Duka: Në Dibër vetëm një rast aktiv me coronavirus, 16 persona në vetizolim

Desk
By Desk April 27, 2020 20:21

Duka: Në Dibër vetëm një rast aktiv me coronavirus, 16 persona në vetizolim

“Në Dibër, vetëm edhe një person është pozitiv me Covid-19 dhe gjendet në trajtim mjekësor në shtëpi. Sot, atij do t’i merret shtupë kontrolli dhe nëse rezultati është negativ, ai do të përfshihet në listën e personave të shëruar”.

Këtë sot mes tjerash e tha kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka. Ai shtoi numri i të infektuarve mbetet 51 persona, prej të cilëve 46 janë shëruar, ndërsa katër kanë ndërruar jetë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Duka tha se pa pengesa po zhvillohet skriningu për imunitetin e popullatës, që realizohet nga 17 mjekë amë, me të cilin duhet të përfshihen 2.342 persona në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë dhe se deri më tani ky aktivitet është realizuar në mbi 50 për qind.

“Gjendja e sigurisë gjatë fundjavës mund të vlerësohet si e mirë, përveç që gjatë 24 orëve të fundit tre persona nuk e respektuan ndalimin për lëvizje. Vjedhje, prishje të rendit publik dhe paqes, si dhe aksidente në komunikacion, nuk janë regjistruar. Pa pengesa funksionojnë pajisjet dezinfektuese të vendosura në hyrje të qytetit për automjetet”, theksoi Duka.

Ai informoi se vullnetarët e Kryqit të Kuq vazhdojnë të ofrojnë shërbime ndihmëse gjatë fundjavës. Kishte thirrje nga shtatë persona, dy prej të cilëve kishin nevojë për ushqim, ndërsa shtatë kishin nevojë për ilaçe.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë me përpikëri masat dhe rekomandimet e autoriteteve, si dhe detyrimisht të mbajnë maskë mbrojtëse dhe doreza nëse largohen nga shtëpitë e tyre./Telegrafi/

Desk
By Desk April 27, 2020 20:21