Dogani: Nuk ka më djegie të mbeturinave në deponinë rajonale Rusino

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 28 Dhjetor, 2022 12:44 Updated

<strong>Dogani:</strong> Nuk ka më djegie të mbeturinave në deponinë rajonale Rusino

Në intervistën e fundvitit për Flaka Media Group, drejtori i Ndërmarrjes së përbashkët publike Rusino/Pollog, Besim Dogani shpalos të arriturat nga themelimi dhe deri më tani, por edhe sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet kjo ndërmarrje në një vjetorin e funksionimit. Me qëllim të nisjes me punë u bë edhe një cikël investimesh infrastrukturore siç ishte asfaltimi i rrugës deri në deponinë Rusino, ndërtimi i shtëpizës/pikë kontrolli në hyrje të deponisë, shtëpizës për matjen dhe regjistrimin e mbeturinave, vendosja e peshores digjitale, rrethimit dhe mbulimit të trupit të deponisë me pëlhurë gjeo-termale, ndërtimi i sistemit për kapjen e ujërave të zeza, dhe shumë punëve tjera në brendinë e deponisë. Sipas drejtorit Dogani, për mirëmbajtjen e deponisë duhen rreth 30 mijë euro në muaj. Paratë grumbullohen nga faturimi për mbeturinat e hedhura aty. “Ndërmarrjet publike të nëntë komunave, tani kanë mundësi që mbeturinat ti hedhin në Rusino, me një pagesë prej 2,5 euro për ton mbetjesh, si një mënyrë e  zgjidhjes së problemit me deponitë e egra në thuajse të gjitha komunat e Pollogut”, shton Dogani    

Intervistoi: Driton ZENKU

FLAKA: Në rajonin e Pollogut u krijuar Ndërmarrja e re e përbashkët rajonale e nëntë komunave e cila menaxhon me mbeturinat në këtë rajon. Ndërmarrja e re Rusino-Pollog”, ka filluar së  funksionuari nga fundi i muajit janar të vitit 2022 dhe drejtohet nga ju. Na flisni pak për fillimet e veprimtarisë së ndërmarrjes, kur dihet që vënia në funksion e një ndërmarrje të re kërkon kohë, mund dhe mbështetje logjistike. 

BESIM DOGANI: Vërtetë nga kjo largesë kohore është e frikshme dhe të përkujtohen të gjitha procedurat të cilat duhej kaluar për të arritur deri tek themelimi i një ndërmarrjes së re, me shumë aktorë si themelues të saj e nga ana tjetër pa ekip, pa logjistikë dhe mungesë të ndjeshme të mbështetjes financiare. Dua të përkujtoj lexuesit që themelimit të Ndërmarrjes së përbashkët publike Rusino/Pollog i parapriu një punë gati më se dyvjeçare, studimi i qëndrueshmërisë, dëgjesa publike, vendimet/pëlqimet e kryetarëve të komunave, miratimi i planit financiar, programit të punës, statutit dhe dhjetëra dokumenteve tjera që kërkon legjislacioni i Maqedonisë së Veriut. Ndërsa me qëllim të nisjes me punë u bë edhe një cikël investimesh infrastrukturore siç ishte asfaltimi i rrugës deri në deponinë Rusino, ndërtimi i shtëpizës/pikë kontrolli në hyrje të deponisë, shtëpizës për matjen dhe regjistrimin e mbeturinave, vendosja e peshores digjitale, rrethimit dhe mbulimit të trupit të deponisë me pëlhurë gjeo-termale, ndërtimi i sistemit për kapjen e ujërave të zeza, dhe shumë punëve tjera në brendinë e deponisë.      

Të gjithë këto investime u bënë kryesisht në kuadër të projektit “Menaxhimi i mbeturinave të ngurta në rajonin e Pollogut” të financuar nga SECO zvicerane, por dhe përmes investimeve vendore siç ishte ai për asfaltimin e rrugës dhe ndërtimin e shtëpizës kontrolluese. 

Ajo që na bën të lumtur është fakti se nga nëntë depooni të parapara rajonale, vetëm ajo e rajonit të Pollogut arriti të futet në funksion.

FLAKA: Për pak ditë ndërmarrje shënon 1 vjetorin e funksionimit. Tani pas një viti, përshkruani sukseset por edhe problemet me të cilat ballafaqohen ndërmarrja që drejtohet nga ju.

BESIM DOGANI: Vështirësitë ishin dhe vazhdojnë të jenë të shumta. Ndërmarrjes iu dha një detyrë shumë e vështirë, gati se e pamundur për tu përmbushur. Në vend që të fillonte të menaxhonte një deponi sanitare me standarde, ajo trashëgoi një deponi të egër në të cilën ishin deponuar mbeturinat nga rajoni i Pollogut pa ndonjë rregull për dekada me radhë. Deponia nuk posedonte sistem rrugësh të brendshme për qarkullim, nuk kishte ujë, rrymë elektrike, asnjë mjet apo vegël nga më elementaret për punë. Nuk dispononte me qeliza (hapësira) të rregulluara për pranim të mbeturinave. Në këtë drejtim ne i dhamë detyrë vetes që hap pas hapi të eliminojmë të gjithë mangësitë.

Fillimisht pajisëm ekipin me mjetet më elementare për punë. Përmes operatorëve të jashtëm filluam pastrimin e pirgjeve të mëdha të mbeturinave dhe ti japim formë trupit të deponisë, të ndërtojmë rrugë të brendshme për qarkullim të rehatshëm të kamionëve në brendi të deponisë, respektivisht krijuam regjim qarkullimi.

Me ndihmën financiare të projektit SECO instaluam panele diellore përmes të cilëve arritëm të prodhojmë një sasi minimale të energjisë elektrike për funksionimin e pajisjeve. Vendosëm sisteme për ujë teknik dhe tualete, krijuam hapësira për të punësuarit, me se dhe krijuam kushtet minimale për punë.

Përmes projektit për rehabilitim të deponisë Rusino të financuar nga SECO e në vlerë prej 130.000 franga zvicerane, arritëm që të bëjmë rehabilitimin (mbulimin me tokë) të pjesës më të madhe të trupit të deponisë gjë  që eliminoi lëshimin e aromës së keqe nga degradimi dhe djegia e brendshme e mbeturinave deri atëherë të pambuluara dhe pamundësoi paraqitjen e zjarreve që ishte një dukuri e shpeshtë në të kaluarën. Me këtë arritëm edhe të krijojmë dy qeliza për pranimin e mbeturinave dhe e ritëm kapacitetin pranues të deponisë.

Përpos kësaj si e arritur vlen të theksohet që u vendos rregull në deponimin e mbeturinave në orar të caktuar të punës, çdo kamion me mbeturina pranohet, kontrollohet, peshohet, regjistrohet dhe orientohet në vendin e caktuar për deponim nga ana e të punësuarve në NPP Rusino/Pollog. Operatori privat bën rrafshimin e mbeturinave sipas programit për punë nga së paku 4 orë në ditë. Në këtë mënyrë u arrit që të rritet vetëdija e operatorëve rreth mënyrës së funksionimit të deponisë.

FLAKA: Për mirëmbajtjen e deponisë duhen rreth 30 mijë euro në muaj. Paratë grumbullohen nga faturimi për mbeturinat e hedhura aty. Ndërmarrjet publike të nëntë komunave, tani kanë mundësi që mbeturinat ti hedhin në Rusino, me një pagesë prej 2,5 euro për ton mbetjesh, si një mënyrë e  zgjidhjes së problemit me deponitë e egra në thuajse të gjitha komunat e Pollogut. Një vit nga fillimi me punë, sa komunat janë bashkëpunuese dhe sa arrini të inkasoni mjetet financiare nga ana e komunave në llogari të ndërmarrjesë.

BESIM DOGANI: Si komunat ashtu edhe institucionet tjera, ministria përkatëse, kanë qenë shumë bashkëpunuese në aspektin jo financiar. Por fatkeqësisht deri më tani në masë të madhe ka munguar ndihma e tyre financiare. Ndërmarrja është lënë të mbijetojë vetë, si të dijë e si të mundet. Nga ministria e linjës nuk kemi marrë asnjë denar ndihmë deri më tani përpos premtimeve të shumta që gjithçka do të funksionojë më mirë e më lehtë pasi të miratohet kredia nga BERZh. Komunat dhe ndërmarrjet komunale shënojnë vonesa të mëdha në shlyerjen e obligimeve ndaj NPP Rusino/Pollog dhe deri në momentin e këtij shkrimi borxhi ndaj ndërmarrjes ka kaluar 7.5 milionë denarë, gjë që na pamundëson të shlyejmë në kohë faturat e operatorëve privat, pagat e të punësuarve, që nga ana tjetër mund të sjell deri në bllokim të punës së NPP Rusino/Pollog respektivisht mbylljen e saj të përkohshme deri në shlyerjen e borxheve.

FLAKA: Si Ndërmarrje e Përbashkët Rajonale Publike Rusino/ Pollog, tani pas një viti, sa jeni të përgatitur në aspektin teknik, hapsinor dhe atë kadrovik në funksionimin e ndërmarrjes dhe  menaxhimin e punës së përditshme?

BESIM DOGANI: Pas një viti funksionimi mund të themi se kemi krijuar kushte hapësinore që deri diku përmbushin nevojat dhe standardet për punë të përditshme. Kemi zyrën tonë administrative, shtëpizën kontrolluese dhe shtëpizën e peshimit të cilat me investime shumë të vogla mund të standardizohen edhe më tej. Jemi vetëm 12 të punësuar, numër që është i pamjaftueshëm për funksionim të përditshëm të rehatshëm ndërsa nuk mund të rrezikojmë të risim numrin e kuadrove për shkak të pasigurisë financiare. Shumica e të punësuarve në NPR   Rusino/Pollog kryejnë detyra të dyfishta. Angazhohen në ruajtjen e pastërtisë, rregullimit dhe mirëmbajtjes së objekteve, kryejnë punë administrative, operojnë me pompat për pastrimin e ujërave të zeza dhe dhjetëra aktivitete tjera për të cilët nuk kemi kuadro dhe për këtë i falënderoj përzemërsisht të gjithë.

Me gjasë edhe viti 2023 do të jetë vit i vështirë për NPP Rusino/Pollog dhe shpresoj që si ekip të ruajmë entuziazmin, dëshirën për multifunksionalitet dhe punë vullnetare.

FLAKA: Paralajmërimet janë se kjo deponi është e përkohshme dhe pas kësaj faze, gjegjësisht në fazën e dytë e cila parasheh mbylljen e “Rusinos” do të duhen 20 milionë euro. Nga ministria e ambientit jetësorë u tha që këto para do të sigurohen përmes një huamarrje nga BERZH, por paraprkisht deputetët duhet të kalojnë propozim-ligjin për këto para i cili ndodhet në Kuvend për 15 muaj. Besoni që kjo do të ndodh, apo do të mbetet një nga premtimet e shumta për tejkalimin e kësaj problematike?

BESIM DOGANI: Në këtë drejtim, punët dhe aktivitetet tona kanë mundësuar rritjen e jetëgjatësisë së deponisë Rusino dhe në bazë të projeksioneve tona do të kemi kapacitete të mjaftueshme për pranimin e mbeturinave deri në afatin e paraparë për dislokim të deponisë rajonale në lokacion tjetër. Sa u përket planifikimeve dhe aktiviteteve të Ministrisë për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor informatat i marrim kryesisht përmes mediave dhe informacioneve publike. Si ndërmarrje nuk kemi ndonjë informacion zyrtar.  

FLAKA: Cili do të ishte apeli juaj drejtuar kumunave të Pollogut por edhe qeverisë e ministrisë së ambientit hapsinor, për funksionimin sa më të mirë të Ndërmarrjes për menaxhimin e mbeturinave në  rajonin e Pollogut?

BESIM DOGANI: Të gjithë palët në proces duhet ta konsiderojnë këtë problem me seriozitetin më të madh. Shfrytëzuesit e shërbimeve të deponisë (komunat) duhet në kohë ti shlyejnë obligimet e tyre financiare ndaj NPP Rusino/Pollog që të mundësojnë funksionimin e saj ditor pa pengesa dhe vonesa. Qeveria së bashku me ministritë e linjës po ashtu duhet të vendosin këtë problematikë sa më lartë në agjendat e tyre, të krijojnë mekanizma më të fuqishme për kontrollin e deponuesve të egër, të kanalizojnë fonde të drejtpërdrejta për ndihmë të fuqizimit të NPP-ve rajonale, të ofrojnë ekspertizë të vazhdueshme dhe linja të përditshme për komunikim në mes të palëve të përfshira.

Vetëm gjatë vitit 2022 janë grumbulluar dhe trajtuar mbi 60 mijë ton mbeturina nga Rajoni i Pollogut, të cilët pa punën e NPP Rusino/Pollog ose do të përfundonin në deponi të egra ose do të mbeteshin të pa trajtuara duke paraqitur rrezik për djegie, emetim të gazrave të dëmshme dhe aromës së pakëndshme në mjedisin ku jetojmë. Krahasimi mund të bëhet shumë lehtë, prej themelimit të NPP Rusino/Pollog (si deponi e pa standardizuar) nuk ka më djegie të mbeturinave, nuk ka aromë dhe emetim gazrash as madje edhe në vetë trupin e deponisë, lëshimi i ujërave të zeza është sjellë në nivelin më të ulët të mundshëm, gjë që nuk mund të thuhet për rajonet tjera. Andaj të gjithë së bashku le të bëjmë të pamundurën ta rruajmë dhe ta mbajmë në jetë këtë “krijesën” tonë të përbashkët, ta risim e ta modernizojmë dhe në afatin e paraparë të arrijmë që deponinë Rusino ta mbyllim sipas të gjitha standardeve botërore. Nëse nuk arrijmë ta ruajmë këtë trup menaxhues, do të përfundojmë aty edhe ku filluam.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 28 Dhjetor, 2022 12:44 Updated