“Duhet të punojmë bashkërisht përtej dallimeve ideologjike e politike”

Desk
By Desk March 7, 2020 19:36

“Duhet të punojmë bashkërisht përtej dallimeve ideologjike e politike”

Në manifestimin e “Natës së Zjarreve”, kryetari i Komunës së Skenderajt dhe nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bekim Jashari ka theksuar se sot kujtojmë e nderojmë të gjithë ushtarët, dëshmorët e martirët që ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë.

Në përmbyllje të aktiviteteve të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jashari tha se kujtojmë e nderojmë luftën heroike të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, “ku për 3 ditë radhazi baba Shaban, Komandanti Legjendar Adem Jashari, Babushi Hamëza, dhe e gjitha familja Jashari, djemtë e vajzat me vendosmëri e të pa mposhtur luftuan kundër okupatorit serb”.

Fjalimi i plotë i Jasharit:

Të dashur familjarë të dëshmorëve, invalid e veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,

Të dashur bashkëkombës nga të gjitha trevat shqiptare që sot keni ardhur të nderoni jetën dhe veprën heroike të familjes Jashari.

E dashur familja ime Jashari!

Sot në 22 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtojmë e nderojmë luftën heroike të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998, ku për 3 ditë radhazi baba Shaban, Komandanti Legjendar Adem Jashari, Babushi Hamëza, dhe e gjitha familja Jashari, djemtë e vajzat me vendosmëri e të pa mposhtur luftuan kundër okupatorit serb.

Sot kujtojmë e nderojmë të gjithë ushtarët, dëshmorët e martirët që ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Janë ata që shkruajtën historinë e përjetshme, është vepra dhe heroizmi i tyre unik ai që vulosi të ardhmen e Kosovës. Populli ynë i përvuajtur, i robëruar me shekuj e i etur për liri bëri rezistencë të pashembullt, luftë të pastër në mbrojte të tokës sonë dardane, popullit tonë demokratik e liridashës. Sot, në përfundim të Epopesë së UÇK-së, me lejoni që të falënderoj të gjithë ata që me krenari vizituan e nderuan heroizmin e familjes Jashari, të gjitha ata që edhe sot ne këtë ditë me shi nuk ndalën respektin dhe nderimin për të rënët e Lirisë.

Numri i madh i vizitorëve nga të gjitha vendet ku frymon gjuha shqipe është dëshmi e fortë që populli ynë nuk e harron historinë tonë të lavdishme, nuk harron ata që dhanë jetën dhe derdhen gjakun për lirinë dhe shtetin që sot po e gëzojmë. Kjo histori duhet të përcillet me krenari brez pas brezi, gjenerate pas gjenerate. Po ashtu dua të falënderoj artistët e këngëtarët që si në kohët më të vështira, ashtu edhe sot po i këndojnë luftës e heroizmit të heronjve e dëshmorëve tonë. Sot patriotizëm është besimi në vlerat institucionale e demokratike, kujdesi për shtetin, ruajtjen e vlerave tona tradicionale e historinë tonë të lavdishme.

Tani duhet të punojmë bashkërisht, përtej dallimeve tona ideologjike, politike e konceptuale në zhvillimin e vendit, fuqizimin e rendit e ligjit, arsimit, shëndetësisë e rinisë, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe ndaljen e migrimit të të rinjve jashtë vendit. Të rënët në altarin e pavdekësisë, sollën Lirinë e Pavarësinë.

Ne, jetësojmë amanetin e tyre, duke zhvilluar shtetin!

Lavdi heronjve, dëshmorëve, e martirëve të Lirisë! Faleminderit

Desk
By Desk March 7, 2020 19:36