“Ditët e alfabetit”, ITKSh: Vëmendje institucionale për arbëreshët

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 17 Nëntor, 2021 19:39

“Ditët e alfabetit”, ITKSh: Vëmendje institucionale për arbëreshët

Arbëreshët për 600 vite arritën të ruajnë gjuhën, traditën dhe të nxjerrin në pah një trashëgimi shumë të pasur të letërsisë. Jorastësisht ata sivjet janë boshti kryesor i manifestimit “Ditët e Alfabetit”, që do të kulmojë më 22 nëntor. ITKSH e ka sensibilizuar këtë temë sivjet në përpjekje që të ndihmojë që komuniteti arbëresh të mos asimilohet.

“Vetëm një bashkëpunim i mirëfilltë, por jo vetëm me fjalë, mund të ndihmojë që jeta e arbëreshëve të zgjatet sa më shumë që është e mundur. Ata nuk kanë revista, ata janë shuar se nuk kanë mjete, shteti italian nuk i mbështet, vetëm universiteti i ka shkolluar disa njerëz, por me diplomat që kanë marrë nuk kanë mundur të ushtrojnë detyrën e profesorit, sepse nuk ka në gjuhën arbëreshe.”,- deklaroi pedagogu në Universitetin e Kalabrisë, Anton Nikë Berisha.

“Konsiderojmë që komuniteti arbëresh në Itali po tkurret demografikisht dhe territorialisht për shkak të tendencave asimiluese dhe zhvillimit joproporcional jug-veri, prandaj ne po mundohemi të hedhin një gurë të vogël në kandarin e ndërgjegjes kolektive, që ky komunitet të marrë vëmendjen institucionale të shteteve tona.”,- tha Departamenti i Letërsisë – ITKSh, Emin Azemi.

“ITKSh pikërisht për këtë ka marrë nismë që këtë vit ta trajtojë çështjen e arbëreshëve dhe të japë kontribut sado modest për të nxjerrë punën madhore të arbëreshëve, por edhe të frymëzohemi nga puna e tyre dhe mundësisht të japim një kontribut edhe ne se si mund të veprojnë edhe të tjerët në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore të arbëreshëve.”,- u shpreh Hidajete Azizi nga Departamenti i Gjuhës Shqipe në ITKSh.

Studiuesit e ITKSH-së rikujtuan edhe punën e Françesko Altimarit pedagogut në Universitetin e Kozencës që ruajti gjuhën arbëreshe. Por, thonë se pa një vëmendje të gjerë institucionale, puna e vetëm pak njerëzve që merren me kulturën arbëreshe do të shuhet shumë shpejt. (TVM2)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 17 Nëntor, 2021 19:39