Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e katërt)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 12:41

Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e katërt)

Shkruan: Driton ZENKU

Edhe 32 vite më pas, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut, ende  ka recidive nga sistemi i kaluar monist, e që vështirë tejkalojnë amzën e të mbeturit në shërbim të politikës ditore.

Po cili në fakt duhet të jetë misioni i ASHAM. Objektivat e shruara të Akademisë janë: të studiojnë trashëgimin kulturore dhe burimet natyrore, të asistojnë në planifikimin e politikës kombëtare në lidhje me shkencën dhe artin, për të stimuluar, koordinuar, organizuar dhe udhëhequr shkencën dhe hulumtimet arsimore dhe për të promovuar arritjet artistike.

Sipas statutit, Akademia lehtëson përpjekjet dijetare, shkencore dhe artistike në pjesën e anëtarëve të vet, inkurajon përdorimin e metodologjisë më bashkëkohore dhe informacionin shkencor me rezultatet e fundit hulumtuese.

ASHAM po ashtu punon në zhvillimin ndërkombëtar në fushat e shkëncës dhe të artit. Si institucion i pavarur artistik dhe shkencor, Akademia arrin objektivat nga projektet bazike, hulumtimet zhvilluese dhe të aplikuara, projektet gjithëpërfshirëse dhe ndër-disiplinore, duke organizauar konferenca shkencore dhe simpoziume, duke publikuar rezultate të hulumtimeve të njëjta dhe të ndryshme dhe duke organizuar evente në fushat e artit.

Akademia bashkëpunon me universitetet, institucionet e tjera shkencore, arsimore dhe kulturore, shoqëritë shkencore dhe artistike dhe organizimet e tjera të krahasueshme në Republikën e Maqedonisë. Ajo po ashtu koorporon e akademitë e tjera të shkencës dhe të artit, dhe me institucionet e tjera shkencore, arsimore dhe artistike jashtë vendit.

Këto janë, apo më saktësisht duhet të jenë, pikat e fokusimit të Akademisë, por siç duket, Akademia i ka dhënë rol vetes në angazhimin e politikave ditore. Qasja bëhet në dy mënyra, në formë individuale apo edhe në emër të Akademisë.

Shpesh, deklaratat individuale të akademikëve kanë sjellur debate në opinion, bie fjala deklarata e kryetarit të ASHAM, Taki Fiti i cili u shpreh që Gonxhe Bojaxhiu rrjedh nga një familje e përzier etnike, duke shtrembuar kështu prejardhjen e nobelistes shqiptare nga Shkupi.

Ngjarja e jetës së Nënë Terezës, tha ai, dëshmon se në hapësirat tona kanë jetuar në paqe, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike. Ajo rrjedh nga një familje me prejardhje të përzier nacionale.

Raste të tilla janë me dhjetëra dhe qindra. Kujtojmë deklaratën e ASHAM rreth procesit të lustrimit, ku mes të tjerash u tha që procesi është bërë mjet kundër identitetit maqedonas. Enciklopedia anti-shqiptare e ASHA, ngjalli reagime dhe nxiti mostolerancë mes bashkësive etnike. Kujtoj që për shkak të pavërtetave ofenduese për shqiptarët e Maqedonisë, ASHAM tërhoqi nga përdorimi enciklopedinë e shpallur në shtator të vitit 2009.

Akademikët maqedonas dolën edhe kundër Platformës Shqiptare. Sipas tyre do të ndodhte  Shqipëria Madhe, islamizimi dhe shqiptarizimi i Maqedonisë së Veriut.

Jo më largë se 13 vite, ASHAM përmes publikimit të Enciklopedisë kontraverse, ku u fyen rëndë shqiptarët dhe shtrembëroi historinë e tyre. E në një mjedis të tillë “akademik”, s’do mend se nuk ka vend për të vërtetën dhe faktet, dhe në anën tjetër trillimet dhe mashtrimet.

Nga ASHAM u inkuadruan edhe në debatin e Ligjit për gjuhët ku kërkuan debat shkencor dhe profesional rreth kësaj teme. Akademiku dhe shkrimtari Mitko Maxhunkov, pat deklaruar që tentimi për futjen e dygjuhësisë në të gjithë territorin çon kah shkatërrimi i karakterit predominant dhe të krishterë të popullit tonë kah shqiptarizimi dhe islamizimi i atdheut tonë.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë ende mbahet mend me propozimin e saj të vitit 2001 për shkëmbimin e territoreve dhe popullatës mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Deklaratat e krerëve të ASHAM, bëhet konform bindjes së tyre politike. Ishte kreu i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë që Marrëveshjen me Greqinë e llogariti si kompromis i mirë për vendin. Siç duket, ata nuk po arrijnë t’i ndajnë faktet shkencore nga preferencat dhe konjunkturat e tyre politike.

Në këto 55 vite veprimtari, karakteristikë e Akademisë ka qenë dhe mbetet qasja destruktive ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Në 55 vite veprimtari, vetëm 5 kuadro shqiptare përmenden në strukturën organizative. Në gjithë organizimin e Akademisë, shqiptarët janë jo më shumë se gishtat e duarve, pra pesë akademikë shqiptarë; Luan Starova, Omer Kaleshi, Izet Zeqiri, Abdulmenaf Bexhti, Ferid Murad, Rexhep Mejdani dhe Alajdin Abazi.

Kur flasim në relacion me shqiptarët, Akademia nuk e sheh të arsyeshme as uebsajtin ta azhurnojë në gjuhën shqipe. Aktualisht është vetëm në gjuhën maqedone dhe angleze.

Fundi i pjesës së katërt. Nesër publikohet pjesa e pestë dhe e fundit. A duhet Akademikët shqiptarë të ndajnë udhët me ato maqedonas. A duhet të krijohet Akademia e Shkenava dhe Arteve e Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut?

Lexo edhe:

Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e parë)

Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e dytë)

Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e tretë)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 12:41