Kuvendi i Republikës së Maqedonisë nesër do të diskutojë për mosbesimin e Qeverisë pasi VMRO-DPMNE-ja, e mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët, Alternativa, BESA dhe e Majta i paraqitën Iniciativë kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, përcjell FLAKA.
Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk do të paraqesin Iniciativë të re, por do ta tërheqin nënshkrimin e pjesës së vjetër të deputetëve. E Majta nuk përgjigj për të thënë nëse do ta tërheqin nënshkrimin nga nisma.
Deputeti Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE në konferencën e sotme për media tha se koha e Zoran Zaevit ka kaluar dhe VMRO-DPMNE nuk është e interesuar se çfarë do të ndodhë në LSDM dhe se Zaev do ta shoh nesër se çfarë do të ndodhë kur ai dhe Qeveria të votohen për mos-besim.
Aleanca për Shqiptarët dhe BESA për TV 24 thonë se për ta është me rëndësi që të bjerë qeveria dhe BDI përfundimisht të shkojë në opozitë. Dhe Alternativa tha se deputetët e saj do të votojnë për rrëzimin e qeverisë.
E kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev pasi mbrëmë Bordi Qendror i partisë i rekomandoi shtyrjen e zyrtarizimit të dorëheqjes, tha se pas zgjedhjeve lokale ka thënë se përkundër dorëheqjeve të ofruara, mbetet në të dyja pozitat deri në stabilizim të vendit. FLAKA