janë etnikisht kaq të ndryshëm sa nuk mund të jetojnë tok…Të krishterët ortodoksë dhe myslimanët kanë fe dhe zakone të ndryshme. Ne kemi punuar ndër vite për të krijuar besim mes tyre. Por gjithçka e arritur është shkatërruar brenda pak javëve të luftimeve që filluan në Tetovë”.
Plani i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) u botua në vitin 2001 në një version jozyrtar në gazetën “Veçer” me një hartë, një mbititull:“Shkëmbim vullnetar i territoreve dhe i popullsisë ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë!
“Akademikët e ASHAM mendojnë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-maqedonas pa gjakderdhje” dhe me titull: “Shkëmbim vullnetar i territoreve dhe i popullsisë ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë!, raportonte Agjencia e lajmeve INA.
Akademia motivin për një mendim të tillë e ka marrë sipas shembullit përmes të cilit viteve të fundit janë zgjidhur krizat ndëretnike në Ballkan me krijimin e territoreve etnike. Thelbi i këtij plani të akademikëve maqedonas ishte ky: “Pas gjithë asaj që ndodhi në Tanushë, Tetovë e në rajonin e Kumanovës, jeta e përbashkët e shqiptarëve dhe maqedonasve nuk do të jetë e mundshme si më parë. Shqiptarët dhe maqedonasit janë dy civilizime diametralisht të kundërta, dallohen për nga feja, gjuha, zakonet, ndërsa mirëbesimi i krijuar me një mund të madh ndërmjet këtyre dy grupeve etnike gjatë dekadave të shkuara të bashkëjetesës, tani po rrënohet për disa muaj të luftës së ekstremistëve”. Sipas këtyre qëndrimeve, çështje është se a do të mundet në një të ardhme të afërt apo të largët të jetojnë fqinjtë shqiptarë e maqedonas rehat dhe njëri pranë tjetrit.Që të mos ketë luftë dhe gjakderdhje, më civilizuese është që të bëhet ndarje e qetë”, thuhej në arsyetimin e këtij projekti të Akademisë maqedonase.
Sipas këtij plani, Maqedonia, siç pat propozuar dikur edhe Gligorovi, do të hiqte dorë nga një pjesë e Maqedonisë Perëndimore – Dibra (pa Mavrovën dhe rajonin e Rekës), një pjesë e Gostivarit që kap anën e rajonit të Sharrit dhe kufiri, pastaj do të shkonte për Vardar deri te vendkalimi kufitar i Jazhincës, që do të përfshinte Pollogun me Tetovë, ku është e koncentruar më së shumti popullata shqiptare.
Dhe, krejt këtë, maqedonasit do t’ia jepnin Shqipërisë, për çka e kanë informuar atëherë edhe kryetarin e atëhershëm të ASHA të Shqipërisë, akademikun Ylli Popa, ndërsa për këtë “të mirë”, po sipas këtij plani, Shqipëria do të duhej t’ia falte maqedonasve bregun e saj të liqejve të Ohrit e të Prespës bashkë me Pogradecin dhe Liqenasin, ku sipas tyre jetojnë shumicë e popullsisë maqedonase.
Atë botë, propozohej që vija ndarëse për pjesën urbane të Shkupit duhej të jetë rrjedha e lumit Vardari, kurse Kumanova duhej të ndahej. Pjesa më e madhe e komunave shqiptare si Dibra, Gostivari dhe Tetova do të bashkoheshin me Shqipërinë, me përjashtim të Likovës, pjesës shqiptare të Kumanovës, Çairit, Butelit dhe Sarajit që do t’i bashkëngjiteshin Kosovës.
Po sipas atij plani, pastaj shqiptarët e Kumanovës, të Shkupit, të Strugës, Manastirit, Prilepit dhe të Kërçovës do të duhej të shpërnguleshin në Pollog, ndërsa do të lihej pastaj edhe një afat kohor për ndërrim të shtëpive e të pronave me maqedonasit që jetojnë aktualisht në Maqedoninë Perëndimore, të cilët do të dilnin pastaj në “pjesën e territorit maqedonas”.
Nisur nga ky plan që u përgatit nga akademikët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, është lehtë e kuptueshme që kjo Akademi në vazhdimësi ka ushqyer ndarjen mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
(Fundi i pjesës së dytë)
Lexo edhe: Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e parë)