Dorëheqja e kryeministrit, Zaev do të deponojë dorëheqjen këtyre ditëve

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Nëntor, 2021 20:40

Dorëheqja e kryeministrit, Zaev do të deponojë dorëheqjen këtyre ditëve

Partitë qeverisëse theksojnë se dorëheqjen, kryeministri Zoran Zaev do ta dorëzojë këtyre ditëve, pasi që të përfundojnë bisedimet, duke paralajmëruar mundësinë edhe kah mesi i javës që vjen të dihet emri i mandatarit të ri, ndërkaq qeveria e re të votohet për dhjetë ditë në kuvend.

Partitë në pushtet presin edhe shtimin e shumicës parlamentare me deputetët e Alternativës, të cilët po heshtin për këtë ofertë.

VMRO–DPMNE insiston në zgjedhje të shpejta

Ndërkohë nga VMRO–DPMNE kanë ripërsëritur kërkesën për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare, pasi që sipas tyre kryeministri Zaev e shpiu shtetin në krizë energjetike, shëndetësore dhe ekonomike.

“Zoran Zaev dhe LSDM nuk mund të jenë zgjidhja, ata janë arsyeja për të gjitha problemet. Shumica e qytetarëve thanë se duan ndryshime, mbi 50 mijë vota është dallimi i listave për këshilltarë të VMRO –DPMNE – së dhe LSDM-së. Kemi situatë të re në terren dhe kjo duhet të përfaqësohet edhe në kuvend. Vetëm me zgjedhje të reja, vullneti i qytetarëve do të reflektohet edhe në kuvend dhe vetëm kështu do të kemi qeveri stabile sipas vullnetit të qytetarëve, qeveri e cila do ta udhëheqin njerëz profesionist të cilët dijnë se si ta ngrenë në këmbë Maqedoninë.”,- tha Dragan Kovaçki nga VMRO – DPMNE.

LSDM refuzon zgjedhjet e parakohshme

Nga LSDM nëpërmjet një komunikate thonë se shumica aktuale parlamentare s’do vë në rrezik shtetin dhe s’do votojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas LSDM-së shteti dhe popullata janë më të rëndësishme, se sa gënjeshtrat e VMRO–DPMNE kinse kanë shumicë të re parlamentare.

“LSDM, koalicioni dhe shumica parlamentare në këtë eufori s’do ti japin Mickovskit më shumë pushtet nga pushteti që fitoi në zgjedhjet lokale. Shteti dhe e ardhmja e saj janë më të rëndësishme se sa dëshira e Mickovskit për pushtet. Qytetarët kanë nevojë për qeveri që jep rezultate, posaçërisht në kohëra pandemie dhe krizë energjetike dhe s’do të pengojë procesin euroatlantik.”,- thuhet në kumtesën e LSDM–së.

Kërkesa e opozitës maqedonase për zgjedhje të parakohshme u aktualizua pas zgjedhjeve lokale, ku LSDM humbi pjesën më të madhe të komunave, e kjo sipas VMRO–DPMNE-së vë në pikëpyetje legjitimitetin e tyre në ekzekutiv./ Tvm2

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Nëntor, 2021 20:40
  • Ndiqeni faqen tonë në Facebook për lajmet më të fundit dhe për prodhimet tona më të reja multimediale.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Instagram me përmbajtje të veçantë dhe informuese – fotogaleri, video dhe infografika.
  • Abonohuni në kanalin tonë në Youtube për videove ekskluzive nga të katër anët e globit.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Twwiter për t’u informuar vazhdimisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.