Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e tretë)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 09:24

Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e tretë)

Shkruan: Driton ZENKU

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë duhet të jetë vetëm e maqedonasve dhe se shqiptarët duhet të themelojnë Akademinë e tretë përskaj Akademive në Shqipëri e Kosovë. Ky është qëndrimi i Katica Qullavkova, anëtare e ASHAM, e cila publikisht hodhi idenë që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut të jetë etnikisht e pastër.

Dhe sipas filozofisë së ndërtuar për mbi 5 dekada nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë, mes tyre, një frymëzim tjetër në relacion me shqiptarët, as që mund të ketë. Si mund të mendohet ndryshe kur pikërisht kjo Akademi, jo më largë se 13 vite, përmes publikimit të Enciklopedisë kontraverse, fyente rëndë shqiptarët dhe shtrembëroi historinë e tyre. E në një mjedis të tillë “akademik”, s’do mend se nuk ka vend për të vërtetën dhe faktet, dhe në anën tjetër trillimet dhe mashtrimet.

Ishte Akademia e Shkencave dhe e Arteve që në këtë enciklopedi që pastaj u hoq nga përdorimi, shkruante që Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë ardhur nga Shqipëria veriore, dhe se, ata  kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre.

Sipas autorëve të “Enciklopedisë së Maqedonisë”, periudha e dytë e kolonizimeve të dhunshme shqiptare në viset maqedone, ndodhi në fillim të viteve ‘40 të shekullit XIX, pra në vitet e Tanzimatit. Këtë radhë “ardhacakët” shqiptarë erdhën nga Elbasani, Luma dhe Mati, por edhe nga Korça e gjetkë. Vala e tretë e kolonizimit paska ndodhur në fillim të shekullit XX, kurse vala e fundit, pra vala e katërt e kolonizimit shqiptar të Maqedonisë paska ndodhur pas vitit 1944.

“Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë perëndimore. Shqiptarët, veç tjerash, njihen edhe si njerëz malorë…”.

Ali Ahmeti, ish lideri i UCK-së ishte një terrorist, kurse kontestohej edhe prejardhja e Nënë  Terezës. Këto janë vetëm disa pjesë të shkëputura për shqiptarët nga Enciklopedia e re maqedonase, e botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve, e që ka shkaktoi reagime të ashpra brenda dhe jashtë shtetit. Madje, Britania e Madhe kërkoi Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë korrigjimin e të dhënave se gjoja pjesëtarë të UÇK-së janë trajnuar nga oficerë britanikë.

U dëshmua që enciklopedia e publikuar nga ASHAM, nuk ka  të bëjmë asgjë me shkencën, por është kryekëput politike dhe jep mesazhe ndarjeje. Enciklopedia nxiti debate të shumta madje jo vetëm ndër shqiptarët. Një pjesë e komunitetit maqedonas nuk pajtohet me të me që aty thuhet se maqedonasit e kanë origjinën sllave, ndërsa nuk përmendet çështja antike. Madje, NATO në enciklopedi ishte përcaktuar si një organizatë agresore.

Ndërsa gjuha e përdorur është pasuruar me zhargone, cinizëm dhe epitetime të shumëllojshme për shqiptarët. Në enciklopedi ata njihen si “arbanasë”, “arnautë” dhe “shqiptari”, kjo e fundit shoqërohet me shpjegimin përkatës në kllapa “pllaninci” (njerëz mali), ndërsa gegët si fis.

Në njësinë “Shqiptarët në Maqedoni”, popullsia përshkruhet si një bashkësi etnike me numrin më të madh në vend, pjesë e kombit shqiptar që shtrihet në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik.

Ata, prej fqinjëve të tyre, njihen me emrin “arbanasi”, “arnauti” dhe “shiptari”, ndërsa kryesisht i përkasin besimit mysliman. Ardhja e tyre në Maqedoni, sipas kësaj enciklopedie, është kryer tinëz dhe vërehet kryesisht pas shekullit XVI-të, me intensitet më të madh pas shekullit të XVIII-të, atëherë kur feudalët shqiptarët mëtonin të pavarësoheshin nga pushteti qendror, me qëllim zgjerimin e sundimit të tyre në Maqedoni.

Ndërkohë, Ali Pashë Tepelena përmendet si personi që ka mundësuar vërshimin shqiptar në pjesën jugperëndimore të vendit. “Prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishe nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë.

Deri në fillimet e shekullit të XIX-të shqiptarët numëronin 20 mijë banorë”, shkruan në enciklopedi. Nga periudha 1780-1800, thuhet më tej, banorët rridhnin nga fiset Krasniqi, Shala dhe një tjetër fis nga Shqipëria e Jugut, të cilët populluan rajonet e Manastirit, Gostivarit, Kërçovës, Kumanovës, Prilepit, Shkupit, Strugës e Tetovës. “Grupi i dytë i popullimit të dhunshëm fillon në shekullin XIX-të. Shqiptarët atëherë numëroheshin 50 mijë, ose mbi 2 për qind e popullsisë kundrejt 97 për qind maqedonasve.

Të shpërngulurit e tjerë shqiptarë erdhën nga Shqipëria Veriore, Elbasani, Luma dhe Mati dhe nga Jugu, si Korça e të tjera, ndërsa pas vitit 1840 e deri në fillimet e shekullit të XX-të intensiteti i shpërnguljeve nga Shqipëria pësoi rënie. Gradualisht ato infiltruan në shumë zona të vendit, për rrjedhojë deri në vitin 1944 ata gjendeshin në 298 vendbanime nga 2017 gjithsej dhe numëronin 90 mijë banorë.

Vala e fundit e ardhjeve daton pas vitit 1944 dhe si pasojë e natalitetit të madh dhe ardhjeve mekanike nga Kosova, Metohija dhe Serbia Jugore, numri i tyre vazhdimisht është rritur”. Deri në luftërat ballkanike (1912-1913) në Maqedoni, sipas autorëve të enciklopedisë, shqiptarët numëronin 128 mijë, ose 57 për qind e popullsisë.

Pas ndarjes së Maqedonisë, në vitin 1948 numri i tyre ishte mbi 197 mijë, ndërsa me regjistrimet e vitit 2002 mbi 500 mijë vetë deklarohen shqiptarë. Rritja e numrit të popullsisë argumentohet me natalitetin e lartë dhe migrimet nga, siç e quajtën akademikët maqedonas, Kosova dhe Metohia.

Gjatë sundimit të Mbretërisë Jugosllave shqiptarët kanë gëzuar të drejtat etnike, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata rreshtohen kryesisht në radhët e Ballit Kombëtar dhe shumë pak në lëvizjen antifashiste. Enciklopedia kontraverse thotë që pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shqiptarët shndërrohen nga pakicë në bashkësi etnike.

Nën presion nga të gjitha anët, kryesia e ASHAM vendosi që ta tërheqë enciklopedinë nga qarkullimi, me arsyetimin që se brenda kohës do të bëjë përmirësime të përcaktimeve në lidhje me raportet shqiptaro-maqedonase dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Nuk pati as përgjegjësi për anëtarët e redaksisë së  enciklopedisë në krye me akademikun, Bllazhe Ristovski.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë ende mbahet mend me propozimin e saj të vitit 2001 për shkëmbimin e territoreve dhe popullatës mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ky propozim ishte mbështetur edhe nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë, Lubco Georgievski, por ishte kundërshtuar nga partitë shqiptare, opozita e atëhershme maqedonase, LSDM dhe faktori ndërkombëtar.

Fundi i pjesës së tretë

Lexo edhe:

Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e parë)

Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare (Pjesa e dytë )

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 09:24