Drejtoresha e “Ismail Qemalit” e irrituar me Zekirin: Turp t’i vije, nuk bën t’ua nënçmoni punën arsimtarëve

Desk
By Desk April 29, 2020 22:04

Drejtoresha e “Ismail Qemalit” e irrituar me Zekirin: Turp t’i vije, nuk bën t’ua nënçmoni punën arsimtarëve

Drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali”, Burbuqe Ymeri ka hedhur poshtë si të pavërtetë deklaratën e deputetit të LSDM-së, Muhamed Zekiri që në shkollën që e udhëheq ajo nuk mbahet mësimi online.

Ajo thotë se ndiqet mësimi që nga dita e parë kur ka ardhur njoftimi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërkaq shton se ajo bëhet në disa forma.

“Po, po ndiqet. Prej ditës së parë kur ka ardhur njoftimi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ne kemi filluar me ndjekjen e mësimit online. Te të gjitha klasat ndiqet dhe Ministria e Inspektorati kanë dhënë rekomandimet, por komunikimin se si duhet të zhvillohet caktohet nga vetë arsimtarët. Disa punojnë me Zoom, disa dërgojnë materiale nëpërmjet platformës. Nxënësit klikojnë në e-mailin e shkollës dhe i përgjigjen arsimtarëve. Arsimtarët punojnë me nxënësit online edhe nëpërmjet Viberit”, tha Ymeri në linjën telefonike për TV 21.

Deklarata e Zekirit e ka irrituar Ymerin ndërkaq ajo thotë se në asnjë moment nuk duhet ta përdorin shkollën për qëllime politike dhe ta nënçmojnë punën e arsimtarëve.

“Është shumë turp i madh. Unë i di edhe qëllimet e tija se cilat janë. Nuk bën ta përdorin shkollën. Është turp i madh. Gjynah është t’ua nënçmoni punën arsimtarëve. Ejani po deshët ju si gazetarë, si fëmijë, hyni në klasa, klikoni, keni linkun dhe do të shihni se sa punohet me nxënësit. Por, kjo është turp nga Muhamed Zekiri. Unë nuk e di se pse e bën ai këtë. Unë me të vërtetë jam e irrituar, sepse është shkollë që me të vërtetë punohet dhe secili dëshiron që ta ketë fëmijën e vet në këtë shkollë, prandaj ne kemi nga 35 nxënës në klasa”, tha Ymeri më tej.

Përndryshe, ky reagim i Ymerit vjen pasi Zekiri në “Facebook”, duke demantuar ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, thotë se “bija ime mëson në shkollën “Ismail Qemali” dhe nuk ka mbajtur asnjë orë online“.

Desk
By Desk April 29, 2020 22:04